Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konfirmuar se Shqipëria është në bisedime të avancuara me organizatorët e çmimeve prestigjioze “Globe Soccer Awards” për ta sjellë këtë event madhor në Tiranë.

“Globe Soccer Awards” është një ngjarje ndërkombëtare që nderon çdo vit arritjet më të mëdha në botën e futbollit. Kjo ceremoni është e njohur për ndarjen e çmimeve në disa kategori kryesore, duke përfshirë “Lojtari i Vitit”, “Trajneri i Vitit”, dhe “Klubi i Vitit”. Për të ilustruar rëndësinë e këtij eventi, në edicionin e fundit të vitit 2024, çmimi për “Lojtarin e Vitit” i takoi yllit brazilian, Vinicius Junior.

Kryeministri Rama zbuloi detajet dhe optimizmin e tij për këtë mundësi historike.

“Ndërkohë jemi në një diskutim së fundmi për të sjellë në Tiranë, 95 për qind në Tiranë, sepse jemi duke diskutuar si opsione dhe Durrësin dhe Vlorën, edicionin evropian të çmimit të globit të futbollit”, u shpreh ai.

Ai theksoi se edicioni kryesor i këtij eventi mbahet në Dubai, ndërsa për versionin evropian, kryeqyteti shqiptar është në një garë të fortë me kryeqytetin spanjoll.

“Eveniment i jashtëzakonshëm që mbahet në mënyrë të përvitshme sa i përket vetë edicionit global në Dubai dhe për edicionin evropian, organizatorët janë në një diskutim me Madridin dhe me ne”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se ka besim të plotë që Shqipëria do të jetë vendi fitues.

“Kemi shumë arsye të besojmë se zgjedhja do të bjerë mbi ne dhe do të jetë fantastike që për shembull çmimin e futbollistit më të mirë të vitit nga Globe Soccer, Yamalit fjala bie t’ia japim këtu në Tiranë.”

Në fund, Kryeministri përmendi se po punohet për të sjellë edhe një tjetër aktivitet të rëndësishëm sportiv ndërkombëtar.

“Po punojmë edhe me Padel International, është një tjetër aktivitet i jashtëzakonshëm që ka mbulim të jashtëzakonshëm mediatik në të gjithë botën dhe po punojmë që të sjellim në Shqipëri një edicion të tij”, tha Rama.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version