Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj dhe Besian Mustafa, kanë dorëzuar sot një tjetër kallëzim penalProkurorinë Speciale të Kosovës, duke iu bashkangjitur edhe 17 kallëzimeve të mëparshme që kërkojnë hetimin e ish-kryeministrit Albin Kurti dhe anëtarëve të kabinetit të tij qeveritar.

Sipas deputetëve të LDK-së, veprimtaria e mëtejshme e qeverisë pas 27 marsit është jo-kushtetuese dhe e paligjshme, duke u mbështetur në një aktgjykim të Gjykatës Supreme për çështjen e arkave fiskale, i cili thekson se një deputet i certifikuar nuk mund të ushtrojë njëkohësisht një funksion ekzekutiv.

Deputeti Besian Mustafa theksoi se Kurti dhe ministrat e tij “kanë zaptuar” institucionet, duke qëndruar në detyrë në mënyrë të jashtëligjshme. Ai paralajmëroi se ky precedent është i rrezikshëm për funksionimin e shtetit dhe mund të keqpërdoret nga kushdo.

“Nëse një deputet i certifikuar mund të jetë edhe ministër, atëherë do të thotë që 120 deputetë mund të shkojnë në qeveri, të marrin vendime dhe të shfrytëzojnë buxhetin e shtetit në mënyrë të paligjshme. Në kallëzimin penal kemi bashkangjitur edhe aktgjykimin e Gjykatës Supreme, i cili konfirmon se certifikimi nga KQZ më 27 mars e bën të pamundur që ata të vazhdojnë të mbajnë poste ekzekutive”, deklaroi Mustafa.

Ai shtoi se ish-kryeministri Kurti dhe ministrat e kabinetit të tij që janë certifikuar si deputetë vazhdojnë të qëndrojnë në mënyrë të jashtëligjshme në ekzekutiv, duke e quajtur këtë “uzurpim të institucioneve”.

Nga ana tjetër, deputeti Alban Zogaj theksoi se çdo vendim i marrë nga qeveria pas certifikimit të zgjedhjeve është i paligjshëm dhe se Prokuroria Speciale duhet të veprojë menjëherë.

“Sot dorëzuam një dokument shtesë për t’i kërkuar Prokurorisë Speciale që të ndërhyjë, sepse çdo vendim qeveritar pas 27 marsit është vendim i jashtëligjshëm. Qëndrimi i kryeministrit në detyrë dhe i ministrave është në kundërshtim me Kushtetutën. Prokuroria duhet të marrë masa për ta zhbllokuar situatën politike dhe për të garantuar ligjshmërinë”, u shpreh Zogaj.

Ai konfirmoi gjithashtu se LDK ka dorëzuar kallëzime penale ndaj të gjithë ministrave që mbajnë dy pozita, përfshirë edhe rastet e mëparshme të adresuara që nga muaji maj i këtij viti.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version