Në disa rajone të Kosovës po shfaqet një dukuri e çuditshme dhe shqetësuese: ngritja e objekteve dhe simboleve katolike në zona ku nuk jeton asnjë katolik, ose ku numri i tyre është i papërfillshëm. Për shumë komunitete muslimane, kjo nuk është çështje besimi  por sinjal i një strategjie të njohur nga historia e afërt: përdorimi i objekteve fetare si mjet simbolik për prani politike, ndikim territorial dhe provokim kulturor.

Rasti i Rugovës është tipi më i pastër i kësaj politike. Në një zonë 100% muslimane, fillimisht u ngrit një kishë pa asnjë komunitet që ta përdorë, e më pas një përmendore me motive mitike që banorët e shohin si përpjekje të hapur për të krijuar narrativë të re identitare në një mjedis që nuk e kërkon dhe nuk e pranon. Kjo nuk është ndërtim fetar , është shenjëzim simbolik i territorit.

E njëjta formë po shfaqet edhe në zona të tjera: një kishë gati 5 milionë euro në Llapushnik për 20-30 katolikë; gurthemel i kishës në Pollatë pa asnjë besimtar; plane për kisha në Bajgorë, Jezerc dhe Studenicë, gjithnjë në fshatra pa banorë katolikë. Në Podujevë është propozuar një kryq 77 metra i lartë, në një qytet ku muslimanët janë 99.5% e popullsisë. Këto nuk janë koincidenca janë modele.

Analiza e kësaj prirjeje tregon diçka më të thellë: një garë për simbolikë në terren, e cila i ngjan praktikave të Kishës serbe në vitet ’90, kur ndërtimet fetare përdorëshin si shenja pronësie kombëtare. Sot, Ipeshkvia e Kosovës rrezikon të bjerë në të njëjtën kurth  jo sepse ka besimtarë për të shërbyer, por sepse ka frikë nga humbja e rolit publik dhe kërkon kompensim nëpërmjet gurëve dhe monumenteve.

Por çfarë vlere kanë këto godina kur nuk ka njerëz që t’i mbushin? Për komunitetin musliman, përgjigjja është e qartë: ato shërbejnë si instrument presioni dhe si narrativë për “rrënjë të vjetra”, të përdorura më shumë për sfidim sesa për adhurim. Ndërtimet e zbrazëta mund të shërbejnë sot si simbolikë, por nesër do të jenë thjesht struktura prej guri që nuk i duhen askujt përveç atyre që duan të rishkruajnë realitetin demografik.

Shqetësimi i komunitetit musliman nuk është fetar, por politik: pse ndërtohen objekte për një komunitet që nuk ekziston? Pse nuk pyeten banorët? Pse përdoret feja si mjet për të provokuar shumicën?

Nëse institucionet shtetërore nuk e trajtojnë këtë dukuri me seriozitet, rrezikojnë të lejojnë krijimin e një harte të re simbolike që nuk i shërben harmonisë ndërfetare, por tensionit. Kosova nuk ka nevojë për kisha të zbrazëta në fshatra pa katolikë. Ka nevojë për sinqeritet, respekt dhe politika që pasqyrojnë realitetin  jo iluzione të rrezikshme të së shkuarës.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version