IPKO ka njoftuar përmes një komunikate për media se zjarri që shpërtheu të enjten në mbrëmje në njërën nga depot e IPKO Telecommunications është menaxhuar me shpejtësi dhe është vendosur nën kontroll pa ndikuar në funksionimin e shërbimeve, falë ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve emergjente dhe angazhimit të stafit të brendshëm të sigurisë.
Sipas njoftimit, zjarri ishte i lokalizuar vetëm në zona të caktuara të magazinimit brenda depos dhe nuk ka ndikuar aspak në sistemet apo shërbimet që janë të lidhura me klientët.
“Dëshirojmë të sigurojmë opinionin publik, klientët dhe partnerët tanë se asnjë pjesë kritike e infrastrukturës apo operacioneve të rrjetit nuk është prekur nga incidenti. Të gjitha shërbimet e IPKO-së vazhdojnë të funksionojnë normalisht, pa asnjë ndërprerje”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, IPKO ka bërë të ditur se aktualisht është duke kryer një vlerësim të detajuar për të përcaktuar shkallën e dëmeve materiale, të cilat, sipas tyre, janë të kufizuara vetëm në pajisje dhe furnizime të brendshme.
“Një hetim është duke u zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet përkatëse për të përcaktuar shkakun e zjarrit. IPKO do të ofrojë përditësime të mëtejshme nëse është e nevojshme dhe mbetet e përkushtuar ndaj transparencës së plotë dhe përkushtimit ndaj cilësisë së operacioneve”, thuhet më tej në komunikatë.