Përmbledhje e pikave kryesore
- Problemi: Kosova është i vetmi vend në rajon jashtë Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), gjë që u shkakton tarifa të larta dhe vonesa bizneseve dhe qytetarëve për transferet ndërkombëtare.
- Përfitimi: Anëtarësimi pritet të kursejë rreth 55 milionë euro në vit për ekonominë dhe të ulë komisionet bankare në nivele minimale, siç ka ndodhur tashmë në Shqipëri dhe Mal të Zi.
- Pengesa: Banka Qendrore e Kosovës (BQK) e ka përfunduar fazën e para-aplikimit, por aplikimi final është pezulluar. Procesi është bllokuar pasi tri ligje kyçe, të nevojshme për anëtarësim, po shqyrtohen në Gjykatën Kushtetuese pas një ankesese.
Bizneset dhe qytetarët në Kosovë paguajnë tarifa shumë më të larta për transferet bankare ndërkombëtare, pasi vendi – i vetmi mes shteteve fqinje – nuk është pjesë e Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Prodhuesi kosovar i pijeve “Frutex”, për çdo transfer bankar deri në 10 mijë euro që bën jashtë shtetit ose që pranon nga jashtë, paguan një tarifë minimale prej 100 eurosh.
Pronari i kompanisë, Shaqir Palushi, shpjegon se kjo shumë zakonisht ndahet në mënyrë të barabartë: 50 euro i paguan kompania e tij kur pranon mjetet dhe 50 euro i paguan pala dërguese.
Sipas tij, problemi nuk është vetëm financiar, pasi vonesat në pranimin e mjeteve janë të konsiderueshme.
“Mbërritja e mjeteve mund të zgjasë deri në pesë ditë pune. Kjo është ngarkesë për çdo biznes, që importon dhe eksporton mallra”, thotë Palushi për Radion Evropa e Lirë. Ai thekson se shkaku kryesor është mosanëtarësimi i Kosovës në SEPA, gjë që mban komisionet shumë më të larta sesa në vendet që janë pjesë e këtij sistemi.
Çfarë është SEPA? SEPA është një iniciativë e Bashkimit Evropian që lejon individët dhe bizneset të kryejnë pagesa në euro në mënyrë të sigurt, të shpejtë dhe me tarifa të barabarta në të gjitha vendet anëtare. Aktualisht, SEPA përfshin 41 vende, duke përfshirë të gjitha vendet e BE-së, Zvicrën, Mbretërinë e Bashkuar, Norvegjinë, dhe së fundmi Shqipërinë e Malin e Zi.
Tarifat e larta prekin edhe qytetarët Me sfida të ngjashme përballen edhe qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit. Blerim Ramadani, i cili punon në Gjermani, tregon se për të dërguar para për familjen në Kosovë, ai përdor vetëm kompani të transferimit të parave, jo bankat.
“Vetëm një herë kam dërguar 7 mijë euro përmes bankës dhe babai im në Kosovë ka marrë 60 euro më pak. Tash përdor vetëm kompani shërbimesh financiare”, thotë ai.
Në faqet zyrtare të dhjetë bankave komerciale në Kosovë, komisionet minimale për transferet ndërkombëtare variojnë nga 15 euro deri në mbi 500 euro, në varësi të shumës dhe llojit të klientit. Shpesh, transferimi përmes kompanive të shërbimeve financiare është më i lirë dhe më i shpejtë.
BQK drejt anëtarësimit në SEPA Për të ulur këto kosto, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka përfunduar fazën e para-aplikimit për anëtarësim në SEPA në fund të vitit të kaluar. Sipas BQK-së, përfshirja në SEPA pritet të sjellë kursime vjetore prej rreth 55 milionë eurosh për qytetarët dhe bizneset.
Parakusht për këtë anëtarësim është harmonizimi i kornizës ligjore vendore me atë të BE-së.
BQK bën të ditur se faza e para-aplikimit u realizua më 14 tetor 2024 dhe u përditësua më 20 dhjetor të po atij viti, pas miratimit në Kuvend të ligjeve përkatëse.
“Komisioni Evropian ka pranuar dokumentacionin, por aplikimi final mund të dorëzohet vetëm pas hyrjes në fuqi të ligjeve”, thuhet në përgjigjen e BQK-së dhënë Radios Evropa e Lirë.
Aplikimi final ende nuk është dorëzuar, pasi tri ligje të rëndësishme – Ligji për bankat, Ligji për shërbimet e pagesave dhe Ligji për parandalimin e pastrimit të parave – po shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese. Kjo ndodhi pas ankesës së Partisë Demokratike të Kosovës për shkelje procedurale gjatë miratimit të tyre.
“BQK-ja është e përgatitur të procedojë me dorëzimin e aplikacionit përfundimtar për anëtarësim në SEPA”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konfirmuar për REL se çështja e këtyre ligjeve është ende në shqyrtim. “Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.
Ekspertët: Kursime të mëdha për qytetarët dhe bizneset Sipas ekspertit financiar Nexhat Miftari, ish-shef i kabinetit të guvernatorit të BQK-së, anëtarësimi në SEPA do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë pozitiv.
“Qytetarët që pranojnë remitenca apo transfere të tjera do t’u nënshtrohen tarifave shumë më të lira. Transferet hyrëse dhe dalëse do të jenë më të shpejta, më të sigurta dhe më të lehta për t’u realizuar”, thotë Miftari për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se bankat në Kosovë janë tashmë të përgatitura teknikisht për t’u përshtatur me standardet e SEPA-s, pasi shumica e tyre janë degë të bankave nga shtetet anëtare të BE-së.
Shembuj nga rajoni Në rajon, Shqipëria dhe Mali i Zi u bënë pjesë e SEPA-s më 7 tetor të këtij viti. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se komisionet për transferet bankare tashmë janë ulur në 1 deri në 3 euro për shuma prej 100 deri në 500 euro. Para anëtarësimit, për 100 euro të dërguara, marrësi në Shqipëri pranonte vetëm 88-90 euro, pasi bankat mbanin deri në 10% të shumës.
Edhe Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë bërë pjesë e sistemit SEPA në gjysmën e parë të këtij viti, duke lehtësuar pagesat ndërkufitare në pothuajse të gjithë rajonin.
