Nga Fatmir Baçi
NDJESA E MËKATIT
Më kanë mundur ligsht mëkatet,
Në tym kërkoj një fill ngatërruar,
Tretur janë të gjithë inatet,
Humnerë në gjoks, vullkan i shuar.
S’ka më këngë në zemrën time,
Era, thatë më fryu e gjitha pluhur,
Gëzimet e mia u bënë thërrime,
Dhembjet-copë i mbledh përhumbur.
S’di për ku dhe sa do zgjasë,
Drithmë-dyzimi, majtë a djathtë,
Mes i lagësht, s’di të flasë,
Grish symbyllur thellë në natë.
Ndiej që iki, edhe më ikin,
Trishtë nomad pa kalë e çadër,
Hapat-çalë shoje zvarritin,
Flakë në zheg, acar pa vatër.
Humbem shpesh në rrugë të lashta,
Ku rinohet dhe më plaku,
Lëmsh nën këmbë kallinj e kashta,
Shkel mbi to njëlloj përbaltur.
Shkoi shkujdesja e nuk vjen prapë,
Ç’do minut më dhemb nën thua,
Pengjet plagë që lashë te gratë,
Gjitha shpagë m’i ktheu një grua.
Jo s’mjafton, s’mbaron me kaq,
Klithmën mbaj në grushte fort,
Për të një fjalë nuk mund ta flak,
E fjalë nuk kam që ta mallkoj.
– DHJETOR 1992 –
