Italia ka dhënë miratimin përfundimtar për ndërtimin e urës pezulluese më të gjatë në botë, e cila do të lidhë pjesën kontinentale të vendit me Siçilinë, në një projekt që kap vlerën prej 13.5 miliardë eurosh (15.5 miliardë dollarë).

Ministri i Transportit, Matteo Salvini, e cilësoi Urën e Ngushticës së Mesinës si “projektin më të madh infrastrukturor në Perëndim” pasi një komitet qeveritar dha dritën jeshile të mërkurën. Sipas tij, ura do të krijojë 120,000 vende pune çdo vit dhe do të japë hov investimeve në infrastrukturë në jug të Italisë.

Punimet paraprake mund të nisin që në tetor, në pritje të miratimit nga Gjykata e Llogarive, ndërsa ndërtimi pritet të fillojë në vitin 2026. Salvini parashikon që ura të përfundojë në vitin 2033.

Me një gjatësi prej 3.3 kilometrash, ura do të tejkalojë urën turke të Çanakkalasë dhe do të ketë gjashtë korsi trafiku dhe dy linja hekurudhore, duke e reduktuar udhëtimin aktual me traget prej 100 minutash në vetëm 10 minuta me makinë.

Kryeministrja Giorgia Meloni tha se ura do të shndërrohet në “një simbol inxhinierik me rëndësi globale”.

Projekti është propozuar që në vitin 1969, por është bllokuar në mënyrë të përsëritur për shkak të shqetësimeve mjedisore, frikës nga përfshirja e mafias dhe rreziqeve sizmike. Dizajni është frymëzuar nga ura e Çanakkalasë në Turqi dhe përfshin një platformë me formë krahu për të përmirësuar qëndrueshmërinë ndaj erërave të forta.

Mbrojtje apo zhvillim?

Qeveria në Romë thotë se ura mund ta ndihmojë Italinë të përmbushë objektivat e saj të shpenzimeve për mbrojtjen në kuadër të NATO-s, duke e klasifikuar si infrastrukturë me përdorim të dyfishtë – civil dhe ushtarak – një përcaktim që ka shkaktuar debat.

Më shumë se 600 akademikë kanë paralajmëruar se një klasifikim i tillë do të kërkonte vlerësime të reja mbi sigurinë ushtarake dhe mund ta kthente urën në një objektiv të mundshëm.

Salvini tha se kjo çështje u përket ministrive të Mbrojtjes dhe Ekonomisë, por nënvizoi se “parandalimi i përfshirjes së krimit të organizuar në projekt është përparësi absolute”.

Ndërkohë, grupet mjedisore kanë paraqitur ankesa në Bashkimin Evropian, duke paralajmëruar për rreziqe ndaj zogjve shtegtarë dhe mungesë provash që projekti përmbush interesin publik.

Kontrata për ndërtimin e urës iu dha kompanisë Webuild, e njëjta që fitoi tenderin fillestar në vitin 2006 përpara se projekti të anulohej. Kompania thotë se dizajni i saj është i qëndrueshëm ndaj tërmeteve, duke iu referuar urave të ngjashme në Japoni dhe Kaliforni.

“Ura do të sjellë një transformim për të gjithë vendin,” tha drejtori ekzekutiv i Webuild, Pietro Salini.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version