Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur vendimin e saj për të pranuar kërkesën e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për riatdhesimin e shtetasve maqedonas që qëndrojnë ilegalisht në SHBA.

“Menjëherë pas ardhjes në pushtet të administratës Trump është dërguar një kërkesë për shtetasit maqedonas që qëndrojnë ilegalisht në territorin e SHBA-së, nëse konstatohet një status i tillë,” theksohet në përgjigjen e Qeverisë maqedonase . “Duke pasur parasysh se ata janë shtetas maqedonas, Qeveria ka pranuar kërkesën për pranimin e tyre në rast të dëbimit mbi këtë bazë.”

Megjithatë, qeveria e Shkupit nuk ka konfirmuar nëse është në bisedime me SHBA-në për strehimin e përkohshëm të shtetasve të vendeve të treta. “Si Qeveri, jemi në qëndrimin që veçse iu thamë dhe përgjigja i referohet informacioneve që kemi si institucione,” u tha në përgjigjen e tyre.


Dallimi me Kosovën dhe qëndrimet e tjera rajonale

Ndryshe nga Maqedonia e Veriut, Kosova, më 11 qershor, miratoi vendimin për të strehuar përkohësisht deri në 50 qytetarë nga vendet e treta, në kuadër të bashkëpunimit të saj me SHBA-në.

Një ditë më vonë, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) tha se SHBA-ja i është “mirënjohëse partnerit tonë, Kosovës, për pranimin e shtetasve të vendeve të treta të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara.”

Përveç Maqedonisë së Veriut, edhe Mali i Zi ka mohuar se ka pasur diskutime me SHBA-në lidhur me strehimin e përkohshëm të njerëzve nga vende të treta. Ndërkaq, edhe Serbia deri më tani nuk ka konfirmuar se do të pranojë shtetas të vendeve të treta.


Strategjia e SHBA-së dhe trysnia ndaj Ballkanit

Më 6 qershor, Departamenti Amerikan i Shtetit kishte konfirmuar se vendet e rajonit të Ballkanit janë përfshirë në kontaktet brenda një strategjie më të gjerë të SHBA-së për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar.

DASH-i theksoi se bashkëpunimi i vazhdueshëm me qeveritë e huaja është kyç për parandalimin e migrimit të paligjshëm dhe masiv, si dhe për sigurinë kombëtare.

Kjo deklaratë e DASH-it u bë një ditë pasi Reuters, raportoi se administrata Trump po ushtronte trysni ndaj Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit që t’i pranonin migrantët e dëbuar nga Shtetet e Bashkuara.

Muajin e kaluar, Gjykata Supreme e SHBA-së i lejoi administratës Trump të tërheqë statusin e përkohshëm ligjor për qindra mijëra migrantë nga Venezuela, Kuba, Haiti dhe Nikaragua, që jetojnë në SHBA. Ky vendim forcoi përpjekjet e presidentit republikan për shtimin e dëbimeve.

Sipas Bloomberg-ut, administrata Trump po kërkon destinacione të mundshme për migrantët që mund të dëbohen si rezultat i këtij vendimi të Gjykatës Supreme.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version