Një epokë e re po fillon për udhëtimet në zonën Schengen! Bashkimi Evropian ka njoftuar se sistemi i ri i kontrollit kufitar, i quajtur sistemi i hyrje/daljes (EES), do të nisë zbatimin në tetor. Kjo do t’i japë fund vulosjes së pasaportave dhe do të sjellë ndryshime thelbësore për udhëtarët nga vendet jashtë bllokut evropian.
Pse u vonua dhe kur fillon saktësisht?
Sistemi EES ishte parashikuar të hynte në fuqi në nëntor të vitit të kaluar, por u shty në momentet e fundit pasi disa shtete anëtare nuk ishin ende plotësisht të gatshme për ta zbatuar.
Tani, komisioni evropian ka vendosur 12 tetorin e vitit 2025 si datë zyrtare për nisjen e operacioneve. Nga kjo datë e tutje, EES-ja do të zbatohet gradualisht në kufijtë e jashtëm të 29 shteteve evropiane, për një periudhë gjashtëmujore. Ky zbatim gradual do t’u japë autoriteteve, pasagjerëve dhe industrisë së transportit më shumë kohë për t’u përshtatur me procedurat e reja, sipas BE-së.
Kë do të prekë sistemi i ri?
Sistemi EES, i krijuar në nëntor të vitit 2017, ka pasur disa shtyrje në zbatimin e tij. Ai pritet të vlejë për rreth 60 vende, përfshirë Kosovën, vendet e ballkanit perëndimor, si dhe zvicrën, norvegjinë, islandën dhe lihtenshtajnin, të cilat janë pjesë e zonës Schengen.
EES-ja do të regjistrojë datën e hyrjes dhe daljes së vizitorëve dhe do të mbajë të dhëna për qëndrimet e tejzgjatura dhe hyrjet e refuzuara. Ajo që është më e rëndësishmja, udhëtarëve do t’u mblidhen të dhënat personale dhe biometrike – fotografitë e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve. Kjo nuk do të jetë problem për vendet e ballkanit perëndimor, pasi pasaportat e tyre janë biometrike dhe tashmë ruajnë këto të dhëna në çipe, të harmonizuara plotësisht me kushtet e Bashkimit Evropian për regjimin pa viza.
Radhë më të gjata, por siguri më të madhe!
Zbatimi i këtij sistemi ka rritur frikën se do të ketë radhë dhe pritje të gjata për njerëzit që udhëtojnë drejt Evropës me trena, tragete dhe aeroplanë. Në mars, disa shtete anëtare u pajtuan që zbatimi të bëhet në faza, duke nisur më 12 tetor.
“Kjo do të rrisë sigurinë… duke na ndihmuar që të identifikojmë personat që tejkalojnë kohën e qëndrimit, të parandalojmë lëvizjet e parregullta dhe të ulim mashtrimet me dokumente dhe identitete,” tha Magnus Brunner, komisionar për migracionin.
Komisioni evropian ka siguruar se do të ketë fushata informuese për udhëtarët në aeroporte dhe në pikëkalime kufitare në mbarë BE-në para se të nisë zbatimi i sistemit. Sipas tyre, periudha gjashtëmujore e adaptimit është kohë e mjaftueshme për shtetet anëtare, udhëtarët dhe bizneset që të përshtaten me sistemin e ri.
Sipas zbatimit të planifikuar në faza, vendet anëtare të BE-së duhet të fillojnë të operojnë sistemin në gjysmën e pikave kufitare pas tre muajsh dhe ta kenë tërësisht funksional atë pas gjashtë muajsh.
“EES mund t’i marrë secilit udhëtar disa minuta shtesë për t’u përfunduar, prandaj përgatituni të prisni më gjatë se zakonisht në kufi sapo të nisë sistemi,” paralajmëroi ministria e jashtme e britanisë në një përditësim për udhëtimet. Kështu, ndonëse mund të ketë pak vonesa fillestare, përfitimet afatgjata në siguri dhe efikasitet duket se do të jenë të konsiderueshme.