Më datat 14 dhe 16 korrik 2025, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës kanë parandaluar dy raste të ndara të tentativave për kontrabandim të cigareve nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, në të dy rastet janë ndaluar dy shtetas të huaj, të cilët kishin planifikuar të largonin nga Kosova rreth 375 boksa cigare të markave të ndryshme, të padeklaruara dhe pa banderola fiskale, përmes fluturimeve drejt Londrës.

Në njoftim thuhet se cigaret ishin fshehur në valixhe dhe bagazhet ishin dorëzuar në check-in për fluturim ndërkombëtar, me qëllim të shmangies së kontrolleve doganore.

Sasitë e sekuestruara përfshijnë marka të njohura si Marlboro Blue, White, Red, si dhe marka të tjera. Në të dy rastet, zbulimi i mallrave të kontrabanduara është bërë në bashkëpunim edhe me Njësitin e Informacionit të Pasagjerëve (PIU)”, thuhet në njoftimin për media.

Të gjitha produktet janë sekuestruar, ndërsa rastet janë proceduar për hetim të mëtejshëm nga ana e Doganës së Kosovës.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version