Një stuhi e fuqishme e shoqëruar me reshje të dendura shiu, erëra të fuqishme dhe breshër ka goditur qytetin bregdetar të Splitit në Kroaci gjatë mëngjesit të sotëm. Sipas mediave lokale, stuhi të tilla nuk janë parë prej kohësh në këtë zonë, dhe ndonëse zgjati për një kohë të shkurtër, ajo la pas dëme të konsiderueshme.
Pamje të regjistruara nga qytetarët tregojnë për përmbytje në shumë rrugë të qytetit, ku ujërat kanë mbuluar sipërfaqe të gjera, ndërsa pemët e rrëzuara dhe rrëshqitjet e tokës kanë bllokuar qarkullimin në disa pjesë të qytetit.
Në lagjen ku ndodhet ndërtesa e “Croatia Insurance”, përballë Ministrisë së Punëve të Brendshme në Split, një erë e fuqishme theu dhe shpërndau muret prej xhami të një studioje fotografike, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Dëme të konsiderueshme janë raportuar edhe në zonën historike të qytetit. Bodrumet e famshme të Pallatit të Dioklecianit, përfshirë edhe zonën e njohur si Peristil, u përmbytën plotësisht, me ujë që në disa vende arriti deri në gjysmë metri. Prania e ujit në këto hapësira të trashëgimisë kulturore rrezikon të shkaktojë pasoja të rënda për strukturat dhe artefaktet historike.
Situata nuk ishte më e mirë as në stadiumin e Hajdukut në Poljud. Sipas drejtuesit Bozho Pavkoviq, çatia e stadiumit pësoi dëmtime të mëdha, ndërkohë që fusha e lojës u mbulua tërësisht nga uji dhe është aktualisht e papërdorshme. Po ashtu, hapësira të brendshme, përfshirë zyra dhe salla, kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme.
“Energjia elektrike është ndërprerë, dhe mbetet e paqartë se sa kohë do të duhet për restaurim. Dëmet janë të mëdha dhe situata nuk duket mirë për momentin. Duhet të presim stabilizimin e motit për të bërë vlerësime më të sakta,” deklaroi Pavkoviq për mediat kroate.
Autoritetet vendore janë në terren dhe po punojnë për të rikthyer gjendjen në normalitet, ndërsa qytetarët janë këshilluar të qëndrojnë të kujdesshëm dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e prekura.