Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar një letër urimi Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Në mesazhin e tij, monarku britanik ka përcjellë urimet më të përzemërta për qytetarët e Kosovës, duke vënë në pah marrëdhëniet shumë të mira dhe të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Mbretëria e Bashkuar. Ai e cilësoi këtë përvjetor si një moment reflektimi mbi rrugëtimin e përbashkët dhe mbi miqësinë e ndërtuar ndër vite mes dy vendeve.

“Kjo ditë shërben si një mundësi e çmuar për të reflektuar mbi miqësinë e qëndrueshme midis vendeve tona. Jam thellësisht i inkurajuar nga fuqia e lidhjeve tona bilaterale dhe mbetem i përkushtuar për të nxitur një bashkëpunim edhe më të ngushtë në vitet që vijnë. Ndërsa përballemi me sfidat e përbashkëta të kohës sonë, veçanërisht ato që lidhen me klimën dhe ruajtjen e botës sonë natyrore, shpresoj që vendet tona të vazhdojnë të punojnë së bashku për zgjidhje domethënëse dhe të qëndrueshme”, thuhet në letrën e urimit.

Letra është bërë publike nga Ambasada Britanike në Kosovë, duke nënvizuar edhe një herë partneritetin e afërt dhe mbështetjen e vazhdueshme që Londra zyrtare i ka dhënë Kosovës përgjatë viteve.

Në urimin e tyre, Mbreti Charles III dhe Camilla kanë shprehur dëshirën që qytetarët e Kosovës të gëzojnë paqe, prosperitet dhe mirëqenie, duke përcjellë mesazhe miqësie dhe shprese për të ardhmen.

Ky mesazh vjen si një tjetër dëshmi e marrëdhënieve të konsoliduara ndërmjet dy vendeve dhe e gatishmërisë për të thelluar bashkëpunimin në përballjen me sfidat globale dhe në ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version