Dëgjojeni me zë:

Një incident fizik mes një mësimdhënësi dhe një grupi nxënësish në shkollën fillore të mesme të ulët “Pavarësia” në Prishtinë ka nxitur reagime të menjëhershme nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria, veçanërisht pas publikimit të pamjeve të pjesshme të ngjarjes në rrjete sociale.

Në videon që qarkulloi fillimisht, shihet një përplasje e drejtpërdrejtë mes mësimdhënësit dhe një nxënësi, pamje të cilat shkaktuan reagime të shumta publike. Pas publikimit të videos, mësimdhënësi u arrestua nga autoritetet dhe u ndalua për 48 orë, ndërkohë që rasti mori vëmendje të gjerë mediatike.

Megjithatë, nga vetë institucioni arsimor është paraqitur një version tjetër i ngjarjes. Psikologu i shkollës “Pavarësia”, Nazim Mahmuti, në një deklaratë, ka sqaruar se sipas informacioneve të mbledhura nga shkolla, mësimdhënësi ishte sulmuar nga një grup prej rreth dhjetë nxënësish dhe se reagimi i tij kishte qenë në kuadër të vetëmbrojtjes.

Sipas Mahmutit, incidenti ka ndodhur në sallën e arsimtarëve, një hapësirë që nuk është e pajisur me kamera sigurie, gjë që, sipas tij, dyshohet se është shfrytëzuar qëllimisht nga nxënësit për ta shkaktuar konfliktin larg mbikëqyrjes.

Ai ka theksuar se pamjet e publikuara në rrjete sociale paraqesin vetëm momentin e fundit të përplasjes dhe nuk e pasqyrojnë tërë rrjedhën e ngjarjes, duke krijuar kështu një perceptim të pjesshëm dhe të njëanshëm për atë që ka ndodhur realisht.

Psikologu i shkollës ka bërë të ditur gjithashtu se nxënësi i përfshirë në video nuk është nxënës i mësimdhënësit në fjalë dhe se ai ka qenë më herët subjekt i masave të shumta disiplinore për sjellje problematike.

Sipas Mahmutit, konflikti ka nisur pasi nxënësi e ka fyer dhe sharë mësimdhënësin, i cili ndodhej në ambientet e shkollës për të përgatitur aktivitete në kuadër të Ditës së Shkollës, e planifikuar për më 16 shkurt.

Ai ka shtuar se mësimdhënësi njihet në institucion si një nga arsimtarët më korrektë dhe më të përkushtuar, ndërsa nxënësi, sipas tij, posedon një dosje me mungesa të shumta, vërejtje dhe sjellje të papërshtatshme ndaj stafit arsimor.

Ndërkohë, Policia e Kosovës dhe Prokuroria kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe përgjegjësive që lidhen me këtë rast.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version