Gjykata Supreme e Kosovës ka anuluar të martën një dispozitë të një udhëzimi administrativ, i cili kërkonte nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të dëshmonin se nuk ishin në marrëdhënie pune si kusht për të përfituar pension.

Udhëzimi Administrativ Nr. 01/2025, i nxjerrë nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), kishte përcaktuar se veteranët, për të marrë kompensim financiar, duhej të vërtetonin përmes një dokumenti nga Administrata Tatimore e Kosovës se nuk ishin të punësuar.

Gjykata Supreme ka konstatuar se ky kusht ishte i paligjshëm. Arsyeja është se ligji në fuqi, konkretisht neni 16A, paragrafi 5, nuk ua ndalon marrjen e pensionit veteranëve që janë të punësuar në sektorin privat.

Sipas legjislacionit, vetëm veteranët e punësuar në institucione publike ose ndërmarrje publike, pra ata që marrin pagë nga buxheti i shtetit, përjashtohen nga kjo skemë përfitimi.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UCK-së (OVL e UÇK-së), e cila kishte ngritur padi kundër Ministrisë për këtë udhëzim, e ka përshëndetur vendimin e Supremes në një postim në Facebook.

“Ky vendim është një fitore e drejtësisë dhe e ligjit, sepse rikthen në vend një padrejtësi të bërë ndaj shumë veteranëve që, pavarësisht se janë të punësuar në sektorin privat, u ishin mohuar të drejtat ligjore të përfitimit nga skema e kompensimeve”, ka deklaruar kjo organizatë.

Gjykata Supreme ka bërë të ditur se gjatë shqyrtimit të ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së dhe familjarëve të tyre, ka gjetur se ndryshimet e fundit ligjore kishin krijuar “paqartësi dhe konfuzion juridik”. Kjo paqartësi lidhej me atë nëse ekzistenca e marrëdhënies së punës ishte kriter për të drejtën e kompensimit financiar.

“Në këtë drejtim, Gjykata ka interpretuar nenin 16A, paragrafi 5 të ligjit të ndryshuar, i cili përcakton se: Veteranët e luftës së UÇK-së që punojnë jashtë institucioneve që paguhen nga buxheti i Kosovës, si dhe jashtë ndërmarrjeve publike, do të gëzojnë njëtrajtshëm deri në 50% të shumës së paraparë, por që në total nuk do të kalojë 0.7% të Bruto Prodhimit Vendor”, citohet në vendim.

Gjykata ka vendosur se e drejta për përfitim nga kjo kategori nuk varet nga fakti i të qenit i punësuar në përgjithësi, por nga natyra e punëdhënësit dhe burimi i financimit të pagës, specifikisht nëse ai burim është apo jo buxheti i shtetit.

Ajo ka kërkuar nga Ministria që udhëzimin administrativ të vitit 2015 ta shfuqizojë ose ta harmonizojë me përmbajtjen e ligjit të ndryshuar të vitit 2017, sa i përket kushtit të mosqenies në marrëdhënie pune për përfitimin e kompensimit.

Veteranët e luftës së 1998-1999 në Kosovë, të cilët janë të regjistruar si të papunë, marrin pension mujor që nga viti 2015.

Bazuar në të dhënat shtetërore, nga përafërsisht 46 mijë veteranë të regjistruar, rreth 37 mijë prej tyre përfitojnë një pension në vlerë prej 204 eurosh.

Sipas Ligjit për Veteranët e Luftës së UÇK-së, janë gjashtë kategori veteranësh: invalidi i luftës, veterani luftëtar, i internuari, pjesëtari, pjesëmarrësi i luftës dhe ushtari i zhdukur i UÇK-së.

Po ky ligj përcakton se vetëm ata me statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së kanë të drejtë për pension dhe përfitime shtesë, ndërsa kategoritë e tjera gëzojnë vetëm përfitimet e tjera të parapara me ligj.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version