Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka konfirmuar prerazi se partia e tij nuk do të bëjë asnjë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), duke lënë të kuptohet se kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, mund të përballet me dështim në seancën e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit, ku pritet të votohet për formimin e qeverisë së re.

“PDK e ka bërë të qartë që nga dita e certifikimit të zgjedhjeve se, në asnjë rrethanë, nuk do të jetë pjesë e ndonjë koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje dhe as nuk do të japë votë për të,” – deklaroi Tahiri para se të hynte në Kuvend.

Sipas tij, qëndrimi i PDK-së është i palëkundur dhe konsistent: partia nuk do të mbështesë asnjë formë qeverisjeje të udhëhequr nga Vetëvendosje. Ai shtoi se seanca e sotme është momenti vendimtar për të parë nëse Kurti ka shumicën e nevojshme parlamentare për të formuar kabinetin e tij të ri.

“Kjo seancë është thirrur pikërisht për ta parë nëse kryeministri në dorëheqje i ka numrat në Kuvend për të krijuar shumicën. Ne do ta respektojmë procesin institucional, por qëndrimi ynë është i ditur,” – tha Tahiri.

Kur u pyet nëse PDK do të jetë e gatshme të marrë përgjegjësinë për hapat e mëtejshëm, si partia e dytë në radhë pas LVV-së, Tahiri u shpreh se kjo do të diskutohet vetëm pas përfundimit të seancës, duke mos përjashtuar asnjë skenar të mundshëm politik.

Në lidhje me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, ai mbeti i rezervuar, por theksoi se qëndrimi i PDK-së do të bëhet publik menjëherë pas seancës, në varësi të rezultatit që do të dalë nga votimi.

“Çdo qëndrim i yni do të jetë i qartë dhe institucional. Por sot, me shumë gjasë, do të shohim një dështim të Kurtit në tentativën për të krijuar shumicën,” – përfundoi Tahiri.

Kjo deklaratë e deputetit të PDK-së e përforcon ndarjen e thellë mes partive kryesore në Kuvend dhe shton pritjen për një seancë me tensione të larta politike, nga e cila pritet të përcaktohet rruga e ardhshme e qeverisjes në vend.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version