Ky artikull është shkëputur nga libri “Teoria e Artit Islam: Koncepti estetik dhe struktura epistemike”, me autor Idham Muhamed Hanash. Kapitulli: Ngrehina gjuhësore e teorisë së artit islam.
Temat e tjera mund t’i gjeni këtu në këtë etiketë:
https://dijaonline.com/tag/teoria-e-artit-islam
Hyrje
Kultura arabo-islame, me sa duket, ende nuk e ka të përcaktuar në mënyrë të hollësishme, të caktuar dhe të qartë përkufizimin e fjalës “art”. Kjo gjë e ka penguar zhvillimin e emërtesave të përshtatshme lidhur me artin, të cilat mund të shërbenin si shtysa për zgjerimin e njohurive në këtë fushë. Vështirësitë e hasura në shprehjen e një përkufizimi të tillë, mund të kenë lindur kryesisht, për shkak të ideve të shumta lidhur me emërtesën arabe për artin (fenn) si dhe domethënien kulturore në tërësinë e saj.
Kjo pasiguri, lidhur me përkufizimin e artit, ka pasur disa ndikime negative në ngrehinën gjuhësore të teorisë së artit islam, si një fushë epistemologjike që përfshin një sërë shprehjesh, temash dhe idesh të ndërlidhura. Një pjesë e kësaj vështirësie mund të gjurmohet në sajesën dhe përdorimin e shprehjeve nga orientalistët, të përfshirë në hulumtimin e arkitekturës, zejtarisë dhe gjetjeve arkeologjike islame. Këto emërtesa të prera rishtazi, ashtu siç ishin të ngjyrosura nga ide dhe mendime perëndimore rreth artit islam, hodhën themelet epistemologjike të gjuhës së hulumtimeve akademike në fusha të ndryshme të artit islam.
Teoria artistike islame, nganjëherë, është shprehur në një lloj gjuhe metaforike, e mbështetur në leximet me shpjegime të veprave të artit islam, të cilat mund të krijojnë përshtypjen e shenjave pamore, emblemave kulturore dhe një ligjërimi të ndërlikuar epistemologjik që shkon përtej formës së thjeshtë artistike, me qëllim pasqyrimin e kuptimeve, vlerave dhe domethënieve kuptimplota. Si rrjedhojë, edhe shprehja “gjuha e artit islam” nënkupton një sërë idesh dhe termash teknike, të cilat mishërojnë epiqendrën kuptimore për shumicën e temave kryesore të këtij arti, të cilat shërbejnë si fjalë kyçe për hulumtimet akademike në fushat e ndryshme epistemologjike.
Në këtë mënyrë, gjuha e artit islam është kryesisht një gjuhë epistemologjike, e cila mbështetet në atë që ne mund ta emërtoj më “terminologji artistike islame”. Kjo emërtesë duhet të shquhet nga përkufizimi “art islam”. Vetë përkufizimi “art islam” nënkupton tërësinë e lëndës artistike, ndërsa “terminologjia artistike islame” është një përbërës ideor, mbështetur në lidhjen e ngushtë midis gjuhës arabe dhe artit islam.
Gjuha arabe është gjuha amtare e artit islam, gjuha që përmban të gjitha fjalët, emërtesat teknike dhe idetë shprehëse të temave filozofiko-estetike dhe krijuese të rëndësishme për artin islam. Si e tillë, arabishtja ushtron një ndikim të fuqishëm mbi artin islam, duke rregulluar ndryshoret ritmike të formës dhe duke përsosur elementet zbukuruese, qofshin ato motive floreale apo forma gjeometrike, si dhe shëmbëlltyrën e kaligrafisë arabe, përmes së cilës shfaqen fjalët e Kuranit që përshkruajnë nocionin abstrakt, pa formë të njëshmërisë dhe të vërtetës hyjnore. Kaligrafia arabe, si formë e artit islam, është simbol gjuhësor i dukshëm i përbashkimit hyjnor.
Zanafilla dhe zhvillimi i terminologjisë artistike islame
Rilindja Europiane dhe lëvizja që ajo nxiti për të hulumtuar qytetërimin dhe kulturën njerëzore në mbarë botën, shkaktoi rritjen e pandërprerë të mendimit rreth temave filozofike në lidhje me ndjenjat njerëzore, përshtypjet dëgjimore dhe pamore, përfytyrimin, si dhe mënyrat e tjera të të shprehurit të cilat nxitin përshtypje dhe përvoja të tilla njerëzore. “E bukura” u kthye në një kundrinë studimi, si një fushë e re e njohurive njerëzore, njëherësh e lidhur me fenë, filozofinë dhe qasjen shkencore të të mësuarit. Studimi i artit, veças nga shkenca dhe letërsia, filloi aty nga mesi i shekullit të shtatëmbëdhjetë dhe quhej “estetika” ose “filozofia e artit”.
E nxitur nga mendimi materialist, Rilindja Europiane që u themelua në shkencë, teknologji, pasuri, prodhim industrial, krijimtari kulturore, zbulime gjeografike, si dhe fushat natyrore e njerëzore, e ktheu studimin e artit në një shfaqje të përparimit historik të kulturës dhe veçorive njerëzore, si njëfarë përparimi kulturor dhe një shenjë dalluese dhe si mbështetje jetike e lëvizjeve humaniste të cilat synonin rritjen e vetëdijes rreth gjithësisë dhe pikëpamjeve njerëzore mbi historinë, jetën dhe fatin.
Prirjet intelektuale që u shfaqën asokohe në Europë, përbënë një sfidë të jashtëzakonshme për identitetin intelektual dhe traditën shoqërore e kulturore të shumicës së popujve të botës, veçanërisht ata të Arabisë Lindore Islame. Si rrjedhojë, prurjet kulturore europiane, si fjala vjen, industriale, shkencore, letrare, traditë dhe art perëndimor, ndikuan në ngrehinën shoqërore të kulturës bashkëkohore arabo-islame.
Ndër tiparet më të rëndësishme të ndikimit shkencor e kulturor europian, në vetëdijen islame në tërësi dhe në vetëdijen arabo-islame në veçanti, ishte ndryshimi i pikëpamjeve arabe, sa i përket të kuptuarit të termave “qytetërim” dhe “kulturë”, si pasojë, edhe të kuptuarit të termit “art”. Në mënyrë të ngjashme, termi “qytetërim” i cili dikur thjesht nënkuptonte praninë e një vendbanimi diku, të tillë si, një qytet apo qytezë, si e kundërta e fiseve endacake, mori një kuptim më të gjerë, në mënyrë të tillë, që të nënkuptonte mënyrën e jetesës në tërësi, përmasat vetjake, shoqërore, politike, ekonomike dhe sjelljet e së cilës shënjonin mendësi bashkëkohore, përparim shoqëror dhe begati materiale.
Me përkthimin e termave “qytetërim” dhe “kulturë” në gjuhën arabe, bota arabo-islame u bë shtëpia e gjithçkaje kuptimore të shoqëruar me këto dy terma, nëpërmjet shpikjeve, industrive, traditës, marrëdhënieve, lëvizjeve për ndryshim, shoqatave, teknologjisë, teorisë dhe shprehjes, duke mishëruar një shpërfaqje materiale dhe jomateriale të krijimtarisë njerëzore.
Ky ndryshim i pikëpamjeve rreth njohurive bashkëkohore arabo-islame u shoqërua me një kuptim më të zbutur të termit fenn, çka përfshinte që nga të shënuarit e një lloj specieje apo qenieje, shpërfaqjen e krijimtarisë njerëzore në fusha të ndryshme ,duke përfshirë industrinë, shkencën dhe letërsinë, e deri te terma teknike të gjërave që kishin të bënin me lëndën e estetikës.
Termi në arabisht fenn (art) asokohe nënkuptonte idetë shkencore, letërsi dhe industri në kuptimin e gjerë dhe përfshirës, megjithatë, tani kuptimi i saj do të zvogëlohej vetëm në përfshirjen e botës estetike. Ky ndryshim mund të ketë qenë një nga shkaqet kryesore të sfidës më të madhe epistemologjike dhe kulturore, me të cilën vetëdija arabo-islame u përball në shekullin e nëntëmbëdhjetë, duke dëshmuar bashkëveprime madhore ndërmjet Botës Islame dhe Perëndimit Europian, si dhe ndryshime të thella perëndimore në kulturën islame.
Ndryshime të thella mendore, gjuhësore dhe ideore në ngrehinën bashkëkohore islame ndodhën si kundërpërgjigje e zhvillimeve të reja në shoqëritë arabe dhe islame, lidhur me shkencën, arsimin, përthithjen e kulturës dhe përkthimin, të cilat dhanë ndihmesën e tyre për një kuptim të ri të emërtesës fenn, si dhe rëndësisë së saj në fushat e bukurisë, krijimtarisë, përvojave shpirtërore dhe fushave të tjera të psikologjisë dhe ndjenjave njerëzore.
Shkrimtari arab Rifā‘ah Rāfi‘ El-Tahtāuī (v. 1290 p.h./ 1873 e.r.) ishte ndër të parët që përktheu vepra letrare dhe kulturore franceze në gjuhën arabe. El-Tahtāuī vuri re që “europianët i kanë ndarë njohuritë në dy lloje të ndryshme: shkencë dhe art. Fusha shkencore përfshin pranueshmërinë e ardhur nëpërmjet provave dhe dëshmive, ndërkohë që fusha e artit përfshin njohuritë me mënyrën se si prodhohen gjërat sipas rregullave të caktuara”.
Megjithatë, ai dhe bashkëpunëtorët e tij, gjatë përpjekjeve të tyre për të përkthyer në Shkollën e Gjuhëve të Huaja, themeluar në 1254 p.h./1839 e.r., nën udhëheqjen e El-Tahtāuī-t, e ruajtën lidhjen themelore epistemologjike midis “shkencës” dhe “artit”. Ai, së bashku me grupin e përkthyesve, i panë këto dy terma si të lidhura nga një hallkë e rëndësishme kuptimore; kështu që, ata e mbajtën gjallë mundësinë që termi “art” (fenn) mund të nënkuptojë disa anë të “shkencës” (‘ilm) dhe, njëkohësisht, termi shkencë (‘ilm) mund të nënkuptojë disa anë të artit (fenn).
Kjo dukuri mund të vërehet, fjala vjen, në librin e përkthyer nga frëngjishtja në arabisht, nga një grup pune i shkollës së gjuhëve të huaja, nën mbikëqyrjen e vetë El-Tahtāuī-t, i titulluar Keshf Rumūz El-Sirr El-Maṣūn fī Taṭbīk El-Handasatih ‘alā El-Funūn (Shpërfaqja e shenjave të mbajtura fshehtas lidhur me përdorimin e inxhinierisë në art). Kjo vepër është përshkruar si “një libër rreth përdorimit të inxhinierisë dhe mekanikës në zejtari, industri dhe arte të bukura”, të tilla si arkitekturë, gjeografi, astronomi, projektim dhe ndërtim anijesh, shkenca e dritës, hijes dhe eklipsit, zdrukthëtari, skulpturë, shtyp dhe shtypshkrim, duke na e bërë me dije që në hyrje të librit, se “shkolla e gjuhëve të huaja zotëron më të mirën e çdo forme arti”.
Puna që mori përsipër Shkolla e Gjuhëve të Huaja, hapi dyert e zhvillimeve ideore dhe terminologjike në lidhje me vetëdijësimin ndaj artit dhe të bukurës. Këto zhvillime tashmë po ndodhnin, deri diku, në kulturën arabe dhe islame e cila kishte filluar të qarkullonte shprehi të reja me kuptime gjysmë-teknike si el-funūn el-nafīsah, el-funūn el-rākijah dhe el-funūn el-xhemīleh (të cilat janë përkthime të larmishme të anglishtes në arabisht të emërtesës “arte të bukura”), e fundit prej të cilave ka të ngjarë të jetë sajuar nga Ahmed Fāris El-Shidjāk (v. 1304 p.h./1887 e.r.).
Ndryshimet intelektuale dhe kulturore që ndodhën në shoqëritë arabe dhe islame, si në planin teorik, ashtu edhe atë praktik, filluan të zënë rrënjë në nivele të ndryshme kudo në botën arabe. Kjo dukuri u kundërshtua nga elita fetare, akademike dhe kulturore e ditës, nëpërmjet përpjekjeve për të përshtatur elementet e ardhura nga jashtë me Ligjin Islam, si dhe nëpërmjet përshtatjes gjuhësore të shumicës së termave perëndimore të sapofutura, të cilat nënkuptonin sende, ide, teknika etj.
Në fushën e Ligjit Islam, një disiplinë e njohur si fikh el-nauāzil (jurisprudenca e rasteve të paprecedentë) bëri një përpjekje për t’u marrë me këtë dukuri kulturore të saposhfaqur, e cila në fushën e artit përfshinte vizatimin, pikturën, pasqyrimin me figura, këngën, aktrimin dhe forma të tjera shprehëse në mënyrë krijuese të porsalindura që po shpërfaqeshin në shoqërinë arabo-islame. Kjo degë e Ligjit Islam synonte të largonte çoroditjen nga mendja e njerëzve rreth asaj se si të vepronin, duke iu përmbajtur Ligjit Islam, me këto dukuri të reja, ku disa prej të cilave gjykoheshin si të ndaluara dhe të tjerat të lejuara. Fotografia është një shembull i rëndësishëm i prurjes kulturore nga Perëndimi, për të cilën u gjykua se ishte e pranueshme sipas standardeve të Ligjit Islam.
Përmes vendimeve të ndryshme ligjore, kjo lloj gjyqësie me bazë qëllimore ndihmoi në krijimin e një qoshku shoqëror për ato që njihen si “arte të bukura”, të cilave Shejh Muhamed Abduh (v. 1322 p.h./1904 e.r.) ishte ndër të parët që u bëri jehonë në shoqërinë arabo-islame. Gjyqësia me bazë qëllimore, gjithashtu, ndihmoi në themelimin e një qoshku gjuhësor në kulturën islame për shumë terma të përdorura për t’iu referuar elementeve kulturore të ardhura dhe ideve që i shoqëronin ato, si për shembull: telefonit, telegrafit, fotografit, automobilit, fonografit, radios, pushimeve të paguara, operës, bankës dhe të tjera.
Shkrimtarët dhe njerëzit e letrave, në përgjithësi, dhanë ndihmesën e tyre për krijimin e një lloj strehe për industritë, gjinitë letrare, traditën, veshmbathjet, veglat muzikore dhe prurje të tjera krejt të reja për shoqërinë islame, të ardhura nga Perëndimi si tregues zhvillimi dhe përparimi. Ata e përmbushën këtë detyrë nëpërmjet përpjekjeve për ta modernizuar arsimin, intervistat, shqyrtimet dhe debatet publike, përmes librave, gazetave dhe shkrimeve në revista dhe të tjera. Nga mirësia e gjithë atyre përpjekjeve të tërthorta gjuhësore, stilistike dhe terminologjike, pati një lloj qasje paksa ndryshe për këto elemente të shfaqura rishtas, qoftë në të folurën e përditshme arabe, qoftë në arabishten e shkruar. Intelektuali pionier arab Salamah Musa (v. 1377 p.h./1958 e.r.) – i pari që i bëri jehonë përdorimit të emërtesës arabe thekāfeh, si përpunim i termit të huaj “kulturë” – e vuri theksin tek ajo anë e artit që kishte të bënte me dijen. Për këtë arsye, Musa i qëndroi mendimit se arti është i lidhur më ngushtë me kulturën sesa qytetërimin, ngaqë ky i fundit ka të bëjë kryesisht me ekzistencën materiale të shoqërisë, ndërkohë që kultura ka të bëjë më shumë me mendësinë dhe qëndrimet e shoqërisë si dhe me qëllimet e jetës.
Letrari Teufik El-Hakim (v. 1407 p.h./1987 e.r.) ndikoi në mënyrë të ngjashme, duke identifikuar natyrën epistemologjike të artit të teatrit. Ishte Teufik El-Hakim ai që sajoi termin masraḥ, si fjala e barasvlershme për teatrin në arabisht, duke i siguruar teatrit një vend të rëndësishëm në kulturën bashkëkohore arabe.
Një numër qasjesh të drejtpërdrejta stilistike dhe terminologjike të kësaj teme u ndoqën edhe nga gjuhëtarët dhe akademikët e gjuhësisë arabe. Ata bënë përpjekje për të përshtatur fjalë, terma dhe koncepte të shumta që vinin nga kultura perëndimore në gjuhën arabe. Në të njëjtën kohë, energji të shumta u harxhuan për të parandaluar shkelje të mëtejshme gjuhësore, duke u hedhur menjëherë në veprim për të sajuar terma arabe të barasvlershme me ato të huaja. Qasje të tjera të ngjashme përfshinë arabizimin, përkthimin, renditjen dhe hyrjen e termave të reja në fjalorët e gjuhës arabe.
Studimet bashkëkohore të termave dhe koncepteve me rëndësi për artin islam u udhëhoqën nga studiuesi dhe letrari Ahmad Tajmur Pasha (v. 1348 p.h./1930 e.r.). Taymur ishte autor i disa librave me këtë temë, më i rëndësishmi prej të cilëve është libri me risi: El-Taṣuīr ‘ind El-‘Arab (Përfaqësimi piktoresk tek arabët), i cili hedh themelet e hulumtimeve të mëtejshme në fushën e artit islam dhe terminologjisë lidhur me ‘të. Ky kontribut i Tajmurit ishte me vlera të rëndësishme akademike, ngaqë përmbante shumë koncepte dhe terma në gjuhën arabe lidhur me përfaqësimin piktoresk të artit islam, si për shembull: tadhhīb (praruar ose ndriçuar), takfīt (zbukurim ose pllakë), el-tazmīk (stil ndriçimi islam që lidhet me periudhën e mamlukëve), khajāl el-ẓill ose ṭajf el-khajāl (teatri i hijeve), etj.
Një tjetër studiues, punët e të cilit i hapën rrugë krijimit të një fjalori arabisht të artit islam, ishte gjuhëtari dhe shkrimtari Bishr Faris (v. 1382 p.h./1963 e.r.), që shpenzoi mund të madh për gjurmimin e rrënjëve të terminologjisë artistike islame në gjuhën arabe, në përpjekje për të ndërtuar gjuhën e artit islam, mbështetur në përdorimin historik të termave të veçanta. Ndihmesat e shumta në fushën e gjuhësisë të Bishr Faris përfshijnë:
- Një studim i shkurtër, botuar në revistën e Akademisë Mbretërore Egjiptiane të Gjuhës Arabe (Mexhellet Maxhma‘ El-Lughah El-‘Arabijeh El-Melekī), në vitin 1353 p.h./ 1935 e.r., me titull: Fī Isṭilāḥat El-Mūsīkā ue El-Felsefeh (Terminologjia muzikore dhe filozofike).
- Një libër me titull: Isṭilāḥat ‘Arabijeh li Fenn El-Taṣuīr (Terminologjia arabe në lidhje me përfaqësimin e artit piktoresk).
- Tregues arabisht-frëngjisht, i përbërë nga më shumë se tetëdhjetë terma që kanë të bëjnë me përfaqësimin e artit piktoresk, të cilat shfaqen në fund të librit të tij me titull: Sirr El-Zakhrafeh El-Islāmijeh (Të fshehtat e artit ornamental islam).
- Një libër me titull: El-Fenn El-Kudsī fī El-Taṣuīr El-Islāmī El-Euel (Arti i shenjtë: Përfaqësimi i hershëm i artit piktoresk islam).
Megjithatë, këto përpjekje fillestare bashkëkohore të studimit të terminologjisë artistike arabo-islame, nën kujdesin e Akademisë së Gjuhës Arabe në Kajro, zbehen për nga rëndësia, krahasuar me trajtimin nga dijetarët e hershëm islamë të terminologjisë artistike në shkrimet e tyre rreth së bukurës nga pikëpamja islame, por edhe në gjini të ndryshme të artit Islam. El-Fārābī (v. 339 p.r./950 e.r.) siguroi një numër të madh përkufizimesh teknike lidhur me përfaqësimin e fushave të muzikës dhe pikturës. Në fushën e muzikës, fjala vjen, ai parashtroi terma dhe përkufizime si vijon: el-elḥān el-mulidhdhah (melodi të këndshme) ai quan ato të cilat kanë për qëllim të vetëm të sjellin te dëgjuesit kënaqësinë e të dëgjuarit; el-elḥān el-mutakhajaleh (melodi përfytyruese) janë ato prej të cilave dëgjuesi përfiton duke ia nxitur përpunimin e përfytyrimeve mendore, aq sa ç’ia nxitin zbukurimin dhe përfytyrimin pamor. Këtyre, El-Fārābī ua shtoi edhe emërtesën el-elḥān el-infi‘ālijeh (melodia e ndjenjave) që shkakton te dëgjuesi ndjesi, qoftë me uljen apo ngritjen e ndjenjave të dikujt; dhe termin el-elḥān el-ghinā’ijeh (melodi zanore). El-Fārābī ishte i mendimit se njerëzit kanë një dëshirë të vetvetishme për të rendur pas kënaqësisë, përfytyrimit dhe ndjenjës, dhe se lloje të ndryshme melodish trajtonin këto lloj dëshirash.
Myslimanë të tjerë të hershëm që dhanë ndihmesën e tyre në studimin e artit muzikor përfshijnë Ibn Sīnā (v. 370 p.h./980 e.r.), studimet e të cilit, rreth terminologjisë lidhur me atë që ai vetë e quante Xheuāmi‘ ‘ilm el-mūsīkā (përpilimet muzikore), përbëjnë një kapitull të tërë në librin e tij El-Shifā’ (Shërimi). Këto përpilime dhanë shpjegime për një numër të shumtë termash dhe konceptesh lidhur me meloditë (elḥān), notat (enghām) dhe veglat muzikore. Gjithashtu, Ebū ḥajān El-Teuḥīdī (v. 414 p.h./1023 e.r.) ndihmoi për një sërë termash themelore të gjuhës dhe artit arab të kaligrafisë.
Miskauajh (v. 421 p.h./1030 e.r.) ishte ndër historianët e parë arabë që diskutoi eksperimentet krijuese të ndërmarra nga artistët myslimanë në fushën e asaj që ai e quajti ‘ilm el-taṣuīr, ose shkenca e paraqitjeve pamore, së cilës Ikhuān el-Ṣafā (shekulli i tretë p.h./shekulli i nëntë e.r.) i referohet si tazuīk dhe/ose el-ziuākah (nga folja zauakah, të cilën Hans Wehr e përkufizon: të zbukurosh, të përfytyrosh, të vizualizosh (d.m.th. një histori) në imagjinatën e dikujt).
El-Ghazālī (v. 505 p.h./1111 e.r) i ndau pikëpamjet rreth së bukurës në lloje të ndryshme: në el-xhemāl el-ḥakīkī (bukuri e vërtetë), el-xhemāl el-ṭabī‘ī (bukuri natyrale) dhe el-xhemāl el-insānī (bukuri njerëzore). Gjithashtu, ai dalloi midis el-xhemāl el-bātinī (bukuri e brendshme) dhe el-xhemāl el-ẓāhirī (bukuri e jashtme), duke identifikuar nivele të ndryshme në të cilat ato perceptohen nga syri i brendshëm dhe i jashtëm. Prandaj, mendimet e El-Gazālī mbi çështjet e së bukurës dhe artit, si dhe terminologjinë që i shoqëron ato, përbëjnë thelbin e estetikës epistemologjike islame.
Shkrimet e këtyre dijetarëve të hershëm rreth temës së të bukurës dhe artit, ashtu si termat e veçanta që i shoqëronin, mund të kenë shërbyer si themele të vyera për vendimin e Akademisë së Gjuhës Arabe, sa u përket termave të duhura që u përdorën për idetë mbi artin dhe arkitekturën islame. Megjithatë, përpjekjeve të thjeshta të hershme të Akademisë në këtë fushë u mungonte fushëpamja e qartë dhe e guximshme.
Fjalori i parë arabisht, i cilësuar si fjalori i fushës së artit islam, titullohet: Mu‘xhem Elfāẓ El-Ḥaḍārah ue Muṣṭalaḥāt El-Funūn (Fjalori i termave në lidhje me qytetërimin dhe artin). Ky fjalor u pranua gjerësisht, ngaqë përfshinte terma nga fusha të ndryshme në marrëdhënie të ngushtë me artin, si arti i përfaqësimit pamor, shkolla bashkëkohore e mendimit artistik, skulptura, vizatimi dhe piktura, qeramika dhe poçeria. Gjithashtu, përmbante vendime të marra nga Akademia e Gjuhës Arabe në Kajro, lidhur me terminologjinë e arkitekturës islame.
Në të vërtetë, gjuha e përdorur për të shqyrtuar artin islam, sidoqoftë, ende mbizotërohet nga shumë koncepte dhe terma të huaj. Ky fakt shërben si dëshmi e qartë, se në mesin e qendrave akademike, hulumtuesve dhe gjuhëtarëve arabë, qoftë tani apo në të shkuarën, Akademia e Gjuhës Arabe nuk mundi ta nënshtrojë gjuhën e artit islam drejt një studimi të thellë që nevojitet për ta çliruar atë nga prangosja e ndikimeve perëndimore apo lindore, ose të paktën ta kishin gjallëruar me pak më shumë vërtetësi arabe dhe islame.
Përkthimi dhe terminologjia artistike islame
Përpjekjet fillestare për të tokëzuar termat artistike dhe konceptet në traditën e kulturës arabo-islame ishin të përmbajtura dhe ngurruese. Shumica prej tyre ndodhën brenda përmbajtjes së asaj që dikush mund ta përkufizojë si “kulturimi perëndimor”, i cili shihej si një shenjë e modernes dhe bashkëkohores. Si rrjedhojë, gjuhëtarët dhe intelektualët arabë që u përfshinë në këto përpjekje, i kushtuan pothuajse rëndësi të njëjtë termave arabo-islame dhe koncepteve, si dhe atyre që e kishin origjinën te prurjet e huaja. Kjo prirje filloi ta ngjizë vetveten në rrethet e gjuhëtarëve dhe studiuesve të tjerë të artefakteve, artit, arkitekturës dhe zejtarisë islame, të cilat përbënin fillesat të e një fushe epistemologjike dhe specialiteti akademik. Në kontekstin e një fushe të re, qytetërimi perëndimor përbënte një sfidë kulturore dhe gjuhësore për dijetarët arabo-myslimanë, të cilët tashmë u detyruan të mendonin shkencërisht rreth njehsimit të rrënjëve të termave islame që kishin të bënin me artin, si dhe t’i rendisnin ato në një fjalor të ndërtuar.
Metoda e Bishr Faris për rrënjosjen e termave të huaja të artit islam në traditën arabe përfshinte kthimin prapa tek e folura dhe letërsia arabe, duke marrë përsipër sfidën gjuhësore dhe kulturore të përkthimit të këtyre termave në gjuhën e përditshme arabe. Sfidat e shprehjes dhe të të kuptuarit që u shfaqën gjatë përkthimit, vazhduan të ngjallnin dyshime rreth vështirësive në fushat e hulumtimit, shkrimit, arsimit dhe kulturës, veçanërisht kur u përballën me termat e artit të gjetura në shkrimet perëndimore lidhur me lashtësinë, arkitekturën dhe format e tjera të artit islam. Shumica e studimeve perëndimore e ndanë artin islam në dy lloje të rëndësishme. Lloji i parë është emërtuar “artet madhore” dhe përfshin arkitekturën, skulpturën, mozaikët, muralet, zbukurimet e gdhendura në dru dhe allçi etj. Lloji i dytë është emërtuar “artet vocërrake b” që, nganjëherë, nënkuptojnë “artet e zbatuara” të cilat përfshijnë sende zejtarie të bëra nga metali, druri, balta apo xhami, si dhe kopje me zbukurime të Kuranit, zbardhje dorëshkrimesh, mozaikë dhe shkrime të lashta.
Termi më i hershëm dhe më i përhapur arabe për llojin e dytë është el-funūn el-fer‘ijeh el-islāmijeh (shprehimisht, artet islame ndihmëse). Ky term, mesa duket, është sajuar nga Zaki Muhammad Hasan, i cili thotë: “El-funūn el-fer‘ijeh është shprehja arabisht që kemi përdorur deri tani për të përkthyer nga anglishtja termin “minor arts” (artet vocërrake), arts mineure në frëngjisht dhe kleinkunst në gjermanisht. Ne, gjithsesi, mund ta përkthejmë atë edhe el-funūn el-ṣinā‘ijeh (artet industriale), apo el-funūn el-taṭbīkijeh (artet e zbatuara). Nganjëherë, mund të gjendet e përkthyer gjithashtu si el funūn el-zukhrufijeh ( artet zbukuruese)”.
Sido që të jetë përkthyer, ky term nënkupton artet e zbatuara, sendet e lëvizshme, si ato zbukuruese, ashtu edhe ato funksionale. Në të njëjtën kohë, duhet pranuar që ndarja në dy lloje e përmendur më lart është krejt e paqartë. Disa historianë arti përfshijnë qilimat, fjala vjen, në llojin e “artit vocërrak”, ndërsa të tjerët jo.
Në këtë kuptim, një punë që meriton të lavdërohet, është hulumtimi i bërë nga studiuesi arkeolog Ahmad Muhammad Isa, sa i përket termave të tij që shfaqen në librin A Handbook of Muhammadan Art (Udhërrëfyesi i Artit Muhamedan) nga Dr. M. S. Dimand, i cili ka shërbyer për më shumë se tridhjetë vjet si kurator i koleksionit të artit islam në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork. Falë saktësisë dhe besueshmërisë, libri fillestar i Dimandit ia del të përmbushë ato sfida gjuhësore me të cilat zakonisht është përballur përkthimi i termave të artit islam nga anglishtja në arabisht.
Qasja e Isa-s në këtë vepër ishte zgjedhja e termave arabisht që përshtateshin më së miri me ato në anglisht, si në kuptim, ashtu edhe në gjerësinë e përdorimit, qoftë edhe kur ato i përkisnin vetëm gjuhës së folur. Me këtë, ai na thotë se termat që ka zgjedhur, janë “fjalët e përdorura nga ushtruesit e vërtetë të artit dhe synimi im ka qenë të përcaktoj kuptimin e fjalëve arabisht të lidhura drejtpërdrejt me vetë artin e zejtarisë, si dhe të shmang të pasurit e më shumë se një përkthimi në arabisht për çdo term në anglisht”.
Kjo hallkë e rëndësishme e përkthimit u bë themeli i fjalorthit të parë anglisht-arabisht të termave të artit. Pasi ai mori fjalët anglisht me rëndësi për artin islam, Isa përpiloi fjalët e barasvlershme në arabisht dhe ia bashkëngjiti ato librit të Dimandit, me synimin përfundimtar për të prodhuar një fjalor gjithëpërfshirës, të saktë dhe të besuar arabisht-anglisht të artit islam.
Afërsisht katër dekada më vonë, Isa e pasuroi fjalorin e tij me shtesat që i mori nga përkthimi i një tjetër libri me të njëjtën temë, shkruar nga Oktay Aslan Aba. Botimi me shtesa, një punë nismëtare në llojin e vet, përmbante mëse 1.400 terma në fushën e arkitekturës, zejtarisë dhe arteve të tjera islame, doli në qarkullim me titullin “Muṣṭalaḥāt El-Fenn El-Islāmī”.
Zanafillat e terminologjisë së artit islam
Termi “art islam” filloi të shfaqej shprehimisht si lëndë e studimeve islamo-orientaliste midis shekullit të trembëdhjetë dhe katërmbëdhjetë (p.h.)/ nëntëmbëdhjetë dhe njëzet (e.r.). Gjatë kësaj kohe, ky term u përdor për të nënkuptuar përmendoret arkitekturore, zbardhjen e dorëshkrimeve, sendet antike dhe të zejtarisë që kishin rëndësi kulturore brenda fushës së muzeologjisë.
Muzeumeve madhore perëndimore u nevojitej të njësonin veprat e artit dhe reliktet islame për t’i “tregtuar” kulturalisht te vizitorët e muzeumeve. Kjo nevojë mund të ketë hapur rrugën për një zhvendosje kuptimore të rëndësishme të termit “art islam”, përmes së cilës, në vend që të nënkuptonin thjesht një përzgjedhje muzeore që përfaqësonte kulturën apo historinë e një periudhe të caktuar, në fakt, u kthye në një tregues të një fushe të tërë epistemologjike, e aftë të zinte vendin e vet përkrah shkencës dhe letërsisë. Shoqëritë myslimane të ndikuara nga Perëndimi filluan të përthithnin idenë e artit si diçka që lidhet kryesisht me të bukurën dhe krijimtarinë, artin islam në veçanti, si pjesë themelore e kulturës moderne dhe bashkëkohore.
Megjithatë, pa marrë parasysh përdorimin e gjerë bashkëkohor, termi përgjithësues “art islam” ende ka nevojë të përcaktohet në një mënyrë të qartë dhe të qëndrueshme. Rrënjët e kësaj vështirësie mund të gjurmohen deri në shekullin e trembëdhjetë p.h./ nëntëmbëdhjetë e.r., pikë prej së cilës ne mund të hartojmë trajektoren terminologjike dhe historike të kësaj shprehjeje, si më poshtë:
- Mes viteve 1289-1294 p.h./1873-1878 e.r., u botuan dy libra veç e veç, me titull: L’Art Arabe (Arti arab), njëri nga Jules Boroin dhe tjetri nga Prisse D’Avennes. Mesa duket, termi “arti arab” po përdorej përgjithësisht për të nënkuptuar sendet e rralla islame, reliktet e vjetra dhe veprat e artit që përhapeshin nëpër Europë asokohe. Gjithsesi, dijetarët dhe historianët mbanin qëndrime të ndryshme lidhur me emrin që do i vinin këtyre artikujve, siç del në pah nga titujt e larmishëm të studimeve me rëndësi që botoheshin në vazhdimësi asokohe.
- Termi “arti sarasen” u sajua nga historiani Lane Pooles, libri i të cilit Handbook of Saracenic Art (Udhërrëfyesi i Artit Sarasenik) u botua në vitin 1303 p.h./1886 e.r.. Megjithatë, duhet thënë se ky emërtim është përdorur shumë rrallë në hulumtimet akademike mbi artin islam dhe në rrethanat e tanishme ka pak rëndësi.
- Nga mesi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, termi më i përdorur për artin islam ishte “arti muhamedan”. Ky term shfaqet në titujt e disa veprave të botuara gjatë kësaj kohe, mes të cilëve edhe Mohammedan Architecture in Egypt and Palestine (Arkitektura Muhamedane në Egjipt dhe Palestinë) nga Martin S. Briggs (1299 p.h./1882 e.r.).
- Termi “arti mysliman” u shfaq për herë të parë në botimin e vitit 1324 p.h./1907 e.r., të librit Manuel de l’art musulman (Udhërrëfyesi i Artit Mysliman), nga artisti dhe orientalisti i njohur francez M. Saladin. Shprehja e sipërpërmendur ishte me rëndësi, sa i përket rolit akademik që ajo luajti në hapjen e rrugës, megjithëse ngadalë, për përdorimin e termit të përbërë “arti islam”.
- Sa për termin “arti islam”, ai u shfaq qartësisht në fillimet e shekullit të katërmbëdhjetë (p.h.)/njëzet (e.r.) dhe pikërisht në vitin 1327 p.h./ 1910 e.r., kohë gjatë së cilës në Europë u hapën disa ekspozita të zejtarisë islame, relikteve të vjetra dhe veprave të artit.
Termi i përbërë që doli nga ndërthurja e fjalëve “art” dhe “Islam”, u bë një term i përgjithshëm i gjithçkaje që mund të renditej nën titullin e krijimtarisë artistike, estetike dhe zejtare islame. Si i tillë, “arti islam” u bë termi më i qëndrueshëm lidhur me gjinitë e këtij zanati dhe trajtat e veçanta brenda përmbajtjes së kulturës pamore islame. Në të njëjtën kohë, hyrjet e vazhdueshme të termave dhe koncepteve nga jashtë e pengonin zhvillimin e një emërtimi të qartë të shprehjeve të ndryshme të artit islam. Kjo vështirësi sqarohet nga gjashtë dukuritë e mëposhtme:
- Natyra e panjohur e shumë prej termave kyçe të përdorura në hulumtimet perëndimore mbi artin islam, ose ajo që ne mund ta quajmë “estetika orientaliste” e cila u lakua në një varg gjuhësh të huaja që ishin përgjegjëse për sajimin pothuajse të gjithë elementeve të termave me rëndësi akademike, duke përfshirë edhe vetë termin “art islam”.
- Huazimi i shumë koncepteve dhe shprehjeve të përdorura për shpjegimin e termave vendimtare dhe filozofike të lidhura me “artin islam” si dhe nëntemat e tyre të ndryshme, disa prej të cilave kishin qenë deri tani të panjohura për kulturën arabo-islame. Këto përfshinin, fjala vjen, termin “shkollë” në kuptimin shkolla të ndryshme mendimesh, apo të një lëvizjeje artistike. Termi “shkollë” është përdorur gjerësisht në këtë kuptim në hulumtimet bashkëkohore të artit islam, të cilat përmbajnë në vetvete shtjellime të gjata të “shkollës së artit islam”, pavarësisht se termi “shkollë” (medrese) ishte në traditën e përdorimit në gjuhën arabe apo kulturën islame, me qëllim që të nënkuptonte diçka tjetër, përveç një vendi ku mësohet.
- Hyrja e disa termave teknike të caktuara perëndimore në gjuhën bashkëkohore të artit islam. Një term i tillë është “teknikë”, fillimisht i përkthyer si el-ikhrāzh el-fennī, gjatë studimeve që merreshin me mënyrat e të vizatuarit të formave zbukuruese etj.
- Mungesa e saktësisë në përkthimin e termave të huaja të artit islam në gjuhën arabe. Një shembull i tillë pasaktësie mund të vërehet në faktin se terma të tilla si zbukurime, ilustrime, stolisje etj., që të gjitha u përkthyen në arabisht me një fjalë të vetme që është zakhrafeh.
- Përdorimi i fjalëve të huaja përmes arabizimit lidhur me artin islam, deri aty, sa filluan të dukeshin si të huaja për Kuranin dhe kulturën arabe, duke u bërë të vështira për t’u kuptuar. Një nga shembujt më të spikatur të kësaj dukurie ka ndodhur në lidhje me termat e përvetësuara nga gjuha arabe, të ardhura nga turqishtja, si për shembull, hatay dhe romi, të cilat nënkuptojnë llojet e stolive ornamentale islame të zhvilluara gjatë periudhës osmane. Termi i arabizuar mukarnaṣ (një lloj qemeri i stolisur) vazhdon të përdoret gjerësisht në fushën e artit islam.
- Shumë pak nga ata që janë marrë me artin islam bënë përpjekje të përkushtuara për të rrënjosur terminologjinë artistike në gjuhën arabe, duke u mbështetur në vetë leksikun e arabishtes, ose duke e përqendruar vëmendjen te shumë prej termave dhe koncepteve me prejardhje arabe që kanë hyrë në gjuhë të tjera. Një term i tillë është qawrique (arabisht teurīk) që do të thotë zbukurim me gjethe, i cili udhëtoi nga arabishtja në spanjishten kastiliane ku u shndërrua në një term artistik, i përcaktuar si “zbukurim në formë gjethesh të vogla dhe degë palme”, që hyri përsëri në leksikun artistik arabo-islam si fann el-teurīk. Vetë fjala arabe teurīk ka qenë e përdorur nga historianët arabë. Abū El-Ḥasan El-Mukrī, për shembull, përmend dikë me emrin Muhammad Ibn Ahmad, i cili kishte njohuri në zanatin e tawrique.
Fabrikimi perëndimor i fjalorit artistik islam
Si para, ashtu edhe pas lindjes së termit “art islam”, vazhdonte puna për zhvillimin e një fjalori termash për gjithçka që kishte lidhje me këtë fushë nga ana pamore, teorike, simbolike, prodhimit artistik, teknikave, llojeve dhe relikteve të vjetra. Ky përpunim zuri vend gjatë shpikjes së termave dhe shprehjeve të reja brenda përmbajtjes së kulturës artistike perëndimore që u rrit nga Rilindja Europiane. Në fillimet e shekullit të njëmbëdhjetë (p.h.)/shtatëmbëdhjetë (e.r.), u panë shenjat e para të zhvillimit të një fjalori me sajesën ose termin italian “arabesco”, në vitin 1019 p.h./ 1611 e.r.. Disa fjalorë të hershëm jo-arabë e njëjtësonin dy rrokëshin “arab” me bërthamën kuptimore dhe ndërtimore të këtij termi të ri, duke nënkuptuar një dizajno ornamentale me bimë. Më vonë, termi rrugëtoi nëpër gjuhët e tjera europiane, duke përfshirë frëngjishten, gjermanishten dhe anglishten, ku mori trajtën përfundimtare “arabesque”.
Disa historianë të artit islam, si për shembull Ernest Kuhnel, këmbëngul se termi “arabesque” ishte shpikur në fund të shekullit të trembëdhjetë (p.h.)/nëntëmbëdhjetë (e.r.), nga historiani austriak i artit Alois Riegle (1858-1905 e.r.), i cili shihet si një nga themeluesit e lëndës së historisë dhe filozofisë së artit.
Hulumtuesit bashkëkohorë arabë dhe myslimanë nuk pajtohen lidhur me përkthimin e termit “arabesque” në arabisht. Disa nga mundësitë e ofruara përfshijnë, fjala vjen, El-teushīḥ (shprehimisht, zbukuruar ose veshur me uishāḥ, një rrip ose brez i stolisur), el-raksh (zbukurim, stolisje), el-‘arabasa, el-tarkīn el-zakhrafī (dorëshkrim me zbukurime), el-zakhrafeh el-‘arabijeh el-muarrakah (zbukurime gjethore arabe), el-zakhrafeh bi el-furū‘ el-nabātijeh (zbukurim me degë dhe sytha), el-zakhrafeh el-nabātijeh (zbukurim me forma bimore), mundësisht, edhe të tjera.
Terminologjia pas “art islam”
Në vijim të shfaqjes së shprehjes “art islam”, terma dhe koncepte të tjera të shumta me prejardhje nga Perëndimi vazhduan të dalin, duke u bërë elemente jetësore të gjuhës së estetikës islame. Më poshtë, po japim disa shembuj të tillë:
- Termi spanjoll morisco (frëngjisht moresque, anglisht moorish) u shfaq në vitin 1019 p.h./1611 e.r. dhe nënkuptonte çdo gjë që në vetvete zotëronte veçoritë e artit dhe arkitekturës marokene. Nga 1165 p.h./1752 e.r., dhe në vazhdim, këto terma filluan të nënkuptojnë tiparet zbukuruese të artit, zejtarisë dhe arkitekturës së Marokut dhe Andaluzisë, siç janë ilustruar në dizajnët me zbukurimet gjeometrike, apo në ndërthurjet e drurit me metalin, veçanërisht ato të gjendura në qeramikën e Marokut, të njohura si zulaj (fajancë, tjegulla dhe qeramikë e zbukuruar).
- Fjala me prejardhje italiane “miniaturë”, e cila u shfaq për herë të parë në vitin 994 p.h./1586 e.r., hyri në gjuhën frënge dhe angleze afërsisht në vitin 1365 p.h./1946 e.r. dhe nënkupton një pamje të vogël të hollësishme, nganjëherë e pikturuar apo e praruar, që përdoret për të zbukuruar shkrimet. Është e vështirë të përcaktosh saktësisht, se kur hyri ky term në gjuhën e artit islam. Ajo që mund të thuhet, sidoqoftë, është se termi shpesh vetëm sa shkruhej ashtu siç shqiptohej në arabisht: miniyātūr. Fjala “miniaturë” mendohet të ketë qenë përkthyer për herë të parë nga frëngjishtja në arabisht nga gjuhëtari Bishr Faris, i cili e shndërroi atë në: munamnamāt (që do të thotë stolis, zbukuroj, hijeshoj).
- Ndryshe nga fjala abstractionism, e cila u shfaq rreth vitit 1344 p.h./1926 e.r., fjala “abstraksion” (texhrīd) filloi të qarkullojë për herë të parë në gjuhët europiane në vitin 955 p.h./1549 e.r., pa mbartur ndonjë lidhje të caktuar me artin në vetvete. Nga viti 1369 p.h./ 1945 e.r., termi i lartpërmendur filloi të përdorej vazhdimisht, i shoqëruar me një prirje të re në artin perëndimor, i cili dallohej nga mungesa e vërtetësisë dhe imtësive të dukshme të lëndës së një pikture. Arti abstrakt (arabisht el-fenn el-teshkīlī) përfshinte një lloj ndarjeje të formës nga përmbajtja, përmes një përdorimi të veçantë të ngjyrave, vijave dhe vendosjeve gjeometrike për të krijuar një formë artistike që do të shprehej simbolikisht përtej vetvetes, në një kuptim më të thellë. Ky lloj përpunimi do të njihej më vonë si “arti abstrakt”.
