Liderët e partive politike janë pajtuar në parim që të nisen procedurat e shpërndarjes së Kuvendit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Këto hapa që çojnë Kosovën drejt zgjedhjeve të parakohshme kanë pasuar dështimin e Kuvendit që të themelojë Forcave të Armatosura të Kosovës.

Takimi i liderëve të partive politike është mbajtur nën drejtimin e presidentes Atifete Jahjaga.

Ajo ka thënë se pasi që Kuvendi të shpërndahet do të fillojnë menjëherë edhe procedurat e caktimit të datës së zgjedhjeve.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi, i cili më parë kishte theksuar se nuk do të ketë zgjedhje pa formimin e Forcave të Armatosura, sot ka deklaruar se një Kuvend që nuk është i aftë të themelojë ushtrinë, nuk mund të mbijetojë tutje.

Themelimi i Forcave të Armatosura kërkon dy të tretat e votave të deputetëve dhe po aq të pakicave. Andaj, mungesa e mbështetjes nga minoriteti serb, e pamundësoi formimin e tyre.

Seanca për shpërndarjen e Kuvendit është paralajmëruar të thirret të mërkurën. Kurse data e mundshme e zgjedhjeve është 8 apo më së largu 15 qershori./rel

Share.
Leave A Reply Cancel Reply
Exit mobile version