Një padi e rëndë është ngritur kundër shtetasit kosovar Liridon Rexhepi në Turqi, i cili akuzohet për menaxhimin e rrjetit financiar të agjencisë izraelite të inteligjencës, MOSSAD. Për Rexhepin kërkohet një dënim nga 18 vjet e 9 muaj deri në 35 vjet burgim, me akuzën e “spiunazhit të njëpasnjëshëm politik ose ushtarak”.
Sipas aktakuzës së përgatitur nga Zyra e Hetimit të Krimeve Terroriste të Kryeprokurorisë Publike të Stambollit, Rexhepi kishte hyrë në Turqi më 24 gusht 2024, nëpërmjet Aeroportit të Antalyas. Si rezultat i një pune të koordinuar midis Organizatës Kombëtare të Inteligjencës (MIT) dhe Departamentit të Antiterrorit të Policisë së Stambollit, Rexhepi u ndalua më 30 gusht dhe u arrestua më 3 shtator.
Aktakuza thekson se Rexhepi vepronte si “arka” e Shërbimit të Inteligjencës Izraelite. Ai dyshohet se ka realizuar transferta parash me individë vendas dhe të huaj, të cilët janë identifikuar si punonjës të MOSSAD-it dhe që janë ndjekur penalisht për “spiunazh”. Këto transferta dyshohet se janë bërë me qëllim të marrjes së informacioneve inteligjente.
Për më tepër, aktakuza thekson se Rexhepi, në bashkëpunim me MOSSAD-in, u përfshi në aktivitete spiunazhi duke përdorur dronë për të fotografuar dhe filmuar zonat ku jetonin disa shtetas palestinezë në Stamboll. Në këto akte incizimi, Rexhepi ka bashkëpunuar me shtetasin turk Yıldıray Boztepe.
Sipas aktakuzës, Boztepe kishte marrë kërkesa për pamje nga një person i paidentifikuar me emrin “Abdullah”, i cili dyshohet se punonte për MOSSAD-in dhe përdorte emra të ndryshëm. Boztepe kishte bërë pazar për pagesa në këmbim të xhirimeve të vendndodhjeve të qytetarëve palestinezë, të cilët kishin gjetur strehim në Turqi për shkak të sulmeve izraelite dhe që jetonin kryesisht në zonat Büyükçekmece dhe Başakşehir të Stambollit.
Mesazhet në telefonin e Boztepes përfshinin biseda rreth mënyrës së qasjes në pikat e sigurisë, statusit të kateve dhe informacionin e adresave të personave në ato kate. Pas këtyre incizimeve, Boztepe kishte marrë para nga persona me emrat “Ardit Jusufi” dhe “Festim Jusufi” në emër të Liridon Rexhepit.
Yıldıray Boztepe, i cili profesionalisht merret me xhirime me dron, ka deklaruar se në vitin 2020 një person me emrin “Abdullah” e kishte kontaktuar nga një linjë telefonike e huaj për të xhiruar pamje të një parcele toke. Ai kishte pranuar kërkesën për shkak të përfitimit financiar dhe më pas kishte vazhduar bashkëpunimin me “Abdullahun” për disa xhirime të tjera. Pagesat ishin dërguar nga persona të ndryshëm nëpërmjet “Western Union”. Boztepe ka pretenduar se nuk kishte lidhje me personat e huaj që i dërgonin para dhe se nuk i njihte ata.
Aktakuza kërkon që si Liridon Rexhepi, ashtu edhe Yıldıray Boztepe, të dënohen me të njëjtën masë burgimi, deri në 35 vjet, për “spiunazh të njëpasnjëshëm politik ose ushtarak”. Gjykimi i tyre pritet të fillojë në ditët në vijim.