Në Prokurorinë Speciale të Kosovës, avokati Asdren Bytyqi ka dorëzuar kallëzim penal ndaj Belisar Jezercit, anëtar i grupimit të quajtur “Lëvizja e Deçanit”, duke e akuzuar për thirrje të vazhdueshme për shfarosje dhe spastrim etnik ndaj myslimanëve shqiptarë.

Sipas Bytyqit, veprimtaria publike e Jezercit, veçanërisht postimet e tij në rrjetin social Facebook, përbën një shkelje të rëndë të rendit kushtetues dhe të kufijve të lirisë së shprehjes. Ai theksoi se thirrjet për largimin e dhunshëm të një komuniteti të tërë fetar nga territoret e Kosovës dhe rajonit nuk janë mendime politike, por akte të rrezikshme që nxisin urrejtje, përçarje dhe potencialisht dhunë.

“Bëhet fjalë për një akt të paprecedent, për një gjuhë të çmendur që e ka tejkaluar çdo standard të pranueshëm në një shoqëri demokratike. Këto deklarata cenojnë drejtpërdrejt sigurinë publike dhe interesin shoqëror”, deklaroi Bytyqi, duke kërkuar paraburgim për Jezercin dhe ngritje aktakuze edhe ndaj vetë grupit “Lëvizja e Deçanit”.

Avokati kritikoi ashpër këtë lëvizje, duke e cilësuar si një platformë provokuese që, nën petkun e “aktivizmit”, nxit urrejtje ndërfetare dhe ndëretnike në mesin e shqiptarëve. Sipas tij, retorika e përdorur nga Jezercit dhe bashkëmendimtarët e tij nuk është spontane, por e organizuar dhe e sinkronizuar, me synim përçarjen e brendshme dhe destabilizimin shoqëror.

Bytyqi ngriti gjithashtu shqetësime për trajtimin selektiv të rasteve nga Prokuroria Speciale, duke theksuar se kur individë të përkatësisë myslimane akuzohen për nxitje urrejtjeje, reagimi institucional është i menjëhershëm, ndërsa në raste si ky, institucionet heshtin.

Në kallëzimin penal janë dorëzuar rreth 25 prova materiale, përfshirë postime publike dhe deklarata të drejtpërdrejta që, sipas mbrojtjes, dëshmojnë qartë thirrjet për spastrim etnik. Avokati paralajmëroi se tolerimi i këtyre veprimeve vetëm sa do të inkurajonte përshkallëzim të mëtejmë të gjuhës së urrejtjes.

“Askush nuk ka të drejtë të thërrasë për zhdukje të një komuniteti të tërë dhe të fshihet pas lirisë së shprehjes. Kjo nuk është liri, është nxitje e hapur e urrejtjes dhe dhunës”, përfundoi Bytyqi, duke kërkuar veprim të menjëhershëm nga organet e drejtësisë.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version