Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj arrestimit të fundit të një shtetasi të Kosovës nga autoritetet e Serbisë, duke e cilësuar këtë veprim si “një shkelje tjetër” të obligimeve që Serbia ka marrë përsipër me Marrëveshjen për dialogun dhe drejtësinë të vitit 2015.

Në një deklaratë zyrtare, një zëdhënës i Komisionit Evropian ka rikujtuar se, sipas kësaj marrëveshjeje, Serbia është zotuar të mos iniciojë hetime penale apo ndjekje penale për krime që pretendohet se janë kryer në territorin e Kosovës, përveç rasteve kur një gjë e tillë kërkohet nga autoritetet e Kosovës. Sipas BE-së, juridiksioni për pretendimet që lidhen me krimet e luftës dhe veprat e tjera serioze u takon institucioneve të Kosovës.

“I bëjmë thirrje Serbisë që të respektojë zotimet e saj”, ka theksuar zëdhënësi i Komisionit Evropian, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.

Më 5 shkurt, autoritetet serbe arrestuan Mitehat Llozhanin, veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sapo ai hyri në territorin e Serbisë nga kufiri me Kroacinë. Sipas autoriteteve në Beograd, ai dyshohet për krime kundër popullatës civile.

Në lidhje me këtë rast, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka kërkuar angazhim më të madh të bashkësisë ndërkombëtare, duke e cilësuar arrestimin si shqetësues dhe në kundërshtim me marrëveshjet ekzistuese.

Sipas njoftimit të autoriteteve serbe, i arrestuari dyshohet se ka kryer trajnime si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit gjatë viteve 1998 dhe 1999, pas së cilave, sipas tyre, ka marrë pjesë në sulme kundër pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe ushtrisë jugosllave. Në njoftim thuhet gjithashtu se, si pjesëtar i një grupi të komanduar nga Ramush Haradinaj, ai ka marrë pjesë në rrëmbim dhe masakrim të policëve.

Megjithatë, nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se Mitehat Llozhani ka marrë pjesë në disa stërvitje në Shqipëri, por nuk ka informacione që ai të ketë qenë i angazhuar në vijat e frontit në Kosovë.

Nënkryetari i kësaj organizate, Gazmend Syla, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se gjatë kontrollit nga autoritetet serbe, Llozhanit i është gjetur në xhep kartela e veteranit të UÇK-së.

Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime për krime lufte të kryera gjatë viteve 1998–1999 në Kosovë, ndërsa vetëm gjatë vitit 2025 janë regjistruar disa raste të tilla arrestimesh.

Gjatë viteve ’90, Serbia e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën, UÇK-ja përfaqëson forcën që mbrojti popullsinë lokale nga represioni dhe dhuna e forcave të armatosura jugosllave.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version