Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të hënën vendosjen e tarifave të reja tregtare për importet nga disa vende, përfshirë Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën. Sipas këtij vendimi, importet nga Serbia do të tatohen me një tarifë prej 35 përqind, ndërsa ato nga Bosnja dhe Hercegovina me 30 përqind.

Tarifat e reja, të cilat sipas administratës së Trump janë masa reciproke të vonuara që ishin paralajmëruar që në muajin prill, do të hyjnë në fuqi më 1 gusht 2025, raporton Dija Online.

Trump ka informuar zyrtarisht presidentin serb Aleksandar Vuçiq, si dhe liderë të tjerë të vendeve të prekura, përmes një letre zyrtare. Letra është publikuar në rrjetin social të Trump, Truth Social, ku ai thekson se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj marrëdhënieve tregtare me Serbinë, pavarësisht siç thotë ai, “deficitit të konsiderueshëm tregtar mes dy vendeve”.

Në letrën drejtuar Vuçiqit, Trump shton gjithashtu se tarifat mund të shmangen nëse Serbia ose kompanitë serbe vendosin të zhvendosin prodhimin në Shtetet e Bashkuara. Por ai paralajmëroi se nëse Beogradi përgjigjet me tarifa kundër SHBA-ve, atëherë masat mund të ashpërsohen dhe tarifat amerikane të rriten edhe më tej.

Në muajin prill, tarifat për Serbinë ishin paralajmëruar në nivelin 37%, por me vendimin e fundit janë fiksuar në 35%.

Një letër e ngjashme është dërguar edhe kryetarit të Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zhelko Cvijanoviq, ku Trump njofton se mallrat nga Bosnja e Hercegovina do t’i nënshtrohen një tarife 30 përqind.

Ky vendim është pjesë e një pakete më të gjerë tarifash që SHBA ka vendosur për disa vende tjera:

  • 25% për Japoninë, Korenë e Jugut, Malajzinë dhe Kazakistanin

  • 30% për Afrikën e Jugut

  • 32% për Indonezinë

  • 35% për Bangladeshin

  • 36% për Kamboxhian dhe Tajlandën

  • 40% për Laosin dhe Mianmarin

Vendimi është parë si një përpjekje e Trump për të balancuar marrëdhëniet tregtare ndërkombëtare, por gjithashtu ka nxitur shqetësime për përshkallëzim të tensioneve tregtare, veçanërisht me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version