Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka njoftuar se ka përfunduar procesi i përzgjedhjes së përfituesve të Programit të Kuponëve për fëmijët e familjeve përfituese të Skemës së Asistencës Sociale. Në kuadër të kësaj faze, gjithsej 313 fëmijë janë përzgjedhur për t’u përfshirë në institucionet private të licencuara të edukimit dhe kujdesit të fëmijërisë së hershme.
Sipas njoftimit zyrtar, programi synon të rrisë qasjen në edukimin e hershëm për fëmijët nga familjet me kushte të vështira socio-ekonomike, duke mbështetur zhvillimin e tyre arsimor dhe social që në moshë të vogël. Përveç mbulimit të shpenzimeve për ndjekjen e institucioneve edukative, programi parasheh edhe mbulimin e kostos së transportit për familjet që i plotësojnë kriteret përkatëse.
MASHTI bën të ditur se përzgjedhja e përfituesve është realizuar përmes një sistemi të automatizuar të rastësishëm, në përputhje me Udhëzuesin e Programit të Kuponëve. Ky mekanizëm, sipas ministrisë, garanton transparencë dhe paanshmëri për të gjithë aplikuesit. Pas përzgjedhjes automatike, Komisioni për Vlerësimin e Aplikimeve ka zhvilluar procesin e verifikimit të dokumentacionit dhe të dhënave të dorëzuara nga secila familje aplikuese.
Familjet që kanë aplikuar për programin do të njoftohen individualisht përmes platformës e-Kosova. Të gjitha familjet do të pranojnë SMS njoftues, ndërsa vetëm familjet përfituese do ta marrin dokumentin zyrtar të kuponit në llogarinë e tyre në platformën elektronike.
Ndërkohë, MASHTI ka sqaruar se familjet që kanë ankesa ose paqartësi lidhur me vendimin për përfitim nga Programi i Kuponëve kanë të drejtë të paraqesin ankesë brenda afatit ligjor prej 15 ditësh nga data e pranimit të vendimit fillestar. Ankesat mund të dorëzohen përmes platformës e-Kosova ose përmes adresës elektronike ankesa.kuponat@rks-gov.net
.
Programi i Kuponëve konsiderohet një nga masat kyçe të institucioneve për të përmirësuar përfshirjen në edukimin e hershëm dhe për të mbështetur barazinë në qasje në arsim për fëmijët nga familjet më të cenueshme.
