Partitë politike në Kosovë janë pajtuar që zgjedhjet e rregullta lokale në Republikën e Kosovës të mbahen në tetor të vitit 2025.

Pas konsultimeve të zhvilluara ndërmjet përfaqësuesve të partive politike dhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Zyrën e Presidentes në Prishtinë, u bë e ditur se janë shqyrtuar disa data të mundshme për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, të gjitha brenda muajit tetor 2025.

Përfaqësuesja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deklaroi pas takimit me Presidenten se janë diskutuar tri data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve: 5, 12 dhe 19 tetor.

“Nëse zgjedhjet shpallen nesër, ekziston mundësia që ato të mbahen më 5, 12 ose 19 tetor. Këto ishin datat që u përmendën më së shpeshti. Qëndrimi ynë është që sa më herët të shpallen, aq më mirë, pasi duhet llogaritur edhe mundësinë e shkuarjes në balotazh. Lëvizja Vetëvendosje ka nisur tashmë procesin e shpalljes së kandidaturave. Në komunat që aktualisht i udhëheqim, do të vazhdojmë me të njëjtët kryetarë. Së shpejti do të kemi të gjithë kandidatët për kryetarë të komunave,” tha Haxhiu.

Ajo shtoi gjithashtu se gjatë takimit me Presidenten Osmani është përmendur edhe ideja që zgjedhjet e përgjithshme të mbahen në të njëjtën ditë me ato lokale, ndonëse Vetëvendosje, sipas saj, mbetet e përkushtuar ndaj procesit të konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë.

Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, e vlerësoi si të pamundur që zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale të mbahen në të njëjtën datë.

Megjithatë, ai nuk përjashtoi mundësinë që zgjedhjet e përgjithshme të jashtëzakonshme të mbahen më herët gjatë këtij viti. Pas takimit me Presidenten, Krasniqi theksoi se për PDK-në nuk është thelbësore data e zgjedhjeve, megjithëse në emër të partisë propozoi datat 12 dhe 19 tetor si opsione të pranueshme.

Ai shprehu kritika ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për mungesën e kryetarit të saj, Albin Kurti, në takim, duke thënë:

“Nga të gjitha partitë e ftuara, vetëm kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, munguan dhe bojkotuan një takim kaq të rëndësishëm që ndodh një herë në katër vjet. Nuk po them që e kanë bërë me marrëveshje, por kjo mungesë vërtet la shije të keqe.”

Pas përfundimit të takimit, një komunikatë për media u lëshua edhe nga Presidenca. Në të thuhej se data e mbajtjes së zgjedhjeve lokale do të caktohet në ditët në vijim.

 

“Gjatë takimit, Presidentja Osmani dëgjoi qëndrimet dhe propozimet e subjekteve politike, andaj në ditët në vazhdim, në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjet në fuqi, do ta caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale,” thuhet në njoftimin e Presidencës.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version