Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, ka theksuar se Aleanca mbetet e përqendruar në zbatimin e vendimeve strategjike të Samitit të Hagës, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe ruajtjen e unitetit mes aleatëve, ndërsa ka përsëritur kërkesën për llogaridhënie lidhur me ngjarjet e vitit 2023 në Banjskë.

Duke folur për takimin e ministrave të Mbrojtjes në Bruksel, Shekerinska tha se fokusi kryesor ishte zbatimi i angazhimeve të marra në Hagë, përfshirë objektivin për investime prej 5% të PBB-së në mbrojtje. Sipas saj, disa shtete si Polonia, Estonia, Lituania, Letonia, Danimarka dhe Norvegjia tashmë janë shumë pranë ose e kanë arritur këtë nivel, ndërsa Gjermania ka dyfishuar investimet në mbrojtje. Këto zhvillime, theksoi ajo, përkthehen në kapacitete më të forta ushtarake dhe në rritje të fuqisë parandaluese të NATO-s.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishte edhe mbështetja për Ukrainën. Shekerinska nënvizoi se siguria e Ukrainës është e ndërlidhur me sigurinë e Aleancës dhe se NATO do të vazhdojë ta mbështesë atë me pajisje ushtarake, mbrojtje ajrore dhe ndihmë financiare.

Sa i përket Ballkanit Perëndimor, ajo theksoi se rajoni mbetet me rëndësi strategjike për NATO-n. KFOR-i, si misioni më jetëgjatë dhe një nga më të mëdhenjtë e Aleancës, vazhdon të luajë rol kyç në garantimin e një mjedisi të sigurt në Kosovë, duke krijuar kushte për dialogun politik të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

Shekerinska mirëpriti formimin e qeverisë së re në Prishtinë, duke shprehur shpresën se kjo do të shërbejë si shtysë për avancimin e dialogut me Beogradin. Ajo theksoi qartë se NATO do të vazhdojë të kërkojë llogaridhënie për ngjarjet në Banjskë, duke e konsideruar atë thelbësore për parandalimin e krizave të ngjashme në të ardhmen.

Sipas saj, prania ushtarake e NATO-s mund të ndihmojë dhe inkurajojë, por zgjidhja përfundimtare varet nga vullneti politik dhe gatishmëria për kompromis nga të dyja palët. “Dialogu politik është rruga e vetme drejt stabilitetit dhe prosperitetit afatgjatë në rajon”, theksoi ajo, duke shtuar se pavarësisht sfidave, ekziston shpresë për të ecur përpara.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version