Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë së Specializuar për dënim me gjithsej 180 vjet burg ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se procesi gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ka shkaktuar shqetësim të thellë në Shqipëri.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social Facebook, Spiropali ka vënë në dukje se Gjykata Speciale mban një përgjegjësi të veçantë për të garantuar që gjuha, qasja dhe veprimet e Prokurorisë të mos dëmtojnë padrejtësisht luftën çlirimtare të Kosovës, historinë e pavarësisë së saj dhe dinjitetin e atyre që u angazhuan në luftën për liri.
Ministrja ka kritikuar veçanërisht kohëzgjatjen e paraburgimit të të akuzuarve, e cila tashmë ka kaluar pesë vjet pa një vendim përfundimtar, si dhe natyrën e akuzave të ngritura. Sipas saj, këto rrethana ngrenë pikëpyetje serioze mbi proporcionalitetin e masave, respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe standardet e një procesi të drejtë gjyqësor.
Spiropali ka paralajmëruar se një trajtim i ashpër dhe i njëanshëm i çështjes rrezikon të krijojë perceptimin e standardeve të dyfishta, veçanërisht kur krahasohet me mungesën e përgjegjësisë së plotë për krimet e kryera nga aparati shtetëror serb gjatë luftës në Kosovë.
“Edhe sot, shumë nga krimet e kryera nga forcat serbe mbeten të patrajtuara. Kjo pabarazi rrezikon të dëmtojë besimin në drejtësinë ndërkombëtare”, ka shkruar ajo në reagimin e saj.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme ka theksuar se drejtësia duhet të jetë e paanshme, e balancuar dhe e mbështetur në prova të pakontestueshme, duke ruajtur dallimin thelbësor mes përgjegjësisë individuale penale dhe karakterit historik të luftës për liri, e cila, sipas saj, ka gëzuar mbështetje të gjerë ndërkombëtare.
Ajo ka shtuar se vetëm një vendim i drejtë dhe në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë ndërkombëtare mund të largojë “hijen e rëndë” që, sipas saj, qëndrimet e Prokurorisë kanë hedhur mbi kujtesën historike të një lufte të drejtë dhe çlirimtare.
Në përfundim, Spiropali ka kërkuar që procesi gjyqësor të përmbyllet brenda një afati të arsyeshëm dhe me respekt të plotë të standardeve ndërkombëtare të gjykimit të drejtë, duke nënvizuar se besueshmëria e drejtësisë është thelbësore për të ardhmen e Kosovës dhe për stabilitetin e rajonit.
Republika e Shqipërisë, sipas saj, do të vazhdojë ta ndjekë nga afër këtë proces dhe mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të shtetit të së drejtës, si dhe ndaj ruajtjes së dinjitetit të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.
