Pesë persona kanë pësuar lëndime trupore në një aksident zinxhiror që përfshiu pesë vetura, i cili ndodhi sot rreth orës 12:00 në magjistralen Prishtinë-Pejë, më saktësisht në fshatin Sllatinë.
Lajmi u bë i ditur nga Luljeta Mehmeti, zëdhënëse e zyrës për media e Policisë së Kosovës.
Sipas saj, të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa njësitë policore po e trajtojnë rastin.
Mehmeti deklaroi se: “Duke u bazuar në të dhënat fillestare nga tereni, ju informojmë se me datën 18.07.2025 rreth orës 12:00 në drejtimin Prishtinë-Pejë, respektivisht në fshatin Sllatinë, është raportuar për një aksident trafiku zinxhiror ku të përfshira kanë qenë pesë (5) vetura. Lidhur me rastin, të gjitha njësitë relevante, duke përfshirë edhe ato mjekësore, kanë dalë në vendin e ngjarjes. Si pasojë e këtij aksidenti, deri më tani raportohet për pesë (5) persona të lënduar të cilët kanë pranuar trajtim mjekësor. Njësitë kompetente policore janë duke e trajtuar rastin për procedurat e mëtejme”.