Lëvizja Vetëvendosje, pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese që konstatoi shkelje të Kushtetutës nga kjo parti, u detyrua të heqë dorë nga insistimi për ta bërë të fshehtë votimin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Në seancën e sotme, LVV zbatoi vendimin e Kushtetueses duke propozuar dy kandidate – Albulena Haxhiun dhe Donika Gërvallën – por asnjëra prej tyre nuk arriti të sigurojë 61 votat e nevojshme.

Seanca konstituive, e ndërprerë më herët për shkak të vendimit të përkohshëm të Kushtetueses, rifilloi sot nën drejtimin e deputetit Avni Dehari. Ky i fundit, sipas aktgjykimit, kishte vepruar në kundërshtim me Kushtetutën kur më parë kishte lejuar përpjekje për votim të fshehtë. Në hapje të seancës, Dehari njoftoi se vendimi i gjykatës tashmë është shpërndarë tek të gjithë deputetët dhe theksoi se votimi për kryetar të Kuvendit duhet të zhvillohet në mënyrë të hapur, me mundësi rikandidimi të të njëjtit emër deri në tre herë.

Pas ftesës për propozim nga grupi më i madh parlamentar, Glauk Konjufca prezantoi kandidaturën e Albulena Haxhiut. Ajo mori 57 vota pro, 56 kundër dhe 3 abstenime, duke mos arritur shumicën e nevojshme. Në tentimin e dytë, Konjufca propozoi Donika Gërvallën, ministre në detyrë e Punëve të Jashtme. Kandidatura e saj u shoqërua me reagime ironike në sallë dhe gjithashtu nuk siguroi votat e nevojshme.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e fundit konstatoi se Kuvendi kishte dështuar të zbatojë aktgjykimin paraprak të 26 qershorit, sipas të cilit konstituimi duhej të përfundonte deri më 26 korrik. Të gjitha seancat e mbajtura në atë periudhë u shpallën të pavlefshme. Gjykata sqaroi se kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit duhet të zgjidhen brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit, që nisi më 18 gusht.

Në reagimet e mëparshme, LVV kishte akuzuar PDK-në dhe LDK-në për “keqinterpretim” të aktgjykimit paraprak, ndërsa Albin Kurti kishte pohuar se as votimi i fshehtë e as veprimet e kryesuesit Dehari nuk ishin shpallur antikushtetuese. Mirëpo, vendimi i fundit e cilësoi qartë se Dehari kishte vepruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe se votimi për kryetar duhet të jetë vetëm i hapur.

Deputetët janë të detyruar të marrin pjesë në votim, duke u deklaruar pro, kundër ose abstenim, ndërsa procesi i konstituimit duhet të përfundojë brenda afatit të përcaktuar nga Kushtetuesja.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version