Nga Fatmir Baçi

Nëse takohemi në duatë tona, kjo botë bëhet e vogël, dhe askush nga ne nuk është vetëm. Në atë hapësirë të padukshme, ku fjalët ngrihen drejt qiellit dhe zemrat hapen para Krijuesit, largësitë humbin peshën e tyre. Atje njerëzit nuk maten me hapa rruge, me kufij apo me gjuhë; maten me kujtesën e zemrës dhe me dëshirën që tjetri të jetë mirë. Kur një zemër përmend tjetrën në lutje, midis tyre krijohet një urë që as koha e as hapësira nuk e prishin.

Duaja është një takim i heshtur i shpirtrave. Njerëzit mund të jenë në qytete të ndryshme, në brigje të ndryshme detesh, madje edhe në kohë të ndryshme të jetës, e megjithatë mund të takohen në atë çast kur njëri e kujton tjetrin para Zotit. Në atë kujtim të sinqertë, bota ngushtohet dhe bëhet si një dhomë e vogël ku zemrat e njerëzve që duan të mirën për njëri-tjetrin rrinë pranë.

Nëse kjo lidhje mungon, edhe komshiu i parë bëhet shumë i largët. Afërsia e trupave nuk e krijon vetvetiu afërsinë e shpirtrave. Dy shtëpi mund të ndahen vetëm nga një mur, ndërsa zemrat që jetojnë brenda tyre mund të jenë më larg se qytete të tëra. Kur kujtesa e tjetrit nuk ngjitet në lutje, rrugët bëhen të gjata dhe heshtja mes njerëzve merr peshë.

Prandaj duaja nuk është vetëm kërkesë drejtuar qiellit; ajo është edhe një mënyrë për ta mbajtur botën njerëzore të bashkuar. Sa herë që përmendim tjetrin në lutje, ne e afrojmë botën, e bëjmë më të ngrohtë dhe më të banueshme. Në atë kujtesë të përbashkët para Zotit, vetmia humb vendin e saj dhe njeriu e ndien se, diku në këtë botë, një zemër tjetër e mban emrin e tij në dritën e duás.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version