Kombëtarja e Kroacisë shkëlqeu mbrëmë në “Opus Arena”, duke shpartalluar Republikën Çeke me rezultat 5:1 në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Botëror.
Një nga yjet e padiskutueshëm të kësaj fitoreje ishte kapiteni Luka Modric, i cili, edhe pse 39 vjeç, vazhdon të mahnitë me ritmin dhe thyerjen e rekordeve në skenën ndërkombëtare.
Në minutën e 62-të, Modric shënoi golin e dytë për Kroacinë nga penalltia, pasi Ante Budimir fitoi një 11-metërsh. Goditja e tij ishte e saktë, duke i dhënë epërsinë ekipit të tij 2:1.
Ky gol i dhuroi atij një rekord të ri personal: Modric u bë golashënuesi më i vjetër në historinë e kualifikueseve evropiane për Kupën e Botës. Ai la pas Edin Dzekon, i cili kishte vendosur rekordin vetëm pak ditë më parë me Bosnjë e Hercegovinën kundër San Marinos.
Me këtë gol, mesfushori legjendar kroat u rendit gjithashtu si shënuesi i nëntë më i vjetër në të gjitha kualifikimet botërore. Rekordi absolut mbahet nga Keithroy Cornelius i Ishujve Virgjër të SHBA-së, i cili shënoi në moshën 43-vjeçare.
Përveç golit, Modric dha një asistim fantastik për Andrej Kramaric dhe bëri një tjetër paraqitje të shkëlqyer në mesfushë. Ai pati 70 pasime të sakta nga 77 tentativa, bëri 2 driblime të suksesshme dhe fitoi të gjitha duelet në tokë.
Kjo paraqitje është një dëshmi tjetër e klasit dhe qëndrueshmërisë së tij në nivelet më të larta të futbollit, ndërsa Kroacia shfaq ambicie serioze për t’u kualifikuar në Botërorin e ardhshëm.