Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, së bashku me zëvendësministrin në detyrë, Shemsi Syla, dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, Gafurr Dugolli, ka pritur në takim Kancelarin Federal dhe Ministrin e Mbrojtjes, Mbrojtjes Civile dhe Sportit të Zvicrës, Martin Pfister, i cili ishte i shoqëruar nga një delegacion zviceran.

Gjatë këtij takimi, ministri Maqedonci theksoi rëndësinë e diasporës kosovare në Zvicër si një faktor kyç që ndërlidh dy shtetet. Ai vlerësoi kontributin e bashkatdhetarëve në ndërtimin e marrëdhënieve të ngushta mes dy vendeve, si dhe në zhvillimin ekonomik e social të Kosovës.

Në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, me theks të veçantë në fushën e edukimit dhe trajnimit ushtarak. Sipas ministrit Maqedonci, ky është një hap strategjik drejt avancimit të kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ministri kosovar gjithashtu e informoi homologun zviceran për progresin e bërë ndër vite nga FSK-ja dhe nënvizoi rëndësinë që ka për Kosovën integrimi në strukturat euroatlantike, përfshirë Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Ai theksoi se ky orientim strategjik është thelbësor për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Në fund të takimit, të dy ministrat u dakorduan për rritjen e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë, duke konfirmuar përkushtimin për të ndërtuar një partneritet të qëndrueshëm dhe për të kontribuar në një të ardhme më të sigurt për të dy vendet.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version