Liburn Aliu ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Vendimi i tij vjen menjëherë pas zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.
Aliu e bëri të ditur vendimin e tij përmes një postimi, ku shprehu pakënaqësinë me zhvillimet politike. Ai theksoi se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë legjislativ, nuk është në përputhje me idealet e tij për Republikën.
“Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit të kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim,” shkroi ai.
Aliu shpjegoi se zgjedhja e djeshme nuk është në “frymen e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”. Ky veprim i tij i papritur thekson një ndarje të brendshme brenda partisë, lidhur me kompromiset e fundit politike.