Sot në Shkup pritet të mbahet një protestë kundër gjykimit të ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë. Tubimi është thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) dhe pritet të nisë në orën 13:00 në Sheshin “Skënderbe”.

Protesta ka gjetur mbështetje nga figura të shumta politike dhe shoqërore shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke theksuar se tubimi synon mbrojtjen e së vërtetës historike dhe kërkesën për drejtësi.

“Më 13 dhjetor, në orën 13:00, në Sheshin ‘Skënderbeu’ në Shkup, bashkohemi për një qëllim të qartë: kërkesën për drejtësi dhe hedhjen poshtë të akuzave të fabrikuara të Serbisë dhe Rusisë. Dalim me përgjegjësi, për të nderuar sakrificën dhe për të mbrojtur të vërtetën e historisë sonë”, ka deklaruar Ahmeti.

Megjithatë, brenda vetë OVL-UÇK-së janë shprehur edhe shqetësime lidhur me sigurinë e pjesëmarrësve. Gazmend Syla, përfaqësues i kësaj organizate, ka paralajmëruar se prania e ish-luftëtarëve të UÇK-së në protestë mund të përbëjë rrezik serioz për arrestim nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, për shkak të listave të Europolit, të cilat sipas tij janë dërguar nga Serbia.

“Ne i këshillojmë luftëtarët tanë të UÇK-së të mos e marrin atë rrugë, sepse nuk kemi asnjë garanci. Edhe sikur ta kërkojmë, është e pamundur që shteti i Maqedonisë së Veriut të ofrojë garanci kur emrat ndodhen në listat e Europolit”, ka deklaruar Syla.

Nga ana tjetër, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka bërë të ditur se, ndonëse nuk e përkrah protestën, autoritetet shtetërore do të sigurojnë rend, qetësi dhe mbarëvajtje paqësore të tubimit.

Organizatorët kanë theksuar se protesta ka karakter paqësor dhe synon shprehjen e qëndrimit politik dhe qytetar ndaj procesit gjyqësor në Hagë.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version