Braktisja e vendit nga njerëzit profesionistë, po vazhdon ende në Kosovë. Sipas ekspertëve, Kosova shumë shpejt do të përballet me mungesë të fuqisë punëtore, por edhe të kuadrove të fushave të ndryshme. Ata thonë se kjo ndodh për arsye të pagave të ulëta, mangësitë që ka sistemi arsimor për të prodhuar të rinj të aftë për treg të punës si dhe shumë faktorë të tjerë.

Nga hulumtimet e bëra, që nga pas lufta e deri tani rreth 300 mijë persona janë larguar nga Kosova për në shtetet e Evropës e më gjerë. Ndërkaq, Zyra e BERZH-it për Kosovë, kohë më parë ka deklaruar se sfida vjetore për Kosovën është ikja e trurit, ose braktisja e vendit nga njerëzit profesionistë. Ekspertët thonë se kjo rrezikon që në një të ardhme shumë të afërt, Kosova mund të mbetet pa fuqi punëtore dhe me mungesë të njerëzve profesionistë.

Donjeta Krasniqi, e cila është e diplomuar për ekonomi, tha se ka vendosur të largohet nga vendi për arsye se nuk punon në sektorin për të cilin është e kualifikuar dhe se e ka pagën shumë të ulët.

“Kam vendosur të largohem nga Kosova, pasi këtu edhe pse përfundon fakultetin, nuk mund të punësohesh në drejtimin tënd”, tha Krasniqi. “Arsyeja tjetër është se paga është e ulët si dhe kushtet e punës nuk janë të mira”.

Sociologu, Blerim Shabani, tha se në Kosovë ende nuk janë të rregulluara të drejtat e punëtorëve në sektorin privat, teksa theksoi se nga Kosova po ik e gjithë struktura e re që është e gatshme për të ndikuar në aktivitetin ekonomik.

“Ikja e qytetarëve tanë është një trend që përbën të gjitha nivelet e shkollimit të qytetarëve, e që është e theksuar te gjenerata e re.

Njohja e meritokracisë dhe respektimi i konkurrencës dhe i mundësive të barabarta, ka ndikuar ndër vite që qytetarët të fillojnë të humbin besimin në mundësinë për krijimin e një vendi të punës dhe e kanë orientuar interesin për të shkuar në vende të tjera”, u shpreh ai.

Ligji mbi emigrimin e fuqisë punëtore të kualifikuar në Gjermani, ka ngritur shqetësime në Kosovë se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, kryesisht atyre të kualifikuar, do të largohen nga vendi. Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në dekadën e fundit, më shumë se 220 mijë qytetarë të Kosovës kanë lëshuar vendin.
/Radio-Kosova/

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version