Shoqata Down Syndrome Kosova ka paraqitur një ankesë në Gjykatën Supreme, duke kundërshtuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili kishte refuzuar kërkesën për rishikimin e udhëzuesit të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për votimin me asistencë. Sipas shoqatës, ky udhëzues vendos kritere të padrejta dhe diskriminuese, duke cenuar të drejtën kushtetuese të votës për personat me aftësi të kufizuara.
Shoqata argumenton se KQZ-ja ka tejkaluar kompetencat duke kërkuar raporte mjekësore për të lejuar votimin me asistencë. Drejtoresha e Down Syndrome Kosova, Sebahate Hajdini-Beqiri, thotë se për personat me aftësi të kufizuara ekziston tashmë një vendim zyrtar nga Ministria përkatëse, i lëshuar nga një komision mediko-social, i cili vërteton statusin e tyre.
“KQZ-ja duhet të kërkojë vetëm Vendimin e Aftësisë së Kufizuar, jo raporte mjekësore që mund të keqpërdoren. Komisionerët janë staf administrativ, jo profesionistë shëndetësorë; ata nuk mund të vlerësojnë raporte mjekësore”, thekson Beqiri, duke paralajmëruar se këto kritere rrezikojnë që persona që nuk e kanë statusin zyrtar të përfitojnë në mënyrë të padrejtë, ndërsa personat me aftësi të kufizuara mund të pengohen të ushtrojnë të drejtën e tyre.
Shoqata kritikon edhe mënyrën e hartimit të udhëzuesit. Sipas tyre, KQZ-ja nuk ka konsultuar organizatat që përfaqësojnë personat me aftësi të kufizuara – një praktikë që, siç thonë, ka qenë standard në proceset e kaluara zgjedhore. Beqiri tregon se për herë të parë, organizatat nuk janë thirrur në takime, nuk janë njoftuar për përmbajtjen e udhëzuesit dhe nuk kanë pasur asnjë mundësi të kontribuojnë.
“Gjithçka e kemi kuptuar vetëm në ditën e zgjedhjeve, më 9 nëntor 2025. Kjo tregon mungesë transparence dhe bashkëpunimi”, deklaron Beqiri.
Me paraqitjen e ankesës në Gjykatën Supreme, Down Syndrome Kosova kërkon anulimin e udhëzuesit dhe rikthimin e një procesi zgjedhor të bazuar në parime të barazisë, gjithëpërfshirjes dhe respektimit të dinjitetit të personave me aftësi të kufizuara. Shoqata thekson se përfshirja e tyre është thelbësore për të garantuar standarde të drejta dhe për të shmangur çdo formë diskriminimi në ushtrimin e së drejtës së votës.
