Rudian Zekthi
Protesta (Raport mbi çështjen shqiptare)
-
Çfarë ka përparësi të kuptohet pikërisht tani
Edhe pse këto në ditë të para të qershorit po ndodh lehtësisht më e vështira, ajo që quhej më e vështira për të ndodhur, pra ngritja e një mase të madhe njerëzish kundër rrënimit të Shqipërisë nga një organizatë e krupshme e vetëquajtur Rilindja (përmes Partisë Socialiste – përmes Partisë së Punës- përmes Partisë Komuniste), pra po ndodh protesta, ajo që pritej, ajo që urohej të ndodhte si mundësia e vetme për ta ndalur këtë rrënim, ende megjithatë nuk është e sigurtë se kjo mirësi urgjente për të cilën ka nevojë shoqëria shqiptare, do të ndodhë, madje ka shumë dyshime se protesta në të vërtetë, nuk mundet ta bëjë këtë.
Ky kontrast i fortë midis pritshmërive dhe pasigurive të protestës, i ka mundësuar Rilindjes që edhe pas kaq ditësh diskretitimi të pashembullt, të vijojë e patrazuar sundimin e saj, duke e adaptuar protestën si realitet paralel. Dhe nuk është e vështirë të imagjinohet se nëse protesta thjesht vazhdon të riprodhojë veten e pashoqëruar nga faktorë të tjerë, mundet me të vërtetë të rezultojë si një realitet paralel, pa ndikim në fatin e qeverisjes së vendit. Dhe duke qenë se këto vite në mendjen shqiptare, Protesta ka zënë vendin e të vetmes mundësi që mund të ndryshojë të keqen shpërhapur gjithandej, është detyrë e paneglizhueshme e mendjes shqiptare, të saktësojë nëse ky projektim zhvlerësues i protestës, është në natyrën e saj, apo një anomali e përkohshme.
Duke qenë se tashmë ajo shfaqet me këtë status, si e vemja mundësi për ndryshim të gjendjes ekzistuese, gjëja e parë që duhet fiksuar është se ky është një kuptim i ri për të që ajo në origjinë nuk e ka, pasiqë në fjalorin e politikës, gjeopolitikës dhe ideologjisë, janë tjetërgjë që besohet se mund të ndryshojnë me themel gjendjen e një shoqërie, Revolta, Kryengritja, Revolucioni, Lëvizja, Komploti (Grushtshteti) dhe Puçi Ushtarak (me të cilin këtë të fundit vetëm e përmendëm dhe për arsye të vetëkuptueshme, nuk do të merremi më në vazhdim). Duke qenë se pakashumë kuptimet e këtyre termave (mesa duket edhe prej mospërdorimit prej të cilit kanë mbetur të ngrira) janë të njëjtat (e duke qenë se këto të njëjta të tyre janë të njëjta për të gjithë pjesëtarët e shoqërisë), termi i vetëm tashmë i ridisenjuar është Protesta (dhe është ky ridisenjim që ka shkaktuar kontrastin e përmendur që në fillim, midis pritshmërive dhe mundësive të saj). Ky ridisenjim sugjeron se ka ndryshuar pa e pikasur dhe pa u formuluar shprehimisht, kuptimi i mendjes shqiptare për Ndryshimin e Gjendjes së Gjërave, ndaj nga ballafaqimi i kufijve semantikë të secilit prej këtyre termave më lart, duke i dhënë Protestës vendin e termit-çelës, mundet të pikasim dhe formulojmë se çfarë sot mendja shqiptare quan Ndryshim të Gjendjes.
-
Qartësimi i koncepteve që çojnë tek kuptimi
Prej një kuptimi të përgjithshëm – jo të plotë dhe ende të pabjerrë, kuptimi i termit Protestë, nënkupton një reagim publik jo të dhunshëm, spontan, qortues -refuzues – bojkotues nga një grup pjesëtarësh të një shoqërie, ndaj një çështje të caktuar apo edhe ndaj qeverisjes a sistemit në tërësi. (Që na ndihmon menjëherë që të bëjmë ballafaqimin e parë terminologjik: Protestë është emri i ri për Demonstratën, e cila në shqipe, përgjatë shekullit që shkoi bartte kuptimin e njëjtë, term i humbur përdorimit që prej fundit të atij shekulli) (por po ashtu duhet thënë se Protesta e para saj Demonstrata janë që të dy terma modernë, të mundësuar nga shkëputja prej konceptit të Revoltës, ku akomodoheshin në paramoderne; pavarësisht dallimit që Revolta si rregull është e dhunshme dhe mund të jetë edhe e armatosur, Protesta sado joedhunshme, shihej si version i saj dhe trajtohej njëlloj me represion dhe linçim).
Por ndërsa zhbërja deri në zëvendësim që Protesta i ka bërë Demonstratës ka ndodhur në rrafsh formal dhe historik (formal, sepse ndryshon emri, shenja dhe jo kuptimi, i shenjuari; historik se Demonstratë shfaqet sot si term anakronik në raport me termin aktual Protestë, pra tregojnë në kohë të ndryshme të njëjtën gjë), zhbërja dhe zëvendësimi përmes përthithjes, që i bën Protesta serisë terminologjike Revoltë, Kryengritje, Revolucion, Lëvizje, shndërrohet menjëherë në një anomali, sepse është një përthithje në rrafshin e kuptimit, pasiqë siç thamë Protestës iu kanë mveshur turbullazi edhe atributet e të qenit efikase dhe përmbysëse.
Prandaj kuptimi popullor- i përgjithshëm i protestës nuk mjafton për të shkuar më tej në ballafaqimin me tërë serinë terminologjike përmendur më lart. Për këtë na duhet një dispozitiv bazik i plotë i Konceptit të Protestës tek i cili çdo atribut është thelbësor deri në pikën që mjafton të hiqet edhe më i vogli element konstituues, për ta destabilizuar, madje zhbërë gjithë konceptin dhe për ta bërë parazit termin. Dhe këtë dispozitiv e gjejmë në shqip, në një libër që anëtarët e kësaj shoqërie e kanënjohur dhe lexuar brez pas brezi, pa qenë e domosdoshme të njohim anglishten a të referojmë tek një bibliografi të posaçme; pra e gjejmë në trajtën e një historie mes dhjetra të tillave në Kuran, një histori që si çdo histori kuranore mund të kalohet gati pa u vënë re (me shkujdesjen se është thjesht një parabolë ilustruese apo element retorik) nëse nuk pajiset me kontekst dhe nuk inspiron aktualizim.
Në Suren Jasin (kapitulli 36 në Kuran) në ajetet 13-29, tregohet historia e një qyteti idhujtar ku Zoti çon fillimisht dy të dërguar, pasuar nga një i tretë, për t’i kthyer ata njerëz tek besimi në Një Zot, por ai popull nuk i dëgjon duke i quajtur njerëz si të gjithë të tjerët (dhe jo Të Dërguar) e madje edhe duke mohuar që ekziston një kategori e tillë si Të Dërguarit, sepse sipas tyre Zoti as nuk dërgon të tillë. Madje duke e konsideruar praninë e tyre, fjalët e tyre dhe këmbënguljen e tyre kobsjellëse, i kërcënojnë me gurëzim. Në këtë moment, nga skaji më i largët i qytetit vjen një person i thjeshtë (një artizan që merrej me prodhimin e litarëve) dhe mu në mes të pjacës qorton në tërësi bashkëqytetarët e vet që të njësuar me sistemin ekzistues të idhujtarisë, refuzonin dobinë e të vërtetës: “O populli im, ndiqni të dërguarit (…) që nuk kërkojnë prej jush kurrfarë shpërblimi dhe janë në rrugë të drejtë! Pse të mos e madhëroj Atë që më ka krijuar e tek I Cili do të ktheheni të gjithë?! Vallë përse duhet të adhuroj zota të tjerë përveç Tij? Nëse Zoti do të dëshironte të më godiste me ndonjë të keqe, ndërmjetësimi i atyre (zotave) nuk do më sillte kurrfarë dobie(…..). (…..). Unë i kam besuar Zotit tuaj, andaj më dëgjoni! (pasi populli i vet e vrau) iu tha: hyr në Xhenet! Ai tha: Ah, sikur ta dinte populli im sesi më fali Zoti im dhe më bëri të nderuar!” Kuran, 36, 20-27.
Të vihet re se të ngrihesh i vetmuar kundër së keqes, pa asnjë shok dhe pa asnjë shpresë, tek Zoti ka një vlerë shumë të madhe, praktikisht një vlerë absolute, përsaqë shkon drejtpërdrejt në parajsë dhe kjo bindje e përshkon tejetej gjithë çfarë thamë e do themi këtu, ngritja e një proteste bën pjesë tek gjërat më të mëdha fare që mund të bëjë një njeri i vetëm, pa të tjerët: nëse dëmtohet prej kësaj, midis Zemërimit të Zotit dhe dëmtuesve nuk ka asnjë pengesë.
(Po ashtu, të vihen re dy gjëra tani, që do të na duhen më vonë, kur do të na duhet të kuptojmë ngjarjet e Dhjetorit ‘90: fakti që protestuesi vritet nga turma, as nuk përmendet as komentohet, por ky informacion jepet përmes një elipse, ngaqë fjalët e fundit të tij thuhen nga Parajsa, gjë që nënkupton se ky linçim ishte i pritshëm a i pashmangshëm, dhe se pra dëmtimi deri asgjësimi prej sistemit kur del e proteston paqësisht kundër tij, është në natyrën e gjërave, gjëja më e pritshme për të ndodhur; po ashtu të vihet re kapaciteti i madh empatik i këtij personi, që edhe me vdekjen e vet kërkon të ndërgjegjësojë popullin e vet, e praktikisht ata që e vranë.)
Kurse përfitimi më i madh dhe më i drejtpërdrejtë që marrim nga kjo narrativë kuranore, ka të bëjë me faktin se tek akti vetekspozues i këtij personi, gjendet e esencializuar Protesta në vetvete: një reagim apo qëndrim publik, spontan, intervalor, joidhunshëm, qortues-refuzues, që nuk varet nga numri (mjafton një njeri), që nuk llogarit suksesin por vetidentifikimin refuzues ndaj sistemit, dhe që duke vetekspozuar brishtësinë e vet dorëzon ekzistencën e vet,i gatishmërinë për t’u sakrifikuar.
Konsiderimi i këtij dispozitivi narrativ si baza e konceptit, na tregon jo vetëm se çfarë një protestë është, por edhe çfarë ajo s’mund të jetë dhe madje edhe se çfarë s’duhet të jetë.
Kështu protesta nuk mund të jetë e dhunshme, sepse dhuna e shndërron në një gjë tjetër (në njërën prej Revoltës, Kryengritjes apo Revolucionit); nuk mund të jetë e programuar (se kjo e ekspozon përballë një shndërrimi me dy alternativa, ose Komplot nëse programuesit janë të fshehtë, ose Protestë e Rreme nëse programuesit janë të deklaruar); nuk mund të jetë e vijueshme në kohë (sepse shndërrohet në Lëvizje) vetëkuptueshmërisht nuk mund të jetë përgëzuese (do të ishte haptazi kontradiktë në term); nuk ka nevojë medoemos për masifikim (do të shndërrohej në Lëvizje a Revolucion), nuk ushqen pritshmërinë e ndryshimit të gjendjes së gjërave në terren (sërish do të lëvizte drejt Kryengritjes, Revolucionit apo Lëvizjes), nuk llogarit të ketë garanci sigurie përballë armiqësisë së pritshme të sistemit (në këtë rast do të shndërrohej nga Protestë në Komplot).
-
Protesta e dhjetorit ‘90
Është e qartë pra se mënyra sesi flitet, sesi kuptohet dhe se çfarë pritet prej protestës këto ditë, nuk ka të bëjë me thelbin e konceptit të Protestës, por është një konfondim masiv i shumëfishtë, që përdor si term Protestën kur në të vërtetë ka për qëllim të flasë për Revoltën, Kryengritjen, Revolucionin, Komplotin a Lëvizjen (sipas rastit veçeveç a njëherazi për të gjitha).
Mesa duket ky konfondim dhe nami i mirë i Protestës në mendimin shqiptar e ka zanafillën tek klasifikimi në zhanrin e protestës, i Lëvizjes që në fillim të viteve ’90 të shekullit të shkuar, kulmoi me rënien e regjimit komunist, e cila pra njihet gjerësisht edhe si Protesta e Studentëve. Në fakt për këtë ngjarje, ka patur gjithmonë një luhatje terminologjike mes termave Lëvizje dhe Protestë, duke u përdorur këmbyerazi mes vetes, por me kalimin e kohës duket se termi Protestë u bë më dominues. Mirëpo ky emërtim incidental (rrethanor), përmes fqinjërimit të gjatë (deri në fërkim) me termkonceptin Lëvizje, ndërbarti tek koncepti i Protestës atributin e suksesit a efikasitetit sëpaku (se madje edhe atributin e përmbysjes), që siç thamë Protesta në origjinë nuk i ka.
Kjo ndërbartje ndodhi pa u pikasur e për pasojë pa u rishqyrtuar më, dhe për më tepër, pa u vënë kundruall serisë terminologjike të së njëjtës gjini (Demonstratë, Revoltë, Kryengritje, Revolucion) duke u bërë një term absolut deri në pikën që praktikisht i ka bërë të panevojshme termat (me konceptet përkatëse) e tjerë.
Në fakt është një konfirmim historik që pas protestave studentore të viteve 1990-1991, me të vërtetë mori fund një sundim 50 vjeçar dhe ndërroi edhe sistemi, gjë që na shtyn drejt heqjes dorë nga tezat që kemi mbrojtur deri më këtu. Gjë që do të ishte një kollajllëk i pafalshëm, sepse në fakt suksesi i atyre ngjarjeve nuk shpjegohet me potencialin e protestës, por me dy faktorë të tjerë. Së pari, vazhdojmë të pohojmë në përputhje me dispozitivin tonë, që për një një sistem, nevoja për t’u konservuar është më e madhe se çdo nevojë tjetër, e pakrahasueshme me asgjë të ngjashme në rendin e qenieve, ku nevoja për mbijetesë e konservim, sabotohet nga sëpaku dy nevoja të tjera: nevoja për dinjitet dhe nevoja për sakrificë.
Ndaj në një sistem autonom – të vetëmjaftueshëm, çdo perceptim rreziku çon në reagim ekstrem për çdo rast, përpos perceptimit të një rreziku më të madh. Në të kundërt, nëse sistemi nuk është i vetëmjaftueshëm, por i kushtëzuar nga një makrosistem, atëherë një protestë e brendshme mund të mos brutalizohet nga sistemi, në emër të një rreziku më të madh siç është humbja e mbështetjes prej makrosistemit.
Protesta e tetorit 1961 në Paris e mijëra algjerianëve francezë kundër politikës zyrtare franceze në Algjeri, u shndërrua në masakër, me të paktën 200 të vrarë e mbytur në Senë, me shtypin dhe opinionin publik botëror që mbyllën sytë ndaj saj: ata thjesht u asgjësuan, sepse ajo ishte thjesht (puro) një protestë brenda një sistemi autonom, apo më saktë një sistemi në sinergji me makrosistemin. Protestat në sheshin Tien An Men në Kinë, në qershor 1989 u mbyllën me ndërhyrjen e ushtrisë dhe me masakër (sëpaku 700 të vrarë): sistemi kinez bëri çfarë pritej prej tij, asgjësimin e protestuesve dhe protestës pasi Kina sigurisht është një sistem i mbyllur, i vetëmjaftueshëm dhe autonom në raport me makrosistemin. Po ashtu protestat e disamuajve më parë në Iran, u shtypën me dhunë e represion që çuan në vdekjen e sëpaku 7000 vetave, pasiqë Irani është po ashtu një sistem i pakushtëzuar nga makrosistemi. Protestat Black lives matter në SH.B.A në majqershor 2020, u shtypën me vrasjen e 19 protestuesve prej forcave të rendit, pasiqë Amerika është sistem autonom i vetëmjaftueshëm, që madje e kushtëzon makrosistemin dhe nuk kushtëzohet prej tij. Ndërkohë që protestat e studentëve shqiptarë në fillim të viteve 1990, ndodhën në një sistem të kushtëzuar nga makrosistemi, i cili makrosistem i asistoi dhe inkurajoi ato (e megjithatë megjithëse paqësore pati disa të vdekur, si 4 të vrarët në Protestën e 2 Prillit në Shkodër, edhe pse sistemi ishte në mëshirë të miratimit nga makrosistemi dhe nuk kishte asnjë siguri se brutalizimi do t’i sillte ndonjë përfitim). Pra, kjo varësi e sistemit nga një makrosistem jodashamairës ndaj tij, është faktori i parë që mund të bëjë një protestë të suksesshme, por ky është një përjashtim dhe jo rregulli (nëse pjesëmarrësit e protestës e përllogaritin këtë, kjo lëviz midis të qenit nga Protestë e Rreme në Komplot).
Kurse faktori i dytë, ka të bëjë me zgjatshmërinë e garantuar të saj: një Protestë nëse masivizohet në mënyrë eksponenciale dhe sidomos nëse zgjatet në kohë pavarësisht represionit, e sidomos pavarësisht të vrarëve, pikërisht përmes të vrarëve mund të shkaktojë një efekt perturbues në materialin njerëzor të shoqërisë, saqë s’është më e njëjta gjë dhe shndërrohet e nga Protestë bëhet Lëvizje. Me të cilën protesta ka shumë atribute të përbashkëta, përpos që Protesta vetëm okazionalisht mund të jetë masive, kurse Lëvizja detyrimisht kërkon masifikim; dhe po ashtu Protesta nuk niset vërtet nga premisa se mund të çojë në ndryshim të gjendjes, kurse Lëvizja parasëgjithash frymëzohet nga ky qëllim fiks. Këto dy dallime midis Protestës dhe Lëvizjes janë kaq të qarta dhe decizive vetëm në letër apo në gjendje prehje, sepse në një situatë dinamike ato janë aq kollaj të lëvizshme, në kuptimin që me shtimin e madh të pjesëmarrësve apo me frymën që mund të krijohet nga shembujt e rezistencës ndaj represionit, pa kuptuar Protesta bëhet Lëvizje, pa e ndarë pjesëmarrësit ku mbaroi njëra e ku fillon tjetra, siç ndodhi në fakt me Ngjarjet e Dhjetorit 1990 e sëpaku gjysmës së parë të vitit 1991 (siç e thamë që në fillim, për këtë periudhë përmenden edhe sot këmbyerazi termat Protestë dhe Lëvizje dhe ne sapo qartësuam përse). Mirëpo paqartësia që e ka shoqëruar këtë ndërkëmbim, ka bërë të mundshme konfondimin bazë, që e projekton Protestën fillimisht si gjëja që ndryshon gjendjen, e në vazhdim si e vetmja gjë që e bën këtë.
Po mirë, mund të na thuhet që kjo dinamikë ndërshndërruese mes Protestës e Lëvizjes është e parëndësishme, ky është një problem pedanterie krejt pa vlerë praktike, sepse tekefundit për të patur një Lëvizje qenka normale të fillohet nga një Protestë, prandaj etja për Protestë me çdo kusht është e natyrshme dhe pritshmëritë prej saj të arsyeshme (dhe kështu siç jemi, jemi duke bërë atë që u dashka bërë). Nëfakt mendjelehtësinë dhe damin përkatës jemi duke qortuar këtu: mendjelehtësinë e dyfishtë të mosvëniesre që Protesta nuk çon medoemos në Lëvizje dhe të mosvëniesre të faktit që Lëvizja nuk është vetëm një përftim potencial i një proteste, por mund të përftohet si e tillë nga fillimi deri në fund (dhe Protesta të jetë vetëm një ndjekëse intervalore e saj); damin e dyfishtë të humbjes edhe të mundësisë së Protestës (posaqë kjo pretendohet të zëvendësojë të gjithë serinë terminologjike, ka zëvendësuar edhe veten duke u bërë një gjë tjetër) dhe të humbjes së mundësisë së shoqërisë për më në fund një Lëvizje, të pavarur nga Protesta a që e paraprin Protestën.
-
Protesta e Qershorit 2026
Këto dy mendjelehtësi dhe këto dy dame janë në fakt masa e telasheve me të cilët përballemi tamam tani, kur protesta e kësaj vere është ende në zhvillim.
Duke qenë se ndër ne duket se as nuk ekziston koncepti i Lëvizjes si pjesë e repertorit në dispozicion të shoqërisë për të ndryshuar, konfondimi që bie më shumë në sy këto ditë këto ditë, është ai mes Protestës e Komplotit, megjithëse termi Komplot nuk artikulohet shprehimisht, implikim që edhe shkruesi i këtyre rreshtave e konsideron real dhe jo si mundësi për të bërë autoironi me teori konspirative. Sepse ka të dhëna të mjaftueshme që sugjerojnë se Protesta e Qershorit 2026, është e premedituar nga faktorë në prapaskenë, kalkulimet e të cilëve mbështeten tek pakënaqësia dhe mëria transversale e shoqërisë shqiptare ndaj fashizmit që po i troshit prej 13 vjetësh. Ekzistenca e inxhinierëve të protestave është e vjetër sa shoqëria njerëzore (e nëse e mohojmë ekzistencën e tyre është njësoj si të mohojmë që ekziston e keqja dhe kreativiteti i saj), e në këtë rast nëse siç duket ka patur një inxhinierim inicial, do të thotë se Rilindjes goditja i ka ardhur nga miqtë e vet, si pasojë e lëvizjeve të shëmtuara e krejt të paprincipta gjeopolitike të vetë Rilindjes. Pamja e tmerrshme e kreut të Rilindjes me terrorin e gdhendur në portret, gjatë bisedës live me kreun e Shtëpisë së Bardhë në Samitin e Bordit të Paqes, na zbuloi të gjithëve dy gjëra: (sesi, sesa më shumë dinjitozë jemi të gjithë krahasuar me atë që na qeveris) dhe sesi, si halli i vet është i vetmi që prodhon realisht një emocion të vërtetë në mimikën e tij (e halli i vet është i vetmi pasion që ka, për aq sa koketon si njeri pasionant, pa e ditur që edhe të gjithë veset janë pasione). Është tek ky tmerr ku e ka zanafillën afera e Zvërnecit, afera e një kleringu hibrid: këmbim i territorit me emocionet (me njërin prej tyre, këndelljen, si e kundërta e terrorit). Edhe markimi special i protestës nga mediat më të mëdha botërore, mund të jetë mjaftueshëm provë se protesta është vetëm një stratagjemë në konjukturën e një lufte globale për ndikim dhe dominim.
Mirëpo paradoksalisht, dyshime se protesta është e kalkuluar, për pjesëmarrësit e vetë protestës, janë një arsye më shumë për ta ushqyer protestën: largimi në këtë mënyrë (me protestë të premedituar pra komplot), i njeriut që shet gjithçka për të shpëtuar veten “pasionante”, me të vërtetë e fuqizon të keqen globale që thamë se ndër të tjera konfeksionon protesta, por s’ekziston mundësia për të zgjedhur e njëri prej dëmeve është i pashmangshëm, sepse mbrojtja e këtij njeriu dhe mbajtja e tij në pushtet, me siguri e fuqizon akoma edhe më shumë këtë të keqe.
Kështu e mundshme për të qenë, protesta s’është tjetër veçse pamja e dukshme e një realiteti okult, ku nën ndërmerren veprime shantazhuese ekstra, për ta dëmtuar këtë sundim, për ta dobësuar dhe çmontuar atë, e nëse kjo ndërprerje e nafakës së Rilindjes me të vërtetë ndodh, më në fund do të kemi për një copë herë një moment mirësie për shoqërinë shqiptare, paçka se kjo do t’i mvishet në mënyrë të rreme ndikimit të protestës ( e në fakt në të njëjtën kohë ky sukses, provë e sigurtë që protesta ishte pavetëdijshmërisht komplot) (suksesi potencial i Protestës së Qershorit 2026 do të akomodohej në të njëtën kategori me atë të Protestës së Dhjetorit ’90, pra në luhatjen e midistëqenit Protestë e Rreme (Blof) a Komplot).
E kështu njësoj si në rastin e Protestës së Dhjetorit ’90, në realitetin pasprotestës, do të dëmtohet kapaciteti i mendjes shqiptare për të menduar kthjellët dhe finalizuar saktë, duke e përforcuar statusin e rremë të Protestës si të vetmen rrugë që mundëson ndryshimin e gjendjes për mirë.
Dhe ky është dëmi i parë (shih në fund për dëmin e dytë) që (mund) – duhet ta shmangim: fill pas protestës, sido që të përfundojë ajo, ne të mbijetuarit prej “suksesit të saj” duhet të vazhdojmë jetën tonë të përbashkët, pa iu rikthyer më rrugës së derikëtushme obsesive se zgjidhja e problemeve bëhet përmes Protestës, por duke u kthjelluar më në fund se e vërtetë është pikërisht e kundërta (obsesion që paradoksalisht e ka bërë shoqërinë shqiptare një prodhuese të madhe protestash, mund të jemi shoqëria ku është protestuar më shumë gjatë këtyre viteve, përfshirë protestat periodike të opozitës së rënë në të njëjtin kurth të bindjes së rreme, se nëse nuk proteston nuk e ndryshon dot gjendjen) (ngaku s’mund të mos shfaqet paradoksi: në këtë vend asgjë nuk ka ndryshuar derimëtani pikërisht ngaqë kemi protestuar, apo s’kemi përfytyruar mundësi tjetër përveç Protestës).
Gjë që na përball me dëmin e dytë: mospërfshirja e Lëvizjes në repertorin e mundësive në dispozicion për të ndryshuar gjendjen e shoqërisë dhe për të neutralizuar damet kolateral të sistemit. Sepse obsesioni për protestën, nënkupton edhe shpresën se me rezistencën, sakrificat, frymën, masifikimin, ajo do të shndërrohet më në fund në Lëvizje, pra të paguhet një e të merren dy (pra ta fitohet Lëvizja falas, si dhuratë). Sepse ndryshe nga Protesta që është shprehje e beftë e qortimit, frustrimit dhe nevojës për emocione begatuese, Lëvizja në versionin e saj bazë (sepse shfaqja e Lëvizjes si forma e fundit e një proteste që zgjat dhe shumohet – ajo për të cilën kemi folur derimëtani-, është versioni i saj i prejardhur) më shumë se shprehje e një emocioni, duhet të jetë shprehje e një vizioni – botëkuptimi tjetër nga ai i sistemit dhe që me të cilin kërkon të ndërtojë një sistem të ri dhe jo thjesht të limitojë a thjesht të korrigjojë ekseset e sistemit ekzistues. Këtë synon ta arrijnë përmes një përpjekje të pambarimtë në fushën e kutimeve dhe bindjeve duke pasur si motivacion të mjaftueshëm shfrytëzimin e çdo mundësie për të zhvlerësuar të pavlerën dhe për të lartësuar të vlefshmen dhe të vërtetën; krijimi i tensionit dhe tërheqja e mërisë jo vetëm të establishmentit por edhe të shoqërisë në përgjithësi janë konstante që e shoqërojnë këtë përpjekje.
Po ashtu, ndryshe nga Protesta që është qëndrim spontan dhe intervalor (injëcopëhershëm) ndaj arbitraritetit apo padrejtësisë, Lëvizja është për nga natyra antiintervalore, kërkon vijimësi, këmbëngulje, vullnet, kapacitet për të pësuar, përkushtim tërësor të jetës në fuksion të vetëm një qëllimi: të ndryshosh gjendjen e gjërave. (Për pasojë të investohet tek Protesta për të mbërritur tek Lëvizja, limiton në maksimum kostot që do të duheshin për t’ia bërë Lëvizjes të gjithë shërbimet nga e para: do të thotë se synon të marrësh sa më shumë duke dhënë sa më pak).
-
Si ndryshon gjendja e një populli
Këto dallime mes Protestës dhe Lëvizjes, vërehen qartë tek dispozitivi narrativ kuranor, ku ajo çfarë po bënin tre të dërguarit ishte një Lëvizje, së cilës iu agregua befas në një moment Protesta e besimtarit që linçohet. Dhe në fakt gjithë ajo që kanë bërë profetët në përpjekje për ta kthyer secili popullin e vet tek Zoti i Vetëm, përbën në thelb atë që ne këtu po e quajmë Lëvizje, ose ndryshe e thënë, ajo që në kohën tonë quhet Lëvizje, s’është tjetër vetëm se adaptim i metodës profetike e për pasojë (në fakt edhe siç na rezultoi deduktivisht) metoda më e mirë për të bërë të mundshme ndryshimin e gjendjes së një populli. Metoda më e mirë nuk do të thotë medoemos metoda e garantuar, sepse çështja e ndryshimit të gjendjes dhe zëvendësimit të sistemit, është më e madhja dhe e vështira e çështjeve, me marzh shumë të ulët efikasiteti, por do të thotë e vetmja rrugë padhunë që e shmang për një thërrime projektimin si utopi, dhe në të kundërt (nëse nuk e arrin qëllimin) e vetmja që dëshmon të vërtetën për këdo pjesëmarrës, pra që dëshmon sesi secili bëri maksimumin tek ajo që di të bëjë më mirë, përkatësisht tek historia kuranore: besimtarët tek e mira, kurse idhujtarët tek e keqja.
Përgjatë gjithë historisë së njerëzimit gjen raste të asaj që sot quhet Lëvizje; Lëvizja e kristianëve të parë nën represionin e Perandorisë, Lëvizja e Profetit Muhamed a.s. dhe shokëve të tij në Mekë, po ashtu Protestantizmi është frut i një Lëvizjeje, Lëvizja Iluministe e shekullit XVIII, Lëvizja Romantike, Lëvizja Komuniste Botërore që nga vitet e fundit të shekullit XIX e përgjatë tre çerekëve të parë të shekullit XX, Lëvizja Feministe, Gandizmi, Lëvizja për Barazi e Zezakëve në Amerikë prirë nga Luter Kingu, Pranvera Arabe e fillimshekullit tonë, (ndërsa ndër shqiptarët) Lëvizja Nacionaliste Shqiptare e fundshekullit XIX – fillimshekullit XX (e ashtuquajtur Rilindja Kombëtare), Lëvizja e Grupeve Komuniste e viteve ’30, Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë (edhe pse nën rrezik të fortë kompromentimi nga mënyra sesi vetëvendoshmërisht po merr çehren e sistemit) (ndërkohë Lëvizja Bashkë në Shqipëri, nuk mund të jetë Lëvizje duke u mbështetur vetëm tek aktivizmi inicialist i lavdërueshëm, pa e ekspozuar doktrinën, përkatësisht vizionin sesi duhet të jetë konfigurimi institucional dhe kulturor që e prosperon shoqërinë shqiptare)
Mungesa në shoqërinë shqiptare e një lëvizje shpërndërruese për sistemin politik dhe kulturor të këtyre 35 vjetëve, neoliberal neokolonialisht: ky është problemi më i madh që kemi. Kjo mungesë nuk mund të kompensohet as me protesta gjenuine, as me shpresa të papëlqyeshme se protestat do të ndjellin komplote gjeopolitike të favorshme e do të na çlirojnë nga e keqja: përmes një komploti ose jo, e suksesshme ose jo, nuk është e rëndësishme protesta në vetvete, por nëse do të ndjellë ajo mëpas një Lëvizje, që në kushtet neutrale të mungesës së protestës, të vazhdojë frymën e saj e të marrë përsipër aspiratat më të mira të saj.
I cili ky merak vetë, para gjithçkaje do të paraqitet si problem logjistik dhe jo programor: a ka njerëz, a ka një grusht njerëzish, që do të marrin përsipër barrën e Protestës, pas protestës, pa protestë. Se ky është dëmi i dytë që duhet të shmangim: fill pas protestës, sido të përmbyllet ajo, tek të mbijetuarit prej “suksesit të saj”, a do të shfaqet (para se të shfaqet madje nevoja e Lëvizjes) një grup i vogël që të marrë përsipër barrën që frymën e mirë dhe pritshmëritë e lavdëruara të protestës, t’i hedhë si përgjegjësi mbi vete, të angazhohet se do t’i shërbejë atyre, duke qëndruar vetë jashtë sistemit e pavarësisht faktit se kush e ka atë – sistemin, për ta qortuar dhe humanizuar, dhe për t’i bërë të mundshëm mendjes shqiptare përfytyrimin e mundësisë së një sistemi portativ, pesha e të cilit nuk është më e madhe se e shoqërisë, burrave e grave të saj, brezave të saj, vlerave universale të drejtësisë dhe zhvillimit dhe të nevojës për t’u kultivuar prej Zotit dhe jo prej sistemit.
Përpos që duhet ditur medoemos edhe kjo: jo vetëm relacioni mes Protestë dhe Lëvizjes nuk është statik, por të gjithë relacionet e serisë terminologjike, në kushte dinamike bëhen transaksionale, pra në veprim e sipër të gjitha ato mund të shndërrohen në njëra – tjetrën, se jo vetëm Protesta mund të shndërrohet në Lëvizje, por edhe Revolta në Kryengritje a Revolucion, Kryengritja vetë po ashtu sigurisht në Revolucion, por edhe Lëvizja me zgjatjen dhe konsolidimin e saj, do përballet me detyrimin madje të bartet në Revolucion (me ndërmjetësimin e një Revolte a Kryengritje, apo Drejtpërdrejt, për këtë nuk ka një formulë). Pra Lëvizja, me të vërtetë nga gjithë sa thamë derimëkëtu është e pëlqyeshme dhe e tolerueshme pasiqë është një përpjekje paqësore për ndryshim, por sikurse e thamë njëherë, sistemi në vetvete zotëron vetëm një mjeshtëri: të mbijetojë me çdo kusht e të mos vetëabrogohet, që do të thotë se nëse me të vërtetë vjen një moment ku me sy të lirë dallohet se sistemi është në zgrip, do të duhet pashmangshmërisht një përdorim sadokudo i forcës për të plotësuar argumentin e fundit pse duhet të bjerë.
Prandaj qartësia në shquarjen e dallimeve mes Protestës dhe Lëvizjes është thelbësore: një Protestë, e cila vetëm okazionalisht mund të kthehet në Lëvizje, nuk e përballë asnjëherë shoqërinë me dilemën sesi duhet të sillet me opsionin e përdorimit të forcës për të ndryshuar gjendjen e gjërave (a thua se forca është e përjashtuar apriori), kurse një Lëvizje jo që herët, por në një moment të vonë të saj, kur të arrijë pjekurinë (nëse e mbërrin dot) pashmangshmërisht do të çojë në shqyrtimin e përdorimit të forcës si shteg i detyrueshëm i daljes nga skena të sistemit ekzistues. Në këtë kuptim, duke qenë se cilikush do me të vërtetë të zëvendësojë një sistem duhet ta dijë se forca është pjesë e repertorit të mjeteve për ta bërë këtë, Lëvizja është mënyra më e mirë, se ajo është e vetmja që e shtyn forcën gjithmonë për më vonë (siç duhet të shtyjë pambarimisht tundimin për t’u kooptuar në sistem) dhe e vetmja që kur shtyrja s’mundet më, synon përdorim sa më të kontrolluar të saj.
Ngavetëmprejkëtu mund t’i japim përgjigje çështjes të ngritur në fillim, pra se çfarë mbahet parasysh në mendjen shqiptare kur shqyrtohet Ndryshimi i Gjendjes: (në dy nivele) një ndryshim që kalon përmes impenjimit total dhe sakrificës (Lëvizja), apo një ndryshim i realizuar me përpjekjet më të vogla të mundshme (Protesta); dhe një ndryshim që limiton damet dhe ndëshkon ekseset (Protesta), apo një ndryshim që synon rivitalizimin e gjithë shoqërisë (Lëvizja) në një përpjekje që s’mbyllet kundër sistemit, që e ka në natyrë që nëse fiton përparësi mbi shoqërinë, nuk ndalet më drejt kulmit të tij, që s’është tjetër veç të shkatërrojë të vërtetën.
Epilog
Mënyra më e mirë për t’i përmbyllur këto shënime është një nga fjalimet e Protestës në zhvillim, mbajtur më 12 qershor nga aktivisti Gerdi Demneri, fjalim me çdo fjalë të të cilit pajtohet edhe shkruesi i këtyre rreshtave për shkak të kuptimit në thelb të njëjtë mes çfarë kemi sjellë këtu, dhe këtij fjalimi:
Sot jemi mbledhur këtu si qytetarë për të cilët përballja me padrejtësinë është shërbimi më i madh që mund t’i bëjmë shoqërisë. Mes nesh ka njerëz me bindje të ndryshme politike, shoqërore e fetare, por na bashkon një gjë e madhe: bindja se e mira e përbashkët nuk duhet lënë në mëshirën e arbitraritetit, padrejtësisë, dhunës.
Edhe ne si muslimanë jemi këtu, për të plotësuar obligimin në të cilin na ka vendosur Zoti, për të qëndruar në anën e drejtësisë. Feja jonë na mëson të mos pajtohemi me padrejtësinë, të mos heshtim kur cenohet e drejta dhe të jemi dëshmitarë të së vërtetës me drejtësi e përgjegjësi. Prandaj prania jonë këtu është pjesë e një detyrimi moral: të mos rrimë mënjanë kur preket e mira e përbashkët.
Ne nuk besojmë se protesta, në vetvete, është zgjidhja e plotë e problemit. Zgjidhja nuk lind vetëm nga një shesh, nga një thirrje, nga një ditë zemërimi apo nga një çast i fortë reagimi. Protesta nuk ndërton vetë institucione të drejta, nuk pastron vetë korrupsionin dhe nuk e shëron vetë shoqërinë. Por protesta është një moment vërtetësie. Ajo është një zgjim. Një shkundje. Një kujtesë se populli nuk është turmë pa zë, por bashkësi njerëzish me dinjitet, me ndërgjegje dhe me të drejtë për të marrë fatin e vet në dorë.
Detyra jonë nuk mbaron sot, nuk mbaron me fundin e protestës, cilado qoftë masa e suksesit të saj. Në fakt jam këtu për të kërkuar prej cilido që është sot në shesh, sesa është i gatshëm që këtë përgjegjësi ndaj së mirës së përbashkët, ta shndërrojë në angazhim të përhershëm deri në fund të jetës së tij. Nëse kjo protestë nuk kultivon tek një pjesë prej nesh nevojën për të qenë gjithë kohës në raport refuzimi apo protestimi të vazhdueshëm ndaj padrejtësisë, atëherë frutet e saj do të përvetësohen nga më të këqijtë e kësaj shoqërie dhe kjo nevojë fisnike për drejtësi do të humbasë akoma pa marrë formë. Pra ruajtja e dobisë së protestës pas rrëzimit të despotit, para se të ketë të bëjë me ekzistencën ose jo të një programi, ka të bëjë më ekzistencën ose jo të një grupi burrash që e shndërron në qëllim të jetës së vet protestimin dhe refuzimin e padrejtësisë, pa qenë vetë në pushtet dhe pa marrë parasysh se kush është në pushtet.
Prandaj ne si muslimanë angazhohemi që të mos jemi thjesht pjesë e një proteste, por pjesë e një përpjekjeje më të thellë për rindërtimin e shtëpisë sonë të përbashkët, të vendosur që kjo valë reagimi të mos shuhet si zhurmë çasti, por të bëhet fillim i një përpjekjeje më të madhe për drejtësi, dinjitet dhe rindërtim moral të jetës sonë publike. Dhe ne si muslimanë besojmë sipas frymës së Kuranit se sikurse padrejtësia është frut i hidhur i bjerrjes së marrëdhënies me Zotin, drejtësia dhe mirësia janë frutet më të mira të ripërtëritjes së marrëdhënies më Zotin.
