Zbatimi i rregullave të konkurrencës në Amerikë është zhytur në kaos

“Nuk është sekret,” u tha senatorëve Robert Ritchie, “kjo industri është plot me gjarpërinj të babëzitur dhe maskarenj.” Në janar, z. Ritchie, i njohur më mirë me emrin e tij të artit, Kid Rock, i tha një komisioni të Kongresit se kompania Live Nation me gjasë duhej të copëtohej. Në prapaskenë, kompania, e cila zotëron Ticketmaster, sistemin dominues të shitjes së biletave në Amerikë, po përballej me një tjetër personazh rreth të 50-ave, një besimtare nga e djathta populiste. Emri i saj ishte Gail Slater.

Në mars të vitit të kaluar, znj. Slater mori drejtimin e divizionit të antitrustit në Departamentin e Drejtësisë (DOJ), një nga dy pozicionet kryesore të ngarkuara me mbikëqyrjen e konkurrencës në tregjet amerikane (tjetri është drejtimi i Komisionit Federal të Tregtisë – FTC). Pas marrjes së detyrës, znj. Slater foli për legjislacionin antitrust si një bisturi, e përshtatshme për të hequr “kancerin e marrëveshjeve të fshehta dhe monopolit”. Drejtuesit e kompanive e preferuan këtë imazh në vend të “drapërit” të përdorur nga paraardhësit e saj nën administratën e Joe Biden-it, por sërish kishin frikë se ajo do të bllokonte marrëveshjet e tyre. Në fund të fundit, znj. Slater kishte këshilluar J.D. Vance-in për politikat ekonomike, përpara se postet e larta të zbehnin instinktet e tij antikapitaliste.

Megjithatë, ashtu siç rrodhën ngjarjet, negociatorët e korporatave nuk kishin pse të shqetësoheshin. Deri në vjeshtë, autoriteti i znj. Slater në Departamentin e Drejtësisë ishte zbehur, pasi fraksioni i tregut të lirë brenda lëvizjes MAGA fitoi epërsi ndaj fraksionit populist, i cili ishte më i shqetësuar për pushtetin e korporatave. Këshilltarët e saj kryesorë u shkarkuan. Më 12 shkurt, pas muajsh spekulimesh mbi të ardhmen e saj, znj. Slater dha dorëheqjen. Aksionet e Live Nation u rritën ndjeshëm — një bast i tregut se zëvendësuesi i saj do të jetë më i gatshëm të arrijë një marrëveshje jashtëgjyqësore për çështjen antimonopol kundër firmës, përpara se ajo të shkojë në gjyq në muajin mars. Pjesa tjetër e Amerikës së korporatave po shtrëngon duart me nxitim në një nga valët më të mëdha të shkrirjeve (mergers) të parë ndonjëherë.

Pas largimit të znj. Slater, shumë nxituan të shpallnin fundin e lëvizjes së “antitrustit populist”, të cilën ajo dhe, në një masë më të madhe, paraardhësit e saj të epokës Biden, e përfaqësonin. Një sfidë për ata që po nxitojnë të shkruajnë “nekrologjinë” e kësaj lëvizjeje, është të kuptojnë se cili ishte thelbi i saj që në fillim. Populistët kritikojnë paraardhësit e tyre nga “Shkolla e Çikagos” për fokusimin e tepërt vetëm tek efikasiteti ekonomik: mantra se “marrëveshjet që rrisin mirëqenien e konsumatorit janë gjithmonë të mira”, thonë ata, është një përgjigje e mjerë ndaj shqetësimeve për pushtetin e tepruar të korporatave. Megjithatë, përpjekjet e lëvizjes për të ndërtuar një kornizë të vetën për matjen ose gjykimin e këtij pushteti, rezultuan të pasuksesshme. “E madhja është e keqe” është një sllogan i përdorshëm për politikanët dhe protestuesit, por rreth tij është e pamundur të ndërtosh rregulla të parashikueshme.

Antitrusti populist mund të jetë zhdukur. Por ata që shpresojnë për një kthim në një regjim të rregullt, teknokratik dhe përgjithësisht tolerant, nuk duhet të gënjejnë veten. Një epokë e re e zbatimit të konkurrencës ka mbërritur në Amerikë. Mund ta quajmë antitrust anarkik.

Epiqendra e tij është Shtëpia e Bardhë. Donald Trump ka mobilizuar lirisht aparatin antitrust të Amerikës për të ndjekur një sërë politikash të tij. Nën udhëzimin e presidentit, DOJ dhe FTC po hetojnë gjithçka, që nga çmimi i mishit e deri te politikat e diversitetit të kompanive. Në dhjetor, z. Trump nënshkroi një urdhër që nxiste një hetim ndaj ISS dhe Glass Lewis, firmat e këshillimit (proxy advisers) që operojnë si një duopol dhe janë të fiksuara pas standardeve ESG (Mjedisore, Sociale dhe të Qeverisjes). Mendohet se kompanitë e ndërtimit të banesave e kanë radhën. Ai madje ka ndërhyrë edhe në sagën më të madhe të blerjeve në vend, duke shprehur opinionin e tij në dhjetor se blerja e rrjetit gjigant mediatik Warner Bros Discovery nga Netflix, platforma më e madhe e transmetimit në botë, “mund të jetë një problem”.

Lobistët me lidhje të forta janë më të pushtetshëm se kurrë. Në vitin 2025, Hewlett Packard Enterprise (HPE), një prodhues i pajisjeve të IT-së, bleu rivalin e tij Juniper për 14 miliardë dollarë. Në dukje, argumentet e sigurisë kombëtare dominuan mbi argumentet e antitrustit të ngritura nga departamenti i znj. Slater: lejimi i shkrirjes së kësaj dysheje do t’u jepte atyre mundësinë të konkurronin më mirë jashtë vendit përballë Huawei-t të Kinës. Por Roger Alford, zëvendësi i znj. Slater, i cili u shkarkua javë pas mbylljes së marrëveshjes, tha më vonë se miratimi i saj reflektonte “sundimin e lobistëve”. Një tjetër shkrirje, miratimi i së cilës ngriti pikëpyetje të mëdha, ishte blerja e Anywhere Real Estate, agjencisë së dytë më të madhe të pasurive të paluajtshme në Amerikë, nga Compass, më e madhja në këtë sektor. Në të dyja rastet, u raportua se blerësit kërkuan këshilla nga Mike Davis, një këshilltar me ndikim i lëvizjes MAGA. Live Nation është këshilluar gjithashtu me të (megjithëse një person i afërt me firmën thotë se ai nuk luan asnjë rol në negociatat me Departamentin e Drejtësisë). Pasi znj. Slater dha dorëheqjen, z. Davis u përgjigj përmes një postimi në rrjetin social X: “U çliruam nga një e keqe” (Good riddance).

Në të njëjtën kohë, vetë shtetet federale kanë filluar të ndërtojnë regjimet e tyre të antitrustit për të zëvendësuar atë që ata e shohin si një mbikëqyrje federale tepër të butë, duke i shtuar akoma më tepër doza kaosit. Vitin e kaluar, Uashingtoni dhe Kolorado u bënë shtetet e para që u kërkuan firmave t’i njoftonin paraprakisht përpara se të finalizonin një marrëveshje. Ngjarjet që çuan në miratimin e marrëveshjes së HPE po shqyrtohen si pjesë e një padie që përfshin një grup prokurorësh të përgjithshëm shtetërorë, të cilët ishin të pakënaqur me influencën e perceptuar të lobistëve. Edhe nëse Live Nation arrin një marrëveshje jashtëgjyqësore me qeverinë, disa shtete raportohet se po planifikojnë të vazhdojnë betejën.

Ftohja transatlantike

Një sistem ku autoriteti mbi kompanitë më të rëndësishme të botës është i ndarë midis grupeve të zyrtarëve të MAGA-s dhe një mozaiku prokurorësh lokalë, është i destinuar të kthehet në një rrëmujë arbitrare dhe të kushtueshme. Por një pasojë disi më pak e dukshme e këtij revolucioni që po ndodh në sistemin antitrust amerikan, është se ai e vendos vendin në një kurs përplasjeje me aleatët e tij.

Ideja se Britania mund të pengojë një marrëveshje mes dy firmave të mëdha amerikane, siç bëri në vitin 2023 përpara se Microsoft të blinte përfundimisht Activision Blizzard, sot duket e paimagjinueshme. Por Bashkimi Evropian mund ta bëjë. Në vitin 2001, BE-ja bllokoi shkrirjen e General Electric dhe Honeywell, dy gjigantë amerikanë të prodhimit. Një përsëritje e atij episodi duket e pashmangshme, teksa firmat amerikane nënshkruajnë marrëveshje gjithnjë e më të mëdha dhe vetë sistemi i tyre rregullator i monopoleve bëhet më pak i parashikueshëm. A mund të frymëzojë shitja e Warner Bros një përplasje të tillë? Ky do të ishte vërtet një spektakël antitrusti që ia vlen të ndiqet.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version