Vendimi i fundit i Parlamentit të Austrisë për të ndaluar mbajtjen e shamisë islame në shkolla për vajzat nën moshën 14-vjeçare ka hapur një debat të gjerë mbi liritë fetare, të drejtat e fëmijëve dhe barazinë në arsim. Ligji, i cili pritet të hyjë gradualisht në fuqi nga viti 2026, është kritikuar nga organizata të të drejtave të njeriut dhe nga Komuniteti Fetar Islam në Austri (IGGÖ), institucioni zyrtar përfaqësues i myslimanëve në vend.
IGGÖ ka theksuar se qëndrimi i saj është i qartë: çdo formë detyrimi refuzohet, por njëkohësisht duhet të mbrohet e drejta e fëmijëve që, me vullnetin e tyre, dëshirojnë të shprehin identitetin fetar. Sipas kësaj organizate, ndalesat e përgjithshme nuk mbrojnë fëmijët, por përkundrazi cenojnë të drejtat themelore dhe lirinë e besimit, duke prekur pikërisht ata që veprojnë pa presion.
Presidenti i IGGÖ-së, Ümit Vural, ka paralajmëruar se ligji do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, pasi pas një shqyrtimi juridik ngre dyshime serioze për përputhshmërinë me Kushtetutën dhe me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Ai ka bërë thirrje që shteti të zgjedhë zgjidhje pedagogjike dhe edukative, jo masa simbolike ndaluese.
Në Austri jetojnë rreth 745 mijë myslimanë, që përbëjnë afërsisht 8 për qind të popullsisë. Ata janë pjesë e pandashme e shoqërisë austriake, duke kontribuar në ekonomi, arsim, shëndetësi, kulturë dhe sektorë të tjerë jetikë. Bizneset e drejtuara nga qytetarë myslimanë, angazhimi në punë vullnetare dhe pjesëmarrja aktive në jetën qytetare dëshmojnë për rolin pozitiv dhe konstruktiv të këtij komuniteti.
Kritikët e ligjit paralajmërojnë se politika të tilla rrezikojnë të thellojnë ndarjet shoqërore dhe të krijojnë ndjenjë përjashtimi. Në vend të ndalesave, ata kërkojnë dialog, edukim dhe respekt të ndërsjellë, si rruga e vetme për një shoqëri të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe demokratike.
