Monumenti NEWBORN, simbol i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është rrethuar simbolikisht me konstruksione metalike nga aktivistë, në një aksion që synon të shprehë kundërshtim ndaj proceseve gjyqësore që po zhvillohen në Hagë.

Aksioni është organizuar nga platforma Liria ka emër, anëtarët e së cilës vendosën rrethoja hekuri përreth monumentit, duke krijuar pamjen e një burgu simbolik. Në rrethojë u vendos edhe një tabelë me logon e Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe mbishkrimin “Kosova e burgosur”.

Përfaqësuesja e kësaj nisme, Eliza Hoxha, deklaroi se bëhet fjalë për një reagim qytetar ndaj asaj që organizatorët e konsiderojnë padrejtësi historike.

Sipas saj, “burgosja” simbolike e monumentit synon të pasqyrojë ndjenjën e padrejtësisë që, sipas organizatorëve, qytetarët po përjetojnë në raport me gjykimet që lidhen me luftën e UÇK-së dhe procesin e shtetformimit.

Në këto procese gjyqësore, që po zhvillohen në Hagë, në paraburgim prej disa vitesh ndodhen ish-udhëheqës politikë dhe ushtarakë të Kosovës, përfshirë Hashim Thaçi, si dhe ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, bashkë me ish-deputetin Rexhep Selimi.

Organizatorët thanë se aksioni është konceptuar si formë simbolike proteste dhe ndërgjegjësimi publik, në prag të përvjetorit të pavarësisë, duke e lidhur ikonën e 17 Shkurtit me debatin aktual mbi drejtësinë dhe narrativën e luftës.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version