Gjenerali Ded Prenga ka komentuar zhvillimet e fundit në Ballkan, duke theksuar rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe në frenimin e çdo përpjekjeje të Serbisë për të hapur një konflikt të ri me Kosovën.

Prenga vlerësoi se situata aktuale e sigurisë është më e qëndrueshme, pasi administrata amerikane ka vendosur kufij të qartë politikë dhe strategjikë për Beogradin. Sipas tij, kjo ka bërë që çdo skenar për përshkallëzim të madh të tensioneve të jetë praktikisht i mbyllur, edhe pse provokime të izoluara mbeten të mundshme.

“Ky realitet e ka detyruar administratën e Trumpit të dalë me një deklaratë të qartë, ku janë përcaktuar me pika të sakta kufijtë e lëvizjes për Serbinë. Është garantuar se konfliktet dhe hapja e një fronti të ri lufte janë të mbyllura. Kjo deklaratë ka shërbyer si një alarm për Beogradin, duke e detyruar qeverinë serbe të ndjekë një vijë politike të kontrolluar dhe të shmangë çdo provokim që do të destabilizonte rajonin,” u shpreh Prenga.

Gjenerali nënvizoi gjithashtu se Serbia, pavarësisht retorikës politike, nuk ka potencial real ushtarak dhe strategjik për të zhvilluar një luftë kundër Kosovës, sidomos në kushtet e pranisë dhe mbështetjes së drejtpërdrejtë të SHBA-së dhe NATO-s në rajon.

Në këtë kontekst, Prenga theksoi rëndësinë e procesit të njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, duke pranuar se ky mbetet një proces i vështirë për shkak të situatës politike dhe opinionit publik në Serbi. Sipas tij, rrymat nacionaliste dhe reagimet e brendshme e bëjnë të pamundur një pranim të shpejtë të realitetit, por kjo nuk e përjashton mundësinë që procesi të përmbyllet në të ardhmen.

“Çështja e njohjes reciproke nuk është ende e përgatitur politikisht në Serbi. Ka rezistencë të fortë nga opinioni publik dhe struktura të caktuara, por jam i bindur se momenti i pranimit do të vijë,” përfundoi ai.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version