Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov, ka bërë të ditur se Kievi ka në plan të propozojë organizimin e një takimi ndërmjet presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentit rus Vladimir Putin, pasi të përmbyllen negociatat për çështjet humanitare.

Deklarata u bë gjatë një takimi me përfaqësues të mediave, sipas raportimeve të Kyiv Post.

“Ukraina ka qenë gjithmonë e qëndrueshme në përpjekjet për të arritur paqe. Që nga fillimi kemi përkrahur iniciativën e SHBA-së për një armëpushim të përgjithshëm dhe e kemi dëshmuar këtë përkushtim përmes një sërë raundesh negociatash. Megjithatë, çdo proces dialogu duhet të zhvillohet pa kushte të imponuara dhe me respekt të plotë për sovranitetin tonë”, deklaroi Umerov.

Bisedimet janë duke vazhduar që nga fillimi i këtij viti, dhe përpjekja e parë publike për një armëpushim u përmend nga presidenti amerikan Donald Trump në janar.

Prej asaj kohe, negociatat janë zhvilluar në disa etapa dhe lokacione të ndryshme.

Raundi i parë u mbajt në Jeddah të Arabisë Saudite, ku përfaqësues të Ukrainës, së bashku me ata amerikanë, vendosën bazat për një armëpushim të mundshëm.

Raundi i dytë u organizua në Riad dhe përfshiu bisedime shtesë mes Kievit dhe Uashingtonit, me përfshirjen e palës ruse në mënyrë indirekte, përmes video-lidhjes.

Komunikimi mes Ukrainës dhe Rusisë u realizua përmes ndërmjetësve amerikanë.

Në mars, SHBA paraqiti zyrtarisht një propozim për një armëpushim të përgjithshëm në të gjitha frontet — tokë, det dhe ajër — propozim të cilin Ukraina e pranoi.

Megjithatë, pas më shumë se dhjetë orësh diskutimesh, pala ruse refuzoi çdo lloj kompromisi.

“E vetmja arritje konkrete ishte një ndalim i përkohshëm i sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike,” theksoi Umerov.

Më vonë, me kërkesë të Moskës, negociatat u zhvendosën në Turqi, kësaj here pa pjesëmarrjen e SHBA-së.

Sipas ministrit ukrainas, diskutimet u fokusuan në tri çështje kyçe: një armëpushim i plotë, masa humanitare si shkëmbimi i të burgosurve dhe kthimi i civilëve e fëmijëve, si dhe një samit i mundshëm mes liderëve botërorë — Zelensky, Putin dhe Trump.

Megjithatë, dy raundet e fundit nuk sollën ndonjë marrëveshje për armëpushim, pasi Moska vazhdon të këmbëngulë në kushte që Kievi i konsideron të papranueshme.

“Ukraina është e gatshme për paqe të drejtë, jo për një pauzë të fshehur për një agresion tjetër,” shtoi Umerov.

Ai gjithashtu vuri në dukje se Ukraina, tash e tre vjet, ka ndjekur një program të rregullt për shkëmbimin e të burgosurve dhe ka mbajtur një qëndrim të palëkundur mbi çështjet humanitare.

Umerov paralajmëroi se Rusia mund të përpiqet të instrumentalizojë çështjet humanitare për të shmangur presionin e sanksioneve që po rritet.

Në fazën e ardhshme, Ukraina planifikon të propozojë organizimin e një samiti me liderët botërorë për të iniciuar një dialog të mirëfilltë. Detajet për formatin dhe afatet kohore të këtyre negociatave pritet të bëhen publike së shpejti.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version