Vrasja e familjes së Safa Younes është pjesë e asaj që u bë e njohur botërisht si masakra e Hadithas, ku marinsat amerikanë vranë 24 civilë irakianë më 19 nëntor 2005, përfshirë katër gra dhe gjashtë fëmijë. Në tri shtëpi, pothuajse çdo person brenda u ekzekutua, si edhe një shofer dhe katër studentë që ishin nisur për në universitet.

Sot, pas gati 20 vitesh, një hulumtim i BBC Eye ka zbuluar prova të reja që implikojnë dy marinsa amerikanë në vrasjen e familjes së Safës – njerëz që nuk dolën kurrë para drejtësisë. Safa, atëherë 13 vjeç, mbijetoi vetëm duke u shtirur si e vdekur mes trupave të nënës, tezes dhe pesë vëllezërve e motrave të saj. Fëmija më i vogël i familjes ishte vetëm tre vjeç. Babai u qëllua sapo hapi derën e shtëpisë.

Marinsat pretenduan se po i përgjigjeshin të shtënave pas shpërthimit të një bombe që vrau një anëtar të skuadrës së tyre, por Safa thotë se familja e saj nuk kishte armë dhe nuk kishte bërë asgjë. Fillimisht, katër marinsa u akuzuan për vrasje, por rrëfimet e tyre kontradiktore dhe dhënia e imunitetit për tre prej tyre e dobësoi hetimin amerikan.

Sipas ekspertit mjeko-ligjor Michael Maloney, i cili analizoi vendin e krimit në vitin 2006, dy marinsa patën hyrë në dhomën ku u gjetën të vrarë gratë dhe fëmijët. Ai thotë se rrëfimet e marinsave Humberto Mendoza dhe Stephen Tatum tregojnë se ata janë personat që qëlluan familjen. Mendoza ka pranuar se qëlloi babain e Safës, ndërsa Tatum në disa deklarata ka thënë se e dinte se në dhomë kishte gra dhe fëmijë dhe se megjithatë hapi zjarr.

Megjithatë, askush nuk u dënua. Hetimi më i gjatë amerikan për krime lufte në Irak përfundoi me një marrëveshje pranimi faji të rreshterit Frank Wuterich, vetëm për shpërdorim detyre nga pakujdesia – një akuzë pa lidhje të drejtpërdrejtë me vrasjet.

Safa, sot 33 vjeçe, ende jeton në Haditha me tre fëmijët e saj. Ajo thotë se mosndëshkimi i atyre që vranë familjen e saj është “krimi i vërtetë”.

“Ata që bënë këtë duhet të mbahen përgjegjës,” thotë ajo. “Nuk e harroj kurrë. Është si të ketë ndodhur dje.”

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version