Spanja ka konfirmuar se do të vazhdojë të kundërshtojë luftën e zhvilluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kundër Iranit, duke u shndërruar në një nga zërat më të fortë kritikë brenda Evropës ndaj përshkallëzimit të konfliktit.

Tensionet u rritën pasi presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi se Uashingtoni mund të ndërpresë të gjitha marrëdhëniet tregtare me Madridin. Këto kritika erdhën pasi qeveria spanjolle refuzoi t’i lejonte ushtrisë amerikane përdorimin e bazave ushtarake në territorin e saj për operacione të lidhura me sulmet ndaj Iranit.

“Spanja ka qenë e tmerrshme”, deklaroi Trump gjatë një takimi me kancelarin gjerman Friedrich Merz, duke shtuar se SHBA-të “nuk duan të kenë asgjë të përbashkët me Spanjën”.

Megjithatë, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez mbrojti me vendosmëri pozicionin e vendit të tij. Në një fjalim televiziv kombëtar ai theksoi se politika e Spanjës mbetet e qartë: “jo luftës”.

“Kështu fillojnë fatkeqësitë e mëdha të njerëzimit. Bota nuk mund t’i zgjidhë problemet e saj me konflikte dhe bomba”, deklaroi Sánchez, duke e cilësuar sulmin ndaj Iranit si të pajustifikueshëm dhe të rrezikshëm.

Ky qëndrim e ka vendosur Spanjën në një pozicion të veçantë në Evropë. Madridi ka qenë ndër vendet e pakta që ka dënuar vazhdimisht luftën e Izraelit në Gaza dhe ndër të parat që njohu një shtet palestinez në vitin 2024, së bashku me Irlandën, Slloveninë dhe Norvegjinë.

Mosmarrëveshja u thellua pasi SHBA zhvendosi 15 avionë nga bazat ushtarake Rota dhe Morón në jug të Spanjës, pasi Madridi refuzoi që ato të përdoren për operacione kundër Iranit. Trump kritikoi gjithashtu Spanjën për refuzimin e rritjes së shpenzimeve për NATO-n nga 2 në 5 për qind të PBB-së.

Megjithatë, analistët vlerësojnë se kërcënimet ekonomike amerikane kanë gjasa të jenë më shumë presion politik sesa masa reale, pasi Spanja është pjesë e Bashkimi Evropian. Sipas ekspertit të tregtisë Victor Burguete nga Qendra e Barcelonës për Çështje Ndërkombëtare, SHBA-të do ta kishin shumë të vështirë të justifikonin masa ndëshkuese ndaj Spanjës si “emergjencë kombëtare”.

Ndërkohë, sondazhet tregojnë se politika e jashtme e Trump nuk është popullore në Spanjë: mbi gjysma e qytetarëve shprehen kundër saj.

Qëndrimi i Madridit po shihet gjithnjë e më shumë si një shembull i një politike të jashtme të pavarur në Evropë. Duke refuzuar presionin për t’u përfshirë në një konflikt të ri në Lindjen e Mesme, Spanja po përpiqet të vendosë një standard të ri diplomatik – një model që shumë analistë besojnë se vendet e tjera evropiane duhet ta marrin në konsideratë.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version