Kryeministri izraelit, në një deklaratë me video të martën, tha se ia ka kthyer lojën Hamasit dhe e ka izoluar atë, ndërsa forcat izraelite mbeten në pjesën më të madhe të Rripit të Gazës.
“Në vend që Hamasi të na izolonte ne, ne ia kthyem lojën dhe e izoluam atë. Tani e gjithë bota po i bën presion Hamasit të pranojë kushtet që ne kemi vendosur – lirimin e të gjithë pengjeve, ndërsa IDF (Forcat Mbrojtëse të Izraelit) mbeten në pjesën më të madhe të Rripit,” tha Netanyahu në një deklaratë me video në fund të vizitës në Uashington.
Duke folur në hebraisht, Netanyahu tha se plani i Trumpit lejon forcat izraelite të qëndrojnë në Gaza dhe përjashton shtetësinë palestineze, raportuan mediat izraelite, duke përkthyer mesazhin.
