Ambasadori turk në Kosovë, Tunç Angılı, ka zbuluar plane ambicioze për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Ai theksoi se investimet turke në Kosovë aktualisht kapin shifrën e 500 milionë eurove dhe kanë krijuar mbi 10 mijë vende pune, ndërsa tregtia dypalëshe po i afrohet 1 miliard eurove.

Në një intervistë për Telegrafin, Angılı theksoi se synimi i Turqisë është të bëjë bashkëpunimin më të balancuar, duke u fokusuar në projekte të përbashkëta. Një nga idetë kryesore është krijimi i një zone të lirë ekonomike në Kosovë, ku investitorët turq do të prodhonin produkte posaçërisht për eksport në tregun e Bashkimit Evropian, Ballkanit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Investimi në industri dhe larg remitancave

Ambasadori turk vuri në dukje se ekonomia e Kosovës ka stabilitet financiar dhe një sektor bankar të fortë. Megjithatë, sipas tij, prodhimi dhe industria janë ende të dobëta, dhe ekonomia varet kryesisht nga remitancat e diasporës.

“Kur të vijë gjenerata e tretë apo e katërt në Zvicër e Gjermani, ato remitanca do të pakësohen – siç ndodhi me Turqinë në vitet ’80,” shpjegoi Angılı. Ai sugjeroi se ky është momenti ideal për të investuar në industri dhe prodhim, duke e shndërruar Kosovën nga një ekonomi e bazuar te remitancat, në një ekonomi eksportuese.

Ambasadori theksoi se Turqia, me përvojën dhe dijen e saj në industri, mund të jetë një partnere e shkëlqyer për Kosovën. Për të forcuar këtë bashkëpunim, Angılı theksoi rëndësinë e mbajtjes së edicionit të dytë të forumit ekonomik Kosovë–Turqi, këtë herë në Prishtinë, për të krijuar një kornizë institucionale të bashkëpunimit mes bizneseve.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version