Një sulm me dron nga Rusia ka vrarë pesë persona në qytetin verior të Pryluky në rajonin e Çernihivit, përfshirë tre anëtarë të së njëjtës familje, njoftuan autoritetet ukrainase.
Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko, deklaroi të enjten në mëngjes se gruaja, vajza dhe nipi njëvjeçar i një punonjësi të emergjencës humbën jetën gjatë sulmit.
Guvernatori rajonal, Viacheslav Chaus, tha se kjo familje ishte mes pesë viktimave të një sulmi të natës, ku Rusia lëshoi gjashtë dronë kundër qytetit.
Sipas tij, gjashtë persona të tjerë u shtruan në spital.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, dënoi me forcë sulmet dhe akuzoi Moskën se “vazhdimisht përpiqet të fitojë kohë për të vazhduar vrasjet”. Ai deklaroi se Rusia kishte lëshuar gjithsej 103 dronë dhe një raketë balistike gjatë natës, me objektiva në rajonet Donetsk, Kharkiv, Odesa, Sumy, Çernihiv, Dnipro dhe Kherson.
“Kjo është një arsye tjetër për vendosjen e sanksioneve maksimale dhe ushtrimin e presionit të përbashkët… Presim veprim nga Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe çdo vend që mund të ndihmojë realisht në ndryshimin e këtyre rrethanave të tmerrshme,” tha ai me theks.
Në qytetin verilindor të Kharkivit, 18 persona u plagosën si pasojë e një tjetër sulmi me dron rus, përfshirë katër fëmijë, sipas Klymenkos.
Një banuese lokale, Anastasiia Meleshchenk, i tregoi agjencisë së lajmeve Reuters se droni kishte goditur apartamentin e fqinjit të saj dhe se ajo kishte arritur të dalë në korridor bashkë me fëmijën e saj. “Dje, sapo ishin përfunduar punimet e riparimit në apartamentin tim pas sulmit të mëparshëm,” tha ajo.
Nga ana e saj, Moska nuk bëri asnjë koment të menjëhershëm lidhur me sulmet.
Më vonë të enjten, autoritetet ukrainase njoftuan se dy persona ishin vrarë në një sulm rus mbi një qendër stërvitjeje ushtarake në rajonin Poltava, në Ukrainën lindore, një ditë më parë.
“Mjekët, për fat të keq, nuk arritën të shpëtojnë jetën e dy personave që ishin plagosur nga një sulm armik mbi terrenin stërvitor,” shkroi në Telegram zyrtari i lartë rajonal, Volodymyr Kohut.
Në territorin rus, ushtria ukrainase deklaroi se kishte goditur sisteme raketore në rajonin Bryansk, që sipas saj po përgatiteshin për të sulmuar Ukrainën.
Moska premton përgjigje
Këto sulme vijnë vetëm pak ditë pas operacionit spektakolar të Ukrainës, që synoi katër baza ajrore ushtarake ruse në Siberi dhe Arktikun e Largët, nëpërmjet përdorimit të 117 dronëve të telekomanduar të lëshuar nga kontejnerë pranë objektivave – një operacion i koduar me emrin “Rrjeta e Merimangës”.
Rusia akuzoi gjithashtu Kievin për shpërthimin e urave hekurudhore në jug të vendit, duke shkaktuar vdekjen e shtatë personave.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi të enjten se Rusia do të përgjigjet ndaj sulmeve “kur dhe si ta shohë të përshtatshme” ushtria e saj.
Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov, deklaroi të enjten se avionët ushtarakë që ndodheshin në bazat e goditura janë dëmtuar, por do të riparohen.
Dy zyrtarë amerikanë i thanë agjencisë Reuters se vlerësimi i Uashingtonit është se deri në 20 avionë ushtarakë janë goditur dhe rreth 10 janë shkatërruar plotësisht.
Në javët e fundit, përplasjet dhe sulmet ajrore janë përshkallëzuar, pavarësisht se palët ndërluftuese kanë zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta në Turqi me synim përfundimin e konfliktit.
Duke raportuar nga Kievi, gazetari i Al Jazeera-s, John Hendren, tha se “ambasada amerikane ka paralajmëruar shtetasit amerikanë në Ukrainë se pritet një valë e re goditjesh të mëdha”.
“Donald Trump, presidenti i SHBA-ve, ka pasur një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin që ka zgjatur rreth një orë e 15 minuta, ku i ka thënë se Putin do të detyrohet të hakmerret për sulmet ndaj bazave ajrore ruse,” raportoi Hendren.