Pensionistët në Kosovë kanë filluar të marrin pensionet e tyre me një rritje prej 20 për qind që nga muaji tetor.

Megjithatë, kjo rritje është pritur me skepticizëm, pasi shumë pensionistë dyshojnë se këto shtesa do të munden të mbulojnë shpenzimet e tyre për shkak të inflacionit të lartë që ka prekur vendin në vitet e fundit.

Selatin Kllokoqi, nga organizata Demokracia Plus, në një prononcim për, theksoi se pensionet bazike prej 120 eurosh janë të pamjaftueshme për pensionistët.

“Është një gjë pozitive që pensionet janë rritur; çdo rritje është e mirë, pasi ato janë të pamjaftueshme. Megjithatë, duke marrë parasysh inflacionin e lartë të viteve të fundit, kjo rritje nuk mjafton për të mbuluar nevojat e pensionistëve. Duhet të punohet që pensionistët të indeksohen së paku në përputhje me inflacionin dhe rritjen ekonomike. 120 euro nuk janë të mjaftueshme për një individ të moshuar”, shpjegoi ai.

Kllokoqi vlerëson se ndihma e ofruar për pensionistët nuk është e mjaftueshme dhe theksoi nevojën për përpjekje më të mëdha për të siguruar një pleqëri më të qetë për ta.

Nga ana tjetër, Departamenti i Pensionistëve në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve njoftoi se numri i pensionistëve që marrin pensione bazike ndryshon çdo muaj.

“Ky numër ndryshon nga muaji në muaj, duke u bazuar në ata që dalin në pension ose në ata që u ndërpriten pensionet për shkak të vdekjes ose rrethanave të tjera sipas ligjit. Sidoqoftë, për muajin tetor 2024, numri i pensionistëve që përfitojnë pensione bazike është 153,383”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në të njëjtën kohë, Jeton Dema nga Trusti Pensional i Kosovës njoftoi se aktualisht ka mbi 14 mijë pensionistë që janë duke marrë pensione kontributdhënëse.

Ai gjithashtu dha informacione për numrin e kontribuuesve që kanë tërhequr kursimet që nga krijimi i Trustit.

“Siç qëndron aktualisht, në shtator 2024, ka 14,260 pensionistë që janë duke marrë pensione nga Trusti. Po ashtu, deri tani, rreth 80 mijë kontribuues kanë tërhequr kursimet e tyre nga Trusti”, tha ai.

Sa i përket rregullave për tërheqjen e kursimeve pensionale, ato janë si vijon:

Sipas legjislacionit në fuqi, i cili nuk ka pësuar ndryshime për vitin 2023, kursimet pensionale mund të tërhiqen nga Fondi për Kursime Pensionale të Kosovës (FKPK) nga kontribuuesi ose trashëgimtari në rastet e mëposhtme:

a) Kur arrihet mosha e pensionit (aktualisht e caktuar në 65 vjeçare);

b) Kur ekziston një certifikatë invaliditeti nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale;

c) Në rastet kur ndodhin vdekje para pensionimit, në të cilin rast trashëgimtarët ligjorë kanë të drejtë të tërheqin të gjitha kursimet e akumuluara;

d) Në rastet kur shtetasit e huaj kanë paguar kontribute pensionale, duke mos qenë të obliguar ligjërisht që t’i paguajnë në FKPK.

Si mund të tërhiqen kursimet?

Programi i Tërheqjes në Faza (PTF) u lejon përfituesve të tërheqin çdo muaj nga €200 ose 1% të bilancit të tyre në momentin e pensionimit (varësisht nga bilanci: deri në 20 mijë euro nga 200 euro dhe mbi 20 mijë euro nga 1%), derisa të shterojnë të gjitha kursimet.

Përfituesit kanë mundësinë të zgjedhin njërën nga pesë bankat që ofrojnë shërbimin PTF: NLB Prishtina, Banka për Biznese, Banka Ekonomike ose Banka Kombëtare Tregtare (BKT), duke përfituar kështu nga një trajtim specifik sipas kontratës së FKPK-së me këto institucione financiare. Kontribuuesit që tërheqin kursimet pas arrijes së moshës së pensionit kanë mundësinë të marrin 0% ose 20% të kursimeve në një pagesë, ndërsa shuma tjetër do të shkojë në PTF.

Programi i Tërheqjes së Menjëhershme – Nëse një kontribuues ka më pak se €3,000 në llogari, atëherë e gjithë shuma tërhiqet me një pagesë të vetme.

Tërheqjet për arsye të invaliditetit dhe vdekjes – Kontribuuesit që tërheqin mjetet për shkak të invaliditetit do t’i marrin kursimet përmes programit PTF në shumën prej €200 deri në:

i) periudhën që përfundon invaliditeti i tyre; ose
ii) derisa të shterojnë kursimet e tyre – cilado ndodhi e para.

Përfituesit e kontribuuesve të ndjerë mund të zgjedhin të tërheqin të gjitha kursimet menjëherë ose t’i transferojnë ato në llogarinë e tyre të kursimeve pensionale në FKPK. Çdo rast të tërheqjes i nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat, sipas legjislacionit në fuqi.

Tërheqja minimale mujore dhe pragjet e tërheqjes përcaktohen nga Rregulloret e Bankës Qendrore të Kosovës.

Megjithatë, vendimi i Qeverisë për rritjen e pensioneve ka marrë kritika nga partitë opozitare, të cilat e shohin këtë masë si një strategji për t’u fituar votat në zgjedhjet e planifikuara për shkurt të vitit 2025.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version