Një rregull i ri dhe i rëndësishëm po hyn në fuqi për ata që udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Qeveria amerikane planifikon t’u kërkojë qytetarëve nga disa vende të caktuara që kërkojnë vizë turistike ose biznesi të paguajnë një depozitë deri në 15 mijë dollarë. Kjo masë, e cila nis si një projekt pilot më 20 gusht dhe do të zgjasë për 12 muaj, ka për qëllim të sigurojë që udhëtarët “të përmbushin kushtet e vizave të tyre dhe të largohen nga Shtetet e Bashkuara në kohën e duhur.”
Cilat vende preken nga rregulli i ri?
Kjo masë do të aplikohet për qytetarët e atyre vendeve që kanë shkallë të lartë të qëndrimeve të paligjshme pas skadimit të vizës. Një raport i departamentit të sigurisë kombëtare i vitit 2023 përmend vende si Çadi, Eritrea, Myanmari, Jemeni dhe Haiti si vende që i plotësojnë këto kritere.
Është me rëndësi të theksohet se ky rregull nuk prek qytetarët e vendeve që janë pjesë e programit të heqjes së vizave (visa waiver program). Në mesin e këtyre 42 vendeve, bëjnë pjesë shumica e vendeve të Bashkimit Evropian, qytetarët e të cilëve mund të qëndrojnë në SHBA pa vizë deri në 90 ditë.
Si do të funksionojë depozita?
Shuma e saktë e depozitës do të vendoset nga punonjësit e konsullatave të SHBA-së dhe mund të jetë 5 mijë, 10 mijë ose 15 mijë dollarë. nëse një udhëtar shkel kushtet e vizës së tij duke qëndruar ilegalisht pas skadimit të saj, ai nuk do t’i marrë paratë e depozituara. në fakt, këto depozita mund të përdoren nga qeveria amerikane për të mbuluar shpenzimet e mundshme të procedurave të dëbimit.
Ky rregull i ri është pjesë e masave të administratës së Trump-it për të ashpërsuar kërkesat për aplikantët për viza. Ideja e një garancie të tillë është propozuar edhe më parë, por është hasur në kundërshtime, kryesisht për shkak të ndërlikimeve administrative dhe perceptimeve të gabuara që mund të krijojë në publik.