Forcat vetëkorrigjuese do të sigurojnë që transferimi i pritshëm i pasurisë të mos e dëmtojë kapitalizmin amerikan, shkruajnë Eric Zwick dhe Owen Zidar

 

16 shtator 2026

 

Në vitet që vijnë, brezi «i heshtur» dhe brezi i «bumit të lindjeve» në Amerikë — njerëzit e lindur nga vitet 1920 deri në vitet 1960 — do t’u kalojnë fëmijëve të tyre pasuri me vlerë 110 mijë miliardë dollarë. Disa argumentojnë se shtimi i pasurisë së trashëguar në vendet e pasura, pjesë e një kalimi më të gjerë të pasurisë ndërmjet brezave, të njohur si «Transferimi i Madh i Pasurisë», kërcënon meritokracinë dhe kapitalizmin. Na lejoni të paraqesim një këndvështrim më optimist.

Kaluam një dhjetëvjeçar duke ndërtuar, mbi bazën e të dhënave administrative tatimore, tablonë e parë të plotë të të pasurve të Amerikës. Pronarët e bizneseve private mbizotërojnë në grupin e 1% më të pasur. Ka rreth 3 milionë pronarë të tillë, me një pasuri mesatare prej rreth 25 milionë dollarësh. Ata jetojnë anembanë vendit dhe drejtojnë biznese që i kanë themeluar, blerë ose trashëguar, në një gamë të gjerë sektorësh, kryesisht pa bujë e shkëlqim. Këta «milionerë të kudondodhur» zotërojnë së bashku një pasuri mbi dhjetë herë më të madhe se ajo e njerëzve më të pasur të Amerikës, të renditur në listën Forbes 400. Vetëm një e katërta e tyre i ka trashëguar bizneset. Nëse trashëgimokracia po shfaqet në horizont, është e qartë se ende nuk ka mbërritur.

Rrëfimi mbizotërues është përqendruar kryesisht te lënia në trashëgim e aktiveve financiare dhe e pronave. Por historia e vërtetë e Transferimit të Madh të Pasurisë është historia e asaj që ndodh me biznesin familjar kur «milionerët e kudondodhur» vdesin.

«Babai blen, i biri ndërton, nipi shet dhe stërnipi lyp.» Kjo fjalë e urtë e vjetër parathotë një fat që e vërtetojnë edhe të dhënat. Vetëm 12% e fëmijëve të lindur në familjet e 1% më të pasur mbeten në atë grup, ndërsa 40% dalin jo vetëm nga ai 1%, por edhe nga grupi i 20% më të pasur. Ndonëse talenti dhe këmbëngulja mund të jenë pjesërisht të trashëgueshme, prirja e këtyre dy cilësive për t’u kthyer drejt mesatares mund të ndihmojë për të shpjeguar përse pasuria e trashëguar mpaket nga një brez i familjes te tjetri, sidomos kur pasuria kryesore e familjes është një biznes në veprim.

Fëmijët e pronarëve të bizneseve janë më pak të prirur se themeluesit e brezit të parë t’i riinvestojnë fitimet në biznes dhe, të rritur në kamje, janë më të prirur të bëjnë jetë luksoze. Zbuluam se trashëgimtarët e bizneseve private përbëjnë një pjesë shpërpjesëtimisht të madhe të pronarëve të avionëve reaktivë privatë dhe të superjahteve. Për shembull, pronarët e brezit të tretë të një biznesi në sektorin e rërës dhe të zhavorrit në Miçigan kanë pasur në pronësi shumë jahte, përfshirë një të quajtur Sassy, të cilin e ka vizituar Katy Perry.

Studimet mbi trashëgimtarët e pasur sugjerojnë se shumica e tyre e shpenzojnë trashëgiminë brenda një dhjetëvjeçari. Ndërkaq, firmat që kanë drejtues ekzekutivë nga familja pronare përgjithësisht arrijnë rezultate më të dobëta se ato që drejtohen nga njerëz jashtë saj. Siç e ka shprehur Warren Buffett: «Përzgjedhja e ekipit olimpik të vitit 2020 duke zgjedhur djemtë më të mëdhenj të fituesve të medaljeve të arta në Olimpiadën e vitit 2000 [do të ishte] marrëzi e plotë nga pikëpamja e konkurrencës sportive.» Përse do të duhej të ishte ndryshe kur bëhet fjalë për drejtimin e një biznesi?

Kur një biznes familjar humbet ritmin pas kalimit nga një brez te tjetri, krijohen mundësi për ata që synojnë të konkurrojnë me të ose ta blejnë. Le të marrim historinë e Larry Miller-it. Ai e nisi karrierën duke lënë përgjysmë studimet e larta në Jutë e më pas duke punuar në një dyqan pjesësh këmbimi për automjete në Salt Lake City. Kur drejtuesit nuk ia shpërblyen përkushtimin në punë, ai u largua, duke u punësuar më pas në një servis e, më vonë, në disa pika shitjeje automjetesh.

Në pikën e shitjes së Toyota-s të Chuck Stevinson-it, zoti Miller e çoi departamentin e pjesëve të këmbimit, brenda pak vjetësh, nga vendi i 961-të në vendin e parë në renditjen kombëtare sipas shitjeve. Ai punoi për Stevinson-in për tetë vjet, duke u ngritur deri në postin e drejtuesit të operacioneve, me pesë pika shitjeje nën mbikëqyrje. Por më pas vrulli i tij u përplas me trashëgimokracinë.

Stevinson-i i tha zotit Miller se do ta ulte në detyrë, duke i lënë nën drejtim vetëm një pikë shitjeje, për t’u bërë vend tetë djemve të pronarit në postet drejtuese të biznesit. Prandaj zoti Miller u largua dhe, pak më vonë, bleu një tjetër pikë shitjeje automjetesh në zonë. Me kalimin e kohës, ai ndërtoi një perandori me më shumë se 60 pika shitjeje automjetesh, 11 qendra riparimi për automjete të aksidentuara, shumë rrjete kinemash dhe një skuadër të NBA-së, Utah Jazz.

Në Amerikë, kur një biznes familjar nuk arrin të mbajë hapin me ndryshimet në sektorin e vet, në treg shfaqen sipërmarrës si zoti Miller, të cilët e lënë pas. Vetëm rreth 20% e kompanive të mëdha të vendit kontrollohen nga familje, ndërsa në vendet e tjera kjo shifër është rreth 40%. Vendet me një përqindje më të lartë firmash familjare priren të kenë të ardhura më të ulëta për frymë dhe, në përgjithësi, firma më të vogla.

Kur afrohet kalimi i biznesit familjar te brezi pasardhës, një mundësi tjetër është shitja e tij. Shpesh, «milionerët e kudondodhur» arrijnë në përfundimin se lënia e biznesit trashëgim u sjell më shumë kokëçarje sesa dobi.

Prej vitesh, investitorët e kapitalit privat kanë vënë në shënjestër bizneset familjare të përmasave të mesme. Këtë e kanë vënë re edhe të diplomuarit me master në administrim biznesi (MBA), të paduruar, por me shpirt sipërmarrës. Në vend që të sfiliten si bashkëpunëtorë në një firmë investimesh në kapital privat, ata mbledhin kapital për «fonde kërkimi», për t’i blerë dhe për t’i drejtuar vetë këto biznese.

Në disa raste, blerjet nga investitorët e kapitalit privat dhe nga fondet e kërkimit përshpejtojnë rritjen dhe sjellin profesionalizim; në të tjera, biznesi i rënduar nga borxhet copëtohet dhe shitet pjesë-pjesë. Të dyja rrugët u ofrojnë mundësi për risi dhe ripërtëritje atyre që nuk janë trashëgimtarë, por që kërkojnë t’i shfrytëzojnë ato.

…por duhet të flasim për tatimet

Këto forca të fuqishme vetëkorrigjuese i shohim si një arsye për ta vështruar me më shumë optimizëm Transferimin e Madh të Pasurisë në Amerikë dhe ndikimin e tij në dinamizmin ekonomik. Por ka një fushë për të cilën do të propozonim një reformë.

Sistemet e tatimit mbi trashëgiminë dhe mbi pasurinë e lënë në trashëgim janë gërryer ndjeshëm në mbarë botën e pasur, duke u lejuar pronarëve t’i lënë brezit pasardhës kompani gjigante, ndërkohë që paguajnë pak ose aspak tatim. Në Amerikë, kjo gërryerje nuk ka ndodhur vetëm për shkak të ndikimit të një shtrese donatorësh gjithnjë e më të pasur, por edhe sepse shumë ligjvënës që zotërojnë biznese përfitojnë vetë nga boshllëqet ligjore. Rindërtimi i këtyre sistemeve është thelbësor si për shëndetin e financave publike të vendit, ashtu edhe për ndjesinë e përbashkët se legjislacioni tatimor është i drejtë. ■

Eric Zwick është profesor në Shkollën e Biznesit Booth të Çikagos. Owen Zidar është profesor në Universitetin e Prinstonit. Ata janë bashkautorë të librit «Milioneri i kudondodhur: Kush është vërtet i pasur në Amerikë dhe si u pasurua».

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version