Qeveria gjermane, nën drejtimin e ministrit të Brendshëm Alexander Dobrindt (CSU), e ka shpallur vitin 2025 si dëshmi të një “kthese” në politikën e migracionit. Sipas të dhënave zyrtare, kërkesat për azil kanë rënë në rreth 113 mijë, afro 50 për qind më pak se një vit më parë. Berlini ia atribuon këtë rënie kontrolleve të ashpra kufitare, refuzimit të hyrjes dhe ndalimit të ribashkimit familjar. Por pas shifrave pozitive fshihet një realitet më problematik dhe kritik, sidomos për migrantët nga vendet në luftë, si Siria dhe Palestina.

Që nga maji, Policia Federale gjermane ka vendosur kontrolle në të gjitha kufijtë tokësorë dhe ka refuzuar hyrjen e rreth 21 mijë personave pa dokumente të rregullta. Mes tyre, rreth 1 mijë persona kanë shprehur qartë dëshirën për të kërkuar azil, por janë kthyer mbrapsht, ndonëse sipas ligjit evropian kanë të drejtë të dëgjohen. Ministria e Brendshme e arsyeton këtë praktikë me pretendimin se Gjermania ndodhet në një “gjendje të jashtëzakonshme”, duke anashkaluar rregullat e përbashkëta të BE-së për azilin.

Kritikët theksojnë se kjo politikë nuk përfaqëson sukses, por zhvendosje të problemit dhe shkelje të parimeve themelore humanitare. Studiuesi i migracionit Gerald Knaus vlerëson se rënia e numrit të azilkërkuesve lidhet shumë më tepër me zhvillimet në vendet e origjinës, veçanërisht me përfundimin e luftës civile në Siri në vitin 2024, sesa me masat e Berlinit. Sipas tij, numri mujor i kërkesave për azil ka mbetur pothuajse i pandryshuar para dhe pas vendosjes së kontrolleve kufitare.

Ndërkohë, qasja gjermane po bëhet gjithnjë e më e ashpër ndaj dëbimeve. Vetëm në vitin 2025 janë kryer mbi 21 mijë dëbime, një rritje prej 20 për qind. CSU kërkon që refugjatëve sirianë të mos u zgjatet qëndrimi, pavarësisht pasigurisë reale në Siri dhe mungesës së garancive për kthim të sigurt. Për migrantët nga Gaza dhe Palestina, të prekur nga lufta dhe kriza humanitare, politika aktuale shihet si veçanërisht mosfavorizuese dhe e pandjeshme ndaj realitetit në terren.

Ekspertët paralajmërojnë se pritja për kthime masive është jorealiste dhe do të përfundojë në mijëra ankesa gjyqësore. Në këtë kuptim, “suksesi” i shpallur i konceptit gjerman duket më shumë si statistikë politike sesa zgjidhje e qëndrueshme, duke rrezikuar të dëmtojë parimet e mbrojtjes ndërkombëtare dhe të drejtën për azil

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version