Ndryshohen tabelat e parkut në Shkup: nga “donacion izraelit” në përkujtim për fëmijët e Gazës
Një veprim simbolik, por me ngarkesë të fortë politike dhe morale, ka ndodhur në komunën Aerodrom të Shkupit, ku një lëvizje civile pro-palestineze ka zëvendësuar tabelat e një këndi lojërash për fëmijë, të financuar përmes një donacioni izraelit. Në vend të mbishkrimit “Këndi i lojërave – donacion nga Izraeli”, tashmë qëndrojnë tabela me mesazhin: “Këndi i lojërave për fëmijë Gaza – Në kujtim të përjetshëm të fëmijëve palestinezë, viktima të gjenocidit të kryer nga Izraeli.”
Veprimi është ndërmarrë nga lëvizja civile “Të gjithë për Palestinën”, e cila prej muajsh organizon aktivitete publike në Maqedoninë e Veriut për të shprehur solidaritet me popullin palestinez dhe për të dënuar luftën shkatërruese të Izraelit në Rripin e Gazës. Aktivistët e kësaj lëvizjeje e kanë cilësuar këtë akt si një kundërpërgjigje morale ndaj përpjekjeve për “normalizim simbolik” të Izraelit përmes donacioneve publike, ndërkohë që në Gaza vazhdojnë vrasjet masive të civilëve.
Këndi i lojërave ishte pranuar si donacion muajin e kaluar nga Komuna e Aerodromit dhe ishte inauguruar zyrtarisht nga kryetari i komunës, Dejan Miteski, ministri i Punëve të Jashtme Timço Mucunski dhe ambasadorja izraelite në Shkup, Vivian Aisen, në kuadër të shënimit të 30-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Megjithatë, për aktivistët dhe një pjesë të opinionit publik, ky gjest institucional bie ndesh me realitetin tragjik në Gaza. Sipas të dhënave ndërkombëtare, që nga tetori i vitit 2023 janë vrarë mbi 70.300 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa më shumë se 171 mijë janë plagosur. Edhe pse më 10 tetor hyri në fuqi një armëpushim, sulmet izraelite në enklavën palestineze kanë vazhduar.
Ngjarja në Shkup pasqyron rritjen e ndjeshmërisë qytetare ndaj çështjes palestineze dhe tregon se solidariteti me viktimat e Gazës po shprehet gjithnjë e më hapur edhe në hapësira publike, përmes akteve simbolike që sfidojnë narrativat zyrtare dhe diplomatike.
